2021.03.05 il quadro della Madonna di Loreto che accompagna Papa Francesco nel suo viaggio apostolico in Iraq da 5 al 8 marzo 2021 Papa in Iraq 2021.03.05 il quadro della Madonna di Loreto che accompagna Papa Francesco nel suo viaggio apostolico in Iraq da 5 al 8 marzo 2021 Papa in Iraq

Papa, shtegtar në Irak bashkë me Zojën e Loretos

Papa Françesku shoqërohet në udhëtimin e tij të 33-të ndërkombëtar nga fugurja e Zojës së Loretos, Pajtore e aviatorëve. Ftesë për ta mbajtur në zemër Virgjërën Shenjte, sepse është Zoja që na ndihmon për të qenë më njerëzorë e më vëllezër

R.SH. - Vatikan

Para saj, më 25 mars 2019, në Shtëpinë Shenjte të Loretos, Papa Françesku nënshkroi “Christus vivit”, Nxitjen pas-sinodale kushtuar të rinjve, ndërsa sot, në udhëtimin e tij të 33-të apostolik në Irak, Ati i Shenjtë e mori me vete në avion fuguren e Zojës së Loretos, në mënyrë që ajo ta shoqërojë e ta mbrojë gjatë gjithë shtegtimit.

Ky vendim mund të lidhet me një përvjetor të veçantë: më 24 mars 1920, në prag të festës së Lajmërimit të Zotit, Papa Benedikti XV e shpalli Zojën e Loretos Pajtore të aviatorëve, pikërisht për të kujtuar historinë e njohur të traditës së krishterë, sipas së cilës Shtëpia e Shën Marisë u çua në fluturim nga engjëjt, që, për ta shpëtuar nga turqit, e zhvendosën nga Nazareti në Ilirinë e lashtë e pastaj, në kodrën e Loretos, më 10 dhjetor 1294. 100 vite pas këtij dekreti papnor, më 8 dhjetor 2019, Papa Françesku shpalli Jubileun lauretan, të cilin e zgjati deri më 10 dhjetor 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila pengoi kremtimet e 100-vjetorit më 2020. Po Ati i Shenjtë Bergoglio vendosi që ta vendosë festën e Zojës së Loretos në kalendarin romak, gjithnjë më 10 dhjetor, atëherë kur e kremton edhe Loreto. Shtoi gjithashtu edhe tre ndjete në Litanitë lauretane, njëri prej të cilëve u kushtohet migrantëve.

Fugurja e Zojës së Loretos, që shoqëron Papën Françesku në udhëtimin e tij në Irak, nga 5 deri më 8 mars 2021
Fugurja e Zojës së Loretos, që shoqëron Papën Françesku në udhëtimin e tij në Irak, nga 5 deri më 8 mars 2021

Dashuria e Papëve për Virgjërën e Loretos

 Zoja me fytyrë të zeshkët, që të kujton ikonat bizantine, është shumë e dashur për Papët. Për shembull, Papa Piu IX, me origjinë nga Marche-t, krahina ku bën pjesë Loreto, ishte tejet i përkushtuar ndaj kësaj fugureje të Zojës, aq sa i dhuroi shenjtërores kryqin dhe unazën. Loreto lidhet edhe me udhëtimin e parë me tren, jashtë Vatikanit, të Papës shenjt Gjoni XXIII, i cili ia besoi kësaj Zoje Koncilin II të Vatikanit, më 4 tetor 1962. Papa tjetër shenjt, Gjon Pali II, ia besoi gjithnjë asaj udhëtimin e tij në OKB, më 1979.

Papa polak u kthye edhe herë të tjera në gjunjë para Zojës së Loretos, sepse për të, Shtëpia e Shën Marisë është “zemra mariane e krishterimit”. Në vitet 2007 dhe 2012, shkoi në Marche Papa Benedikti XVI - herën e dytë, me rastin e 50 vjetorit të vizitës së Gjonit XXIII. “Në Loreto – pati thënë atëherë - gjejmë një shtëpi që na bën të rrimë këtu, të banojmë këtu, por njëkohësisht, na bën të ecim, na kujton se jemi të gjithë shtegtarë, se duhet të vihemi gjithnjë për udhë drejt një banese tjetër, drejt shtëpisë përfundimtare, drejt Qytetit të amshuar, vendbanim i Zotit me njerëzimin e shëlbuar”.

Zoja e Loretos dhe shqiptarët

Kujtojmë se pikërisht në Loreto ngrihej edhe Kolegji Ilirik ku kanë studiuar shumë shqiptarë, ndër të cilët njerëz të rëndësishëm si imzot Pjetër Budi, i cili kreu këtu studimet e tij filozofike dhe teologjike. Emri i Loretos lidhet ngushtë edhe me Nënë Terezën, shenjten shqiptare të bamirësisë. Në moshën 18-vjeçare, ajo vendosi të hyjë pikërisht në Kongregatën e Motrave Misionare të Zojës së Loretos, ku shërbeu për më se 20 vite, duke dhënë mësimin e historisë e të gjeografisë në kolegjin e murgeshave në Kalkutë të Indisë.

05 mars 2021, 11:22