Papa në takimin me Kolegjin Papnor Belg Papa në takimin me Kolegjin Papnor Belg

Papa: Shën Jozefi, atëror, me zemrën të hapur për shenjat e Zotit

Në tekstin, që i dorëzoi Kolegjit Papnor Belg, pritur në Vatikan, Papa i nxit meshtarët ta marrin Shën Jozefin si shembull për të mësuar artin e atësisë, duke u bërë kështu barinj të aftë të kujdesen për grigjën dhe të shikojnë përtej, sipas planeve të Zotit

R.SH. - Vatikan

Shën Jozefi, model për barinjtë e Kishës, të cilët duhet të jenë atërorë. Papa Françesku, në prag të solemnitetit të Pajtorit të Kishës universale, flet për tematikat e Letrës apostolike “Patris corde”, me të cilën, më 8 dhjetor 2020, shpalli Vitin e Shën Jozefit. E bën këtë në tekstin, që u dorëzoi gjatë audiencës së sotme, anëtarëve të Kolegjit Papnor Belg, në 175-vjetorin e themelimit. Ky institut, u thotë që në fillim, mund të mburret se ka pasur shën Gjon Palin II ndërmjet studentëve të tij.

Mikpritja e atit

Atë, që mirëpret, mbron dhe ëndërron: janë këto, tri karakteristikat e shën Jozefit, që Ati i Shenjtë këshillon të vihen në jetë gjatë shërbesës meshtarake. Sipas Papës, fati i Shën Marisë la mënjanë planet e tij personale, pa kërkuar shpjegime “për realitetin befasues dhe misterioz, para të cilit u ndodh”, duke e mirëpritur atë me fe të gjallë. Një qëndrim, të cilin duhet ta mbajë çdo meshtar në famulli.

 “Në këtë kuptim, - shkruan Papa Françesku - Shën Jozefi është mësues i jetës shpirtërore dhe mund t’i lutemi të na çlirojë nga kurthet e reflektimeve të tepërta, në të cilat humbasim herë pas here, edhe kur qëllimet janë nga më të mirat. Ato tregojnë prirjen tonë për të ‘kapur’ dhe për ta ‘bërë pronë personale’ gjithçka na ndodh, në vend që ta trajtojmë ashtu siç na paraqitet”.

Të mos jemi “monolitë”

Ashtu si Shën Jozefi, shkruan më tej Papa, edhe barinjtë e Kishës nuk duhet të “përqendrohen tek vetvetja dhe tek idetë personale, por tek e mira e atyre, që janë të thirrur t’i mbrojnë, duke shmangur prirjet e dominimit dhe të neglizhimit”. “Për këtë është i thirrur meshtari në marrëdhëniet e tij me bashkësinë që i është besuar – vijon Ati i Shenjtë – pra, të jetë rojtar i vëmendshëm, i gatshëm të ndryshojë sipas situatës; të mos jetë ‘monolit’, i ngurtë dhe si i ngrirë në allçi, duke e ushtruar shërbimin e tij në një mënyrë që është ndoshta e mirë në vetvete, por e paaftë të kuptojë ndryshimet dhe nevojat e bashkësisë”.

Të shohim përtej

Aty ku të tjerët nuk shohin asgjë, Jozefi vëren veprimin e Zotit, duke u kthyer në “ëndërrimtar”, që shikon përtej. I beson Zotit e jo dyshimeve të veta, duke u dhuruar si mjet për një plan më të madh, nënvizon Papa në tekstin për Kolegjin Papnor Belg. Kështu është edhe për meshtarët, shkruan Ati i Shenjtë. Ata duhet të dinë ta ëndërrojnë bashkësinë, që duan, për të mos u ndalur vetëm në ruajtjen e gjërave të mëparshme, duke qenë gjithnjë të gatshëm për t’u nisur shtigjeve të reja misionare, të shtyrë nga dashuria për Zotin.

18 mars 2021, 14:31