Kërko

Vatican News
Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa Françesku: lutja e bën Kishën, nuk jemi sipërmarrës të fesë

Këtë kujtoi Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme, duke theksuar rëndësinë e uratës: lutja është frymëmarrja e fesë: rritemi në fe aq, sa mësohemi për t’u lutur.

R. SH. - Vatikan

Nga breznia në brezni Kisha është e thirrur ta trasmetojë llambën e fesë me vajin e lutjes, që e ushqen. Detyra e saj kryesore është “të lutet e të mësojë për t’u lutur”. E theksoi fort këtë Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, duke u ndaluar kryesisht tek lidhja themelore  ndërmjet fesë e lutjes:

“Llamba e fesë, që shndrit, i rregullon gjërat ashtu si janë me të vërtetë, por mund të shndrisë vetëm nëse ushqehet me vajin e fesë. Përndryshe shuhet. Pa dritën e kësaj llambe nuk mund ta shikojmë rrugën për të ungjillëzuar, madje nuk mund ta shikojmë as rrugën në të cilën duhet ecur, për të besuar mirë: nuk mund t’i shikojmë fytyrat e vëllezërve, të cilëve duhet t’u afrohemi e t’u shërbejmë; nuk mund ta ndriçojmë dhomën ku mund të takohemi në bashkësi… Pa fenë, gjithçka shembet; e pa lutjen, feja shuhet. Fe e lutje, së bashku. Nuk ka udhë tjetër. Prandaj Kisha, shtëpi e shkollë bashkimi, është shtëpi e shkollë e fesë dhe e lutjes”.

Kisha mbarë lind në lutje e gjithçka rritet e lulëzon falë lutjes - pohoi me forcë Papa - që e zhvilloi, më tej këtë mendim lirisht, jashtë tekstit zyrtar:

“Për shembull, e shohim në disa grupe, që merren vesh për të çuar përpara reformat kishtare, ndryshimet në jetën e Kishës dhe të të gjithë organizatave, e mediat i njoftojnë të gjithë për këtë… Po lutja nuk shihet,  lutja nuk lutet. Duhet të ndryshojmë këtë e atë, të marrim këtë e atë vendim, që është më i fortë…. Po, interesant ky propozim. Interesant. Me diskutim. Me mediat. Po lutja? Ku është? Lutja është ajo që hap portën e Shpirtit Shenjt. Ndryshimet në Kishë nuk janë ndryshime të Kishës. Janë ndryshime grupi. E kur Armiku - siç thuhet - dëshiron ta luftojë Kishën, këtë e bën duke u përpjekur të shterrojë në radhë të parë burimet, duke i penguar njerëzit të luten e duke i nxitur të merren me këto propozime të tjera”.

Nëse shterron lutja, duket sikur gjithçka shkon përpara si gjithnjë, por - kujton Papa - pas pak kohe Kisha vëren se është bërë kasë boshe, se e ka humbur  boshtin, se nuk e ka më burimin, as ngrohtësinë  e dashurisë:

“Në Ungjillin e Lukës, Jezusi bën një pyetje dramatike, që të nxit të reflektosh gjithnjë: ‘I Biri i njeriut, kur të vijë, thua do të gjejë fe mbi tokë’, apo do të gjejë vetëm organizata, si të ishin grupe sipërmarrësish të fesë, të gjitha të organizuara si s’ka ku të vejë më mirë, që  bëjnë mirë e shumë e shumë gjëra të tjera. I Biri i njeriut, kur të vijë, a do të gjejë  fe mbi dhe?”.

Papa kujtoi se kjo pyetje ndodhet në fund të një shëmbëlltyre, në të cilën ngulmohet për nevojën e lutjes. Prej këndej, llamba e fesës së vërtetë të Kishës do të jetë gjithnjë e ndezur mbi tokë, derisa të ketë brenda vajin e lutjes - theksoi -  duke kujtuar se lutja e çon përpara fenë e me të, jetën tonë të varfër, të ligshtë, mëkatare, e duke i nxitur të gjithë të mos luten si papagajtë, po me gjithë zemër:

“Lutem, i sigurt se jam në Kishë, e lutem me Kishën - apo lutem sipas ideve të mia e i bëj këto ide lutje? Kjo është lutje pagane, jo kristiane!”.

Forcën e lutjes e dëshmon edhe jeta e grave dhe e burrave të shenjtë, që kanë probleme për të përballuar e, për më tepër, shpesh janë edhe objekt sulmesh. Por, me uratën që e thithin gjithnjë “nga pusi” i pashterrshëm i Kishës Amë, e ushqejnë flakën e fesë:

“Shenjtorët, që shpesh për sytë e botës vlejnë pak e aspak, në të vërtetë janë këta, që e mbajnë në këmbë, jo me armët e parasë e të pushtetit, të mediave të komunikimit - e kështu me radhë - por me armët e lutjes”

Françesku kujtoi, në vijim, përvojën e shumë të krishterëve. Shpesh për t’u lutur mësohet në prehër të prindërve e të gjyshërve, ndoshta pak para se të shkohet për të fjetur, në çastet intime, kur babai e nëna dëgjojnë ndonjë të fshehtë të fëmijëve e mund të japin këshilla të frymëzuara nga Ungjilli. Kjo trashëgimi e madhe, e marrë që në mituri - vërejti Papa - duhet thelluar gjithnjë në rrugën e rritjes, ku takojmë dëshmitarë e mësues lutjeje,  të cilët është e mira t’i kujtojmë:

“Petku i fesë nuk është i kollarisur, zhvillohet me ne: nuk është i ngrirë, rritet me ne, edhe përmes çasteve të rënies e të ringritjes: madje duhet ta kemi të qartë se pa çaste krize nuk mund të rritemi, sepse kriza të bën të rritesh. Është udhë për t’u rritur, hyrja në krizë. E frymëmarrja e fesë është lutja: rritemi në fe, aq sa mësohemi për t’u lutur. Pas disa çasteve të jetës, vërejmë se pa fenë nuk do të kishim mundur të bënim asgjë e se feja ishte forca jonë”.

E Papa nuk na kujton sot vetëm vlerën e lutjes vetjake, por edhe të asaj të njerëzve, të cilëve u kërkojmë të luten për ne”- nënvizoi.

Prej këndej, në Kishë lulëzojnë vazhdimisht grupe, që i kushtohen lutjes. Kështu organizohet edhe jeta e famullisë: me kohët e liturgjisë e me lutjen komunitare. Ka, pastaj, të krishterë, që e bëjnë lutjen veprimtari kryesore të ditës së tyre. Në kishë - vijoi të kujtojë Papa - ka murgjër e njerëz të kushtuar tërësisht Zotit, “që shpesh bëhen qendra rrezatimi shpirtëror”, ‘oaza të vogla’, qeliza jetike jo vetëm për indin kishtar, por për vetë shoqërinë”.

E mendimi i Françeskut shkoi sakaq tek “roli që pati monakizmi në lindjen dhe rritjen e qytetërimit evropian, edhe në kultura të tjera, sepse “lutja dhe puna në bashkësi  e çon përpara botën”.     

14 prill 2021, 12:22

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >