Tetë vjet me Papën Françesku: gëzimi i Ungjillit për mbarë botën

Më 13 mars 2013 ulej në Fronin e Shën Pjetrit Jorge Mario Bergoglio: i pari Papë jezuit e amerikan e i pari me emrin Françesk. Kaluan tetë vjet që asokohe. Tetë vjet Papnie plot me nisma e reforma, për t’i nxitur të krishterët t’ia çojnë dashurinë e Krishtit mbarë njerëzimit.

R. SH. - Vatikan

Afërsi, sinodalitet e hov misionar: këto, synimet kryesore të Papnisë së Françeskut, që u zgjodh tetë vjet më parë në fronin e Shën Pjetrit. Perspektiva e Papnisë së tij niset nga poshtë, me vëmendje drejtuar nga “periferitë” ekzistenciale e gjeografike. Me ftesën për t’ia rikthyer Ungjillit “freskinë e zanafillës”, u kërkon besimtarëve  zell të ri e gjallëri të re,  që dashuria e Krishtit të arrijë me të vërtetë në shpirtin e të gjithëve. Në çdo skutë e çdo skaj të botës. Papa Bergoglio e do Kishën “në dalje”, me “portat e hapura”, “spital fushor”, që nuk ka frikë nga “revolucioni i dashurisë”, e as “nga mrekullia e mirësisë”.

Evangelii gaudium, tekst programatik i Papnisë

Papa i parë me emrin “Françesk”, jezuiti i parë nga Amerika Latine, e edhe i pari Papë i zgjedhur në kohët moderne pas dorëheqjes së pararendësit, Bergoglio e nisi papninë nën shenjën e risive, ndërmjet të cilave, e para ishte Mesha e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, ku - risi tjetër edhe kjo - Ati i Shenjtë vendosi të banojë. Që në homelitë e para, me stilin e famullitarit, filloi një dialog të drejtpërdrejtë me besimtarët, bazuar mbi Fjalën e Zotit. E, më 2013-tën, botoi edhe Nxitjen Apostolike “Evangelii Gaudium”, “manifest programatik” i Papnisë së re, përmes së cilës Françesku bën thirrje për një ungjillëzim të ri, të karakterizuar nga gëzimi, por edhe nga reformimi i strukturave kishtare. Për këtë, më 2013-tën Papa themeloi një “Këshill Kardinajsh”, me detyrën të studiojë projektin e rishikimit të Kushtetutës Apostolike “Pastor bonus” të vitit 1988 mbi Kurien Romake.

Familja

Më 2014-tën në qendër të vëmendjes së Papës Françesku ishte familja, së cilës i kushtoi Sinodin e jashtëzakonshëm. Për Françekun, shoqëria individualistike bashkëkohore e sulmon rëndë familjen, duke vënë në rrezik të drejtat e fëmijëve e të prindërve, posaçërisht në aspektin e edukimit moral e fetar. Në këto kushte i kushton familjes Nxitjen Apostolike “Amoris laetitia”, botuar më 8 prill 2016, bazuar mbi martesën e pazgjidhshme të burrit me gruan, pa harruar, me realizëm, edhe vështirësitë që kalojnë disa njerëz, si të divorcuarit, duke i nxitur barinjtë  të jenë shumë pranë tyre. Më 2014 themelon Komisionin për Mbrojtjen e të Miturve, për t’i nxitur Kishat t’u kushtojnë kujdes të veçantë fëmijëve e të rinjve.  Në frontin diplomatik, kujtojmë dy nisma të Papës: “Thirrjen për paqe në Tokën Shenjte”, më 8 qershor, në Kopshtet e Vatikanit, së bashku me presidentët e Izraelit e të Palestinës dhe lidhjen e marrëdhënieve diplomatike  të SHBA-ve me Kubën.

Mbrojtja e gjithësisë

2015-ta u përqendrua tek mbrojtja e gjithësisë: më 24 maj Françesku nënshkroi Enciklikën “Laudato si’” kushtuar shtëpisë së përbashkët, boshti i së cilës është ekologjia e gjithanshme, shqetësimi i njëkohshëm për natyrën, të varfërit e shoqërinë. Në fushën e reformave, vijon puna për Kushtetutën e re Apostolike të Kuries Romake, me titullin e përkohshëm “Predikojeni Ungjillin!” .

Ndërkaq në horizont dyndet reja e zezë e “Vatiliks 2”, me botimin e dokumenteve të rezervuara të Selisë së Shenjtë. Papa e quan krim, sepse krim është të vjedhësh dokumente. Ashtu si çdo gjë që nuk të përket! Si i kalon Gjykatës së Vatikanit, gjykimi mbyllet në korrik 2016 me dy dënime e dy pushime të çështjes penale.

Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës

Mëshira është, sigurisht, filli i kuq i vitit 2016: është Viti i Jubileut të jashtëzakonshëm, shpallur nga Françesku, me temë: “Jini të mëshirshëm, si Ati”. Kujdesi për të fundmit gjen shprehjen e vet në “Të Premtet e mëshirës”, domethënë, në vizitat private të Papës ndër skajet e skutat e të varfërve. Hapen Portat shenjte në çdo vend të botës. Vetë Françesku hap Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit. E më pas, hap edhe një tjetër, atë të një Kishe të largët: Portën shenjte të katedrales së Bangui, në Republikën Qendrafrikane, ku ishte shtegtar apostolik në nëntor 2015. Ndërsa më 2016 qe protagonist i një ngjarjeje epokale:  më 12 shkurt Papa takohet në Kubë me Patrikun e Moskës, Kirill, me të cilin nënshkruan një deklaratë të përbashkët. Zotohen, përmes saj, t’u përgjigjen sfidave të botës së sotme, ndërmjet të cilave, t’i japin fund persekutimit të të krishterëve e luftërave, të promovojnë dialogun ndërfetar, t’i ndihmojnë emigrantët e refugjatët, të mbrojnë jetën dhe familjen.

Dita botërore e të varfërve

Edhe më 2017-tën spikat një akt që ka të bëjë me diplomacinë e paqes, për të cilën Françesku kujdeset në mënyrë të veçantë. Më 20 shtator 2017, pranë Kombeve të Bashkuara të New Yorkut, Selia e Shenjtë është një nga vendet e para që nënshkruan e ratifikon “Traktatin për ndalimin  e armëve bërthamore”. Ndërsa në frontin baritor, në këtë vit kremtohet “Dita botërore e të varfërve”  të cilët - siguron Papa - janë “Pasaporta jonë për në Parajsë”.

Marrëveshja e me Kinën

Dy janë gjarjet më të rëndësishme papnore të 2018-tës: në nivel baritor, Sinodi kushtuar të rinjve, të cilëve Papa u kërkon “të dëgjojnë, të bëhen të afërt, të dëshmojnë, sepse feja është takim, jo teori”. Në nivel kishtar, pastaj, Nxitja apostolike pas-sinodale “Christus vivit”, nënshkruar më 2019-tën. Më 2018-tën, e pikërisht më 22 shtator, në Pekin nënshkruhet edhe Marrëveshja e Selisë së Shenjtë me Republikën Popullore të Kinës lidhur me emërimin e ipeshkvijve. Më 2020-tën, pastaj, përsëritet për dy vjet.

Lufta kundër shpërdorimeve

Më 2018-tën hapet një faqe tejet e hidhur për Kishën katolike: ajo e abuzimeve kryer nga anëtarë të klerit: çështja lidhur me kardinalin George Pell, proceduar në Australi e pastaj shfajësuar, pas 13 muajsh kaluar padrejtësisht në burg, si dhe ajo e meshtarit Ferdinando Karadima, që u shkishërua nga Papa. Në gusht, pastaj, në Irlandë, ku ishte në shtegtim apostolik, Françesku mbajti një “Akt pendestar” tronditës, përmes të cilit kërkoi falje në emër të Kishës. Me të njëjtën frymë e përballoi edhe “Çështjen McCarrick”, lidhur me kardinalin përgjegjës për shpërdorime seksuale mbi të miturit, përjashtuar, pastaj, nga gjendja klerikale. Situata, këto, të cilave Selia e Shenjtë iu përgjigj me një “Raport”, hartuar nga Sekretaria e Shtetit, botuar më 10 nëntor 2020. Po lufta kundër shpërdorimeve vijoi edhe në vitin  2019,  me një takim të rangut të lartë në Vatikan, kushtuar mbrojtjes së të miturve. Nga ky takim doli Motu proprio “Vos estis lux mundi” (Ju jeni drita e botës) që i detyron klerikët dhe rregulltarët t’i sinjalizojnë abuzimet, ata vetë e në lidhje me publikun. Në dhjetor, me një Reskript, Papa shfuqizoi edhe sekretin papnor për rastet e shpërdorimeve seksuale.

Vëllazërimi, paqja e uniteti i të krishterëve

Viti 2019 shquhet për tri gjeste të mëdha: dokumenti “Vëllazërimi Njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën”, nënshkruar nga Papa dhe Imami i Madh i Al-Azhar, Ahmad al-Tayyib, në Abu Dabi, më 4 shkurt dhe organizimi i ushtrimeve shpirtërore në Vatikan për liderët civilë e kishtarë të Sudanit Jugor: takimi përfundoi me një gjest të paparë e të padëgjuar: Papa gjunjëzohet u puth këmbët presidentit të Republikës së Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit dhe zëvendës-presidentëve. Ndërsa më 29 qershor Françesku i dhuron një delegacioni të Patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës disa fragmente të relikeve të Shën Pjetrit “si vërtetim i udhës së dy Kishave për afrim”.

Reformat në fushën ekonomike e financiare

Papa Françesku, me një Kirograf, botuar në gusht 2019, përtëriu, ad experimentum, për dy vjet, Statutet e Institutit për Veprat e Fesë (Istituto per le Opere di Religione - IOR), miratuar nga Gjon Pali II i cili,  për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesave të kohës, i pati dhënë një formë të re IOR-it, themeluar më 1942 nga Piu XII. Vetë Papa Pacelli pati bërë modifikimet e para, në vitin 1944. Qëllimi i Institutit mbetet i pandryshuar, me detyrën “të parashikojë ruajtjen dhe mbarështimin e pasurive të patundshme, që i kalojnë ose i besohen të njëjtit Institut përmes personave fizike ose juridike, të paracaktuara për veprat e fesë ose të bamirësisë”.

Në Kirografin e Papës nënvizohet se e reja, që bie më shumë në sy, është revizori i jashtëm, i cili mund të jetë person fizik ose shoqëri, për verifikimin e  bilanceve, sipas standardeve ndërkombëtare. Pastaj Kirografi hyn në hollësira të problemeve të tjera e të organizimit të brendshëm. Në Kirografin papnor kujtohen edhe investimet në favor të Vendeve të varfëra si dhe klientët e IOR që, sipas Raportit të vitit 2018, janë 14. 953, 53% e të cilëve, urdhëra rregulltare. Organi, i cili garanton përkimin e Vatikanit me standardet financiare ndërkombëtare, nuk do të njihej më si Autoriteti i Inteligjencës Financiare, ose AIF, por do të quhej Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Informacionit, ose ASIF.

Lutja në kohën e pandemisë

Më 27 mars të vitit të kaluar, në çastin më të dhimbshëm të pandemisë së Covid-19, pamë çka na mbeti, pastaj, e pashlyeshme në mendje e në zemër: në Sheshin e Shën Pjetrit pamë Papën Françesku vetëm, në terr, nën shiun  e akullt të asaj pranvere të pazakontë, ndërsa lutej para Krishtit të Kryqëzuar të Shën Marcelinit dhe figures së Salus Populi Romani, që kishte ardhë nga Bazilika - në Shesh, për t’i shpëtuar përsëri “Popujt e saj”, si dikur, kur pati dëbuar nga bota murtajën shkatrrimtare.  

Papa Françesku është i lidhur me Zojën e Dëborës deri në atë pikë, sa t’i nisë e t’i përfundojë në bazilikën e Saj shtegtimet e tij nëpër botë, me një tufë lule në dorë, një falënderim e një lutje zemre, pas takimit me popujt e ndryshëm të rruzullit.

Shtegtimet apostolike me sytë drejtuar nga periferitë

Në fund, Shtegtimi historik në Irak, i pari i një Pape në këtë vend, që përfundoi këto ditë. Me të, Pasardhësi Pjetrit, pas 15 muajsh pushimi, për shkak të pandemisë, rifilloi shtegtimet nëpër botë, për të çuar kudo vëllazërimin, shpresën, dritën e Krishtit. E ky shtegtim i fundit, na kujton edhe se të parin Papa e pati bërë më 8 korrik 2013, në Lampeduzë, në ishullin e zbarkimit të njerëzve të dëshpëruar, ku ndezi reflektorët globalë mbi dramën e migrimit.

Disa të dhëna statistikore

Deri tani Françesku ka bërë 25 shtegtime në Itali e 33 jashtë Gadishullit. Ndërsa shifrat e Papnisë së Tij flasin për më se 340 audienca të përgjithshme e 450 Lutje të Engjëllit dhe të Mbretëreshës Qiellore; për 790 homeli në Shtëpinë e Shën Martës e shpalljen e 900 Shenjtorëve të rinj, duke përfshirë edhe 800 martirët e Otrantos. Françesku ka mbajtur edhe 7 Koncistore, duke krijuar 101 Kardinaj, e ka shpallur disa Vite të posaçme, si ato kushtuar Jetës rregulltare (2015-2016), Shën Jozefit (2020–2021) e  Famiglia-Amoris Laetitia (2021-2022). Të shumta edhe “Ditët” e themeluara nga Françesku:  e fundmja në rend kronologjik, Dita botërore e gjyshërve dhe e të moshuarve, që do të kremtohet për herë të parë në korrik 2021, pranë festës së Shenjtorëve Joakini e Ana, “gjyshërit e Jezusit”!

13 mars 2021, 09:33