Të shpërngulur, për shkak të klimës Të shpërngulur, për shkak të klimës

Papa: të priten e të mbrohen ata, që ikin nga pasojat e klimës

Bota duhet të kujdeset për ata, që largohen nga trojet e tyre, si rezultat i krizave të shkaktuara nga klima. Papa Françesku kërkon mbrojtjen e këtyre të shpërngulurve, në parathënien e një vëllimi të paraqitur nga Seksioni i Migrantëve dhe i Refugjatëve në Dikasterin për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor

R.SH. - Vatikan

Rreth 30 milion njerëz në botë detyrohen të lënë shtëpitë e tyre, për shkak të fatkeqësive natyrore, gjë që u jep pasojave të ndryshimit të klimës një fytyrë njerëzore, duke e impenjuar Kishën në ndihmën e atyre, të cilëve u duhet të braktisin tokën dhe shtëpitë për të mbijetuar. Janë sidomos banorët e periferive ekzistenciale të botës. Në parathënien e librit “Udhëzime baritore për të shpërngulurit klimatikë”, paraqitur në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Ati i Shenjtë kërkon që këta njerëz të mos na kalojnë anash pa u parë, sepse, për ta thënë me shprehjen e famshme shekspiriane, “të shohësh a të mos shohësh, kjo është çështja”, që përcakton fillimin e ndërhyrjes për përmirësimin e jetesës së tyre.

Popullsi të detyruara të migrojnë

Për të zgjidhur problemet e shkaktuara nga ndryshimet e klimës, shkruan Papa, duhet të bëhemi të vetëdijshëm për gjendjen, duke i parë realisht “popullsitë e shpërngulura nga trojet e tyre si rezultat i katastrofave natyrore klimatike dhe të detyruara të migrojnë, sepse ambienti në të cilin jetojnë nuk është më i banueshëm”. Ndryshimi i klimës, arsyeton Ati i Shenjtë, ndihet në gjithë botën, por “vështirësitë më të mëdha i kalojnë ata, që kanë kontribuar më pak në këtë ndryshim”.

Duhen pritur, duhen mbrojtur e duhen integruar të ikurit

“Shumë – lexohet në parathënie – u janë nënshtruar kushteve, që e bëjnë të pamundur mbijetesën. Të detyruar të braktisin fushat dhe brigjet, shtëpitë dhe fshatrat, ata largohen pa u kthyer pas, duke marrë me vete vetëm disa kujtime dhe pak sende, fragmente të kulturës dhe të traditës së tyre”. Ati i Shenjtë kërkon që të mirëpriten, të mbrohen, të promovohen dhe të integrohen “ata, të cilët detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, për shkak të krizës së klimës”, pasi “mikpritja, mbrojtja, promovimi dhe integrimi janë të gjitha fjalë”, që përshkruajnë më së miri veprimet për t’u ndërmarrë.

Vëllimi “Udhëzime Baritore për të Shpërngulurit Klimatikë”, vazhdon Françesku, na nxit ta “shohim në sy tragjedinë e çrrënjosjes së zgjatur”, na fton “të bëhemi të vetëdijshëm për indiferencën e shoqërisë dhe të qeverive para kësaj tragjedie” dhe u kërkon të gjithëve, përfshirë Kishën, të veprojnë. Njëkohësisht, tregon edhe mënyrën për ta bërë këtë.

31 mars 2021, 10:30