Udha e Kryqit Udha e Kryqit 

Udha e Kryqit e Papës Françesku, me sytë dhe zemrën e më të vegjëlve

Gjatë ritit, që do të kremtohet në Sheshin e Shën Pjetrit të Premten e Madhe 2021, Papën do ta shoqërojnë 20 fëmijë e të rinj. Tekstet e 14 stacioneve u përgatiten nga të rinjtë e katekizmit të famullisë romake të Shenjorëve Martirë të Ugandës dhe nga Skautët e “Foligno I”, ndërsa vizatimet që do t’i ilustrojnë etapat e ndryshme, janë fryt i punës së dy shtëpive-familje romake.

R. SH. - Vatikan

Njëzet fëmijë e të rinj të Romës e të Foligno-s, do të jenë pranë Papës Françesku në Udhën e sivjetme të Kryqit, por shumë më tepër janë protagonistët e përgatitjes së meditimeve, të cilat katër prej tyre do t’i lexojnë në Sheshin e  Shën Pjetrit, pothuajse të shkretë, si në vitin 2020, në kulmin e lockdown, kur mbi Romën e Botën u dynd, me gjithë tmerrin e vet, vdekja, që kish një emër të ri, të padëgjuar: Covid19.  40 të tjerë do të jenë publiku, i pranishëm në zonën e  tremes  së Bazilikës vatikanase. Janë përfaqësues të 500 të rinjve të katekizmit, të Kungimit të parë e të Krezmimit, të famullisë romake, që mban emrin e Martirëve të Ugandës: 145 skaut, nga grupet skaut Agesci Foligno I”, 30 fëmijë e të rinj të shtëpisë-familje romake “Streha Casal Fattoria” si dhe tetë të vegjël, ndërmjet 3 e 8 vjetëve, të shtëpisë “Nëna e Dashurisë Hyjnore”. Të gjithë, protagonistë të përgatitjes së teksteve e të vizatimeve, që do të na çojnë përsëri, Natën e së Premtes së Madhe,  mbi Mal të Kalvarit, në majën e Rrashtës, për të rijetuar mundimet dhe vdekjen e Krishtit. Në pritje të së Dielës së Ngjalljes!

Vuajtja e Jezusit, duke parë Nënën poshtë kryqit

Më prekën thellë reflektimet e tyre, kushtuar takimit të Jezusit me Nënën. Çast që s’lë kënd pa prekur - kështu shprehet don Luigi D’Errico, famullitar i Kishës së lagjes Ardeatine. “Njëri kishte shkruar: ‘Sa shumë do të ketë vuajtur Jezusi mbi kryq duke parë nënën, poshtë tij,  me lot në sy’. Reagim i natyrshëm, sepse të gjithë kanë lidhje të ngushta me prindërit e tyre. E imagjinata i çon në Golgotë, ku shikojnë veten mërthyer mbi kryq e atje poshtë, nënën e tyre të mbytur në lot”.

Frika nga braktisja, si Jezusi

Në  këtë kohë pandemie - shton don D’Errico, që është edhe referues i Vikariatit të Romës për baritorinë e njerëzve me kufizime fizike e mendore - “të rinjtë tanë të katekizmit u prekën shumë nga një frikë, që  vijon t’i rrënqethë të gjithë, në këtë kohë krejt të panjohur më parë: nga frika e braktisjes mbërthyer mbi një kryq, që ka formën e krevatit, ku ti vuan e vdes pa nënën tek koka… Frikë që i rrënqethi duke shkruar, në Udhën e Kryqit, fjalët “Jezusi mbeti vetëm. U braktis. Deri nga miqtë më të ngushtë. Pranë tij në ato çaste tragjike ishte vetëm e ëma. E pak të tjerë”.

Duke jetuar këto ditë ndërmjet  mësimeve të shkollës në distancë e takimeve të katekizmit në “Zoom” - tregon dom Luigi - për ata ka shumë rëndësi  pjesëmarrja në këtë përgatitje, që do t’i çojë, të Premten e Madhe në Tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, ku do të drejtohen sytë e mbarë botës. Që Krishti të mos ndjehet përsëri vetëm!

Ndërmjet të rinjve, 4 lexues e tetë mbartës të kryqit

Pranë katër lexuesve, një për çdo realitet edukativ, me Papën  - shpjegon don D’Errico -  do të jenë tetë të rinj mbartës të kryqit e tetë, që do të mbajnë në duar pishtarët, gjatë Udhës së Mundimeve, me 14 stacionet e saj tradicionale që, ashtu si në vitin 2020, do të rrotullohet rreth obeliskut të Sheshit të Shën Pjetrit. Sivjet, pra, së bashku me Françeskun, nuk do të ecin mjekët e infermierët, në vijë të parë të frontit të luftës kundër Covid-19, si dhe një ish i burgosur, një kapelan burgu e disa roje, por fëmijët e katekizmit të don Luigjit, disa skaut nga Umbria e fëmijë e të rinj të dy shtëpive romake. Do ta shoqërojnë Krishtin deri në fund të fundit, këtë natë të trishtë….

Skautët: meditimet tona, punë korale

“Meditimet tona për Udhën e Kryqit u krijuan me një aksion koral – shpjegon Alessandro Bitocchi, kreu i skautëve të “Foligno I” -  secili nga  ne la  në to një pjesë nga zemra e vet”. Në shtëpinë-familje “Streha Casal Fattoria”, e angazhuar për t'i shpëtuar fëmijët e të rinjtë  nga braktisja, u realizuan “vizatime shumë të ndjera, kushtuar fatkeqësive, që rëndojnë si kryqi, mbi shpinën e njerëzve të kohëve tona”.  E çka i preku më fort fëmijët, ishte takimi i Krishtit me Nënën, e edhe ndihma e Kireneut. U realizuan, kështu, vizatime shumë interesante nga ana e fëmijëve, që shpreheshin për herë të parë për këto tema. E jo me fjalë, por me figura!.

Frazat, mbi vizatimet e fëmijëve të Dashurisë Hyjnore

“Fëmijët më të mëdhenj, shtatë-tetë vjeçarë, u shtuan vizatimeve disa fraza - tregon, së fundi, motra Gabriela Pistilli e Kongregatës së Bijave të Dashurisë Hyjnore,  drejtuese e shtëpisë-familje “Nëna e dashurisë Hyjnore” -  shkruajnë, ndërmjet tjerash, se prindërit duhet ta duan fort njëri-tjetrin, pa u kacafytur kurrë. E një çupulinë kërkon, gati-gati në formë lutjeje, që të mos i mungojnë kurrë sytë e nënës!

26 mars 2021, 12:40