Viaggio Apostolico in Irlanda - IX Incontro Mondiale delle Famiglie a Dublino 2018.08.25 Viaggio Apostolico in Irlanda - IX Incontro Mondiale delle Famiglie a Dublino 2018.08.25

Botohet lutja për Takimin X botëror të familjeve

Dashuria familjare, thirrje e udhë shenjtërie: paraqitet lutja për Takimin X botëror të familjeve, programuar për vitin 2022. Në fjalët e zëvendës- sekretares të Dikastetrit për Laikët, Familjen e Jetën, Gabriella Gambini, theksohet rëndësia e zbulimit të vlerës së bashkimit që, në rrethana e vende të ndryshme, rrezaton të njëjtën dritë në marrëdhëniet familjare e prin në krizën e vështirë aktuale.

R.SH. - Vatikan

Dioqeza e Romës dhe Diskateri për Laikët, Familjen dhe Jetën, paraqitën dje lutjen zyrtare për Takimin X Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Romë nga 22 deri më 26 qershor 2022. Është gati edhe hashtagu zyrtar:#WMOF2022. Kardinali Kevin Joseph Farell, prefekt i Dikasterit kujton: “Të lutesh është mënyrë për të bërë hapin e parë drejt Vitit Amoris laetitia, ngjarjes së madhe të Romës. Shumë familje e shumë bashkësi  prisnin prej kohe ta nisnin shtegtimin, së paku shpirtëror.

Lutja do t’i shoqërojë e do t’i ndihmojë për ta bërë të vetin mesazhin e takimit”. E lutja do të jetë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë udhës së përgatitjes, do t’u prijë punimeve e do t’i frymëzojë reflektimet për të dalluar, në dritën e fesë, sfidat e reja, krijuar nga emergjenca pandemike, që duhen përballuar nga bashkësitë kishtare në punën me familjen. Këtë thekson kardinali-mëkëmbës Angelo De Donatis, i cili i fton të gjithë “të përgatiten për këtë ngjarje hiri, që do të mbahet në Romë, duke ia drejtuar Zotit këtë lutje në gjirin e familjes e edhe në bashkësinë famullitare e dioqezane”.

Lutja për takimin X Botëror të Familjeve 

O Atë i Shenjtë Zot, jemi këtu para teje për të të lavdëruar e për të të falënderuar

për dhuratën e madhe të familjeve të kushtuara në sakramentin e martesës.

Bëj, të lutemi ta rizbulojnë çdo ditë hirin, që morën e, si Kisha të vogla shtëpiake,

të dinë ta dëshmojnë praninë Tënde e dashurinë me të cilën e do Krishti Kishën e vet!

Të lutemi për familjet e trazuara nga vëshirësitë e vuajtjet,

nga sëmundjet a shqetësimet, që vetëm Ti i njeh;

ndihmoji e premto të jenë të vetëdijshme për udhën e shenjtërimit, në të cilën i thërret,

që të mund ta provojnë mëshirën tënde të pambaruar

e të gjejnë udhë të drejta për ta ruajtur dashurinë!

Të lutemi për fëmijët dhe të rinjtë, që të mund të të takojnë e t’i përgjigjen me gëzim thirrjes së menduar nga Ti, për ta!

Bëji prindërit e gjyshërit simbol të atësisë e amësisë së Zotit në kujdesin për bijtë, që ti ua beson në korp e në shpirt,

e të përvojës së vëllazërimit, që familja mund t’ia dhurojë botës!

Premto, o Zot, që çdo familje të mund ta jetojë thirrjen e vet për shenjtëri në Kishë,

si thirrje për t’u bërë protagoniste e ungjillëzimit

në shërbim të jetës e të paqes,

në bashkim me meshtarët e me të gjithë njerëzit.

Bekoje Takimin Botëror të Familjeve! Amen

Dhurata e familjes

Përmes lutjes, kushtuar pikërisht Takimit X Botëror të Familjeve, falënderohet Zoti për dhuratën e madhe të familjes, vatër e zgjedhur për marrëdhëniet e dashurisë e jo më pak, të lutjes, siç e dëshmon edhe përvoja e pandemisë. Për tekstin dhe udhën, që duhet bërë në nivel familjar e kishtar e që marrin shtytjen nga Tema e zgjedhur nga Papa Françesku  për takimin: “Dashuria familjare: thirrje e udhë për shenjtëri”, folëm me Gabriella Gambinon, zëvendës-sekretare për Familjen e Dikasterit për Laikët, Familjen, Jetën.

Doktoresha Gambino kujton se lutja u mendua si mjet baritor: mund të thuhet që tani në famulli, në bashkësi, në shtëpi për përgatitjen e festës ndërkombëtare të vitit të ardhshëm, që u shty për shkak të pandemisë. E pikërisht nga dashuria e jetuar në familje lind thirrja e çdo  biri - nënvizon -  e dashuria e shijuar ndërmjet mureve shtëpiake shoqëron hapat e para të jetës e të shenjtërisë. Binomi familje-thirrje, njëherësh me familje-shenjtëri, tregon - shpjegon - sesi marrëdhëniet familjare kanë rëndësi bazale në lindjen e dashurisë. Në një epokë të karakterizuar nga vështirësi e prova, ku jeton familja, duke u bërë ballë sfidave e  trazirave - pohon akoma - ndihmon më shumë se kurrë për ta jetuar plotësisht sakramentin e martesës.

Thirrja për shenjtëri u drejtohet të gjithëve

Çdo anëtar i familjes: fëmijë, i ri, prind, gjysh - kujton Gambino - është i thirrur ta zbulojë në shpirtin e vet thirrjen për shenjtëri. Jeta familjare  mund të bëhet shprehje e fytyrës më të bukur të Kishës! E Gambino  e kujton këtë duke sjellë shembullin e prindërve të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë e të bashkëshortëve Beltrame Quattrocchi, që iu përgjigjen shenjtërisht thirrjes për t’i jetuar me besim provat e dhimbshme të jetës. Udha nis në familje, por pa harruar se vijon  në Kishë, me rolin tejet të rëndësishëm  të meshtarëve, pranë laikëve.

23 prill 2021, 12:33