Papa në mes të migrantëve e refugjatëve Papa në mes të migrantëve e refugjatëve 

Tetë vjet papnie: urime Françeskut, nga mbarë bota

Nga Kishat, në të katër anër botës, arrijnë sot në Vatikan urimet më të përzemërta, plot mirënjohje e nderim për Papën dhe shërbesën e tij. Celam shkruan: “na mësoi të ecim me hapin e një Kishe gjithnjë më samaritane, më përdëllyese, më sinodale, më pjesëmarrëse e, sidomos, më në shërbim të popullit të Zotit”.

R. SH. - Vatikan

“Tetë vjet papnie, të jetuara me gëzimin e Ungjillit”: kështu shkruajnë ipeshkvijtë e Celam, Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan, me rastin e përvjetorit të sotëm. Tetë vjet më parë Françesku dukej në Lozhën e Bazilikës së Vatikanit e i paraqitej botës si Pasardhësi i Shën Pjetrit. Rast, ky, për të arritur në Vatikan mesazhe urimi nga mbarë bota. Në urimet e ipeshkvijve të Celam shprehet mirënjohja më e thellë “për inkurajimin që të bëhen dishepuj misionarë”, për “Kishën në dalje” e për heqjen dorë nga privilegjet, me qëllim që të arrihet “në periferitë gjeografike e ekzistenciale, siç bëri Jezusi i Nazaretit”. E dimë - shkruajnë - se në mes të pabarazive e padrejtësive që pëson Kontinenti ynë, ne, si Ecclesia semper reformanda, “duhet të vijojmë thirrjen e përhershme për pendesë, për të mundur t’i realizojmë, kështu, ëndrrat që na dhuruat në Querida Amazonia, për të ecur me hapin e një Kishe përherë më samaritane, më mëshirëmadhe, më sinodale, më pjesëmarrëse e, sidomos, gjithnjë më në shërbim të popullit të Zotit”.

Një Kishë - vijojnë - “gjithnjë gati për të shëruar, si spital fushor, plagët e migrantëve, të të shpërngulurve, të dënuarve, viktimave të trafikut e të vëshirësive të jetës, atyre të cilëve u mohohet e drejta themelore për mbrojtjen e shëndetit, të punës, të strehës, e të arsimit”. Si ipeshkëv i Romës - nënvizojnë prelatët - “na fton të kemi kujdes të veçantë për të rinjtë e pleqtë, gratë e fëmijët, pakicat autoktone e viktimat e një ekonomie, që vret”. Së fundi, ndjenja e mirënjohjes, që u tregoi rrugën “për ta jetuar Ungjillin me gëzimin dhe thjeshtësinë e zemrës”.

Konferenca ipeshkvore italiane: për dore, drejt Ungjllëzimit të ri

“Ju falënderojmë që na bëtë të kuptojmë se të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin, se askush nuk është ishull i vetmuar, se ardhmërinë mund ta ndërtojmë vetëm së bashku. Ju urojmë për dhuratën e fjalës suaj, të pasuruar me nisma, që orientojnë udhën e Kishave tona drejt një etape të re të ungjillëzimit”. Ky urimi i Konferencës ipeshkvore italiane.

Vikari i Romës: një zemër ati

“Mirënjohje të thellë e ndjenja nderimi e devocioni bijnor për Papën Françesku që, në këto vite, i priu Kishës sonë me zemër Ati”-  ky, mesazhi  i dërguar nga kardinali Angelo De Donatis, mëkëmbës i Papës për dioqezën e Romës. Hirësia e  Tij,  duke u bërë zëdhënës i ndjenjave të përbashkëta, i shpreh Françeskut mirënjohjen “sepse me mësimin dhe  dëshminë e jetës së tij, i bëri të rizbulojnë gëzimin e ëmbël e ngushëllues  të ungjillëzimit”.

Dhuratat e një Kishe me fytyrë femërore

Në një mesazh të gjatë, nënshkruar nga Maria Lia Zervino, Bashkimi Botëror i Organizatave Femërore Katolike dhe Shoqata e Virgjërave të kushtuara Servidoras, e falënderojnë Françeskun për vënien, siç thonë argjentinasit toda la carne al asador – domethënë të gjithë vetvetes, me mish e me shpirt, në shërbim të Kishës e të mbarë njerëzimit. Në tekst kujtohen të gjitha temat e forta të shërbesës së Papës: familja, të varfërit, kujdesi për krijimin, impenjimi në frontin e abuzimeve të kryera nga Kisha, kujdesi për gratë e shfrytëzuara e të shndërruara në skllave”.

Nga Argjentina, një përmbledhje mesazhesh

Një përmbledhje videosh, fotosh e mesazhesh drejtuar Papës Françesku me rastin e tetëvjetorit të Papnisë. Kjo, dhurata e nisur nga Argjentina, toka ku lindi Bergoglio, realizuar nga rrjeti “Generación Francisco”. Françesku - lexohet në notën e organizatorëve - u kërkon të gjithë njerëzve, besimtarë e jo, të luten për të, duke u impenjuar ta bëjë edhe ai këtë, për të gjithë. E shprehim dashurinë për Papën duke u lutur e duke i uruar ta realizojë me sukses detyrën e tij të jashtëzakonshme në favor të mbarë botës”.

13 mars 2021, 14:52