Kërko

Vatican News

The Economy of Francesco: në Asizi, fillon më 3 mars shkolla e formimit

Nis me dymbëdhjetë mësime dhe katër seminare interaktive mbi temën e “të mirave të përbashkëta”, “The Economy of Francesco School”, kurs online për formimin e nivelit të lartë, ku do të marrin pjesë rreth 700 vetë - studentë, ekonomistë, sipërmarrës nga 55 vende të botës. Në qendër, parimi i varfërisë së shën Françeskut të Asizit: përdorim pa pronësim

R.SH. - Vatikan

“Të reflektohet mbi temat e Ekonomisë së Françeskut, duke filluar nga të mirat e përbashkëta”. Ky është qëllimi i “The Economy of Francesco School”, kurs online për formimin e nivelit të lartë, promovuar nga komiteti shkencor i EoF, duke filluar nga 3 marsi. Nis me dymbëdhjetë mësime dhe katër seminare interaktive mbi temën e “të mirave të përbashkëta”: nga paqja tek etika e kujdesit, nga matjet shumëpërmasore të varfërisë tek shëndeti publik, nga të ashtuquajturat “big data” deri tek financa etike. Ndërmjet pedagogëve, edhe patriarku i Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, historiani italian Giacomo Todeschini dhe ekonomistja amerikane Julie Nelson.

Programi i plotë mund të konsultohet në faqen e internetit “francescoeconomy.org”. Për të marrë pjesë në leksionet virtuale, janë regjistruar më se 700 vetë - studentë, ekonomistë, sipërmarrës nga rreth 55 vende, ndër të cilat Meksika, Italia, Nigeria, Filipinet, Portugalia, SHBA-të, Argjentina, Brazili, Kuba, Spanja, Kameruni, Kili, Peruja, Afrika e Jugut, India, Kenia, Korea.

“Ekonomia e Françeskut është sot lëvizja më e madhe e ekonomistëve dhe e sipërmarrësve të rinj nga e gjithë bota: të rinj, të impenjuar për një ekonomi të re, në lartësinë e kohëve të reja”, komenton Luigino Bruni, koordinator shkencor i EoF (Economy of Francesco), i cili do të mbajë leksionin e parë më 3 mars. “Me mijëvjeçarin e tretë, kemi hyrë përfundimisht në epokën e së mirës së përbashkët – vijon ai. - Nëse vazhdojmë të ndihemi pronarë dhe zotër të Tokës, të atmosferës, të oqeaneve, do të vazhdojmë veç t’i shkatërrojmë. Shpejt, duhet të mësojmë t’i përdorim këto të mira pa u konsideruar zotëruesit e tyre, duhet të mësojmë artin e dhurimit falas, parimin e varfërisë së shën Françeskut të Asizit: përdorim pa pronësim”.

01 mars 2021, 11:40