Papa: pa Shpirtin Shenjt nuk ka dashuri as gëzim, por vetëm ves

Françesku, në audiencën e sotme të përgjithshme, foli për “dhuratën e parë të çdo jete të krishterë”. Të gjithë, kujtoi, janë të barabartë “në dinjitet, por edhe të pashembullt në bukurinë që i dhuron Shpirti Shenjt secilit nga ata, që mëshira e Zotit i bëri bijtë e Tij”.

R. SH. - Vatikan

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, Papa përfundoi katekizmin kushtuar lutjes, parë si marrëdhënie me Trininë Shenjte, sot, në mënyrë të posaçme, me Shpitin Shenjt. Është ai - kujtoi -  që na shndërron deri në thellësitë e shpirtit.

Shpirti Shenjt, dhurata e parë  e jetës së krishterë   

Shpirti Shenjt - kujtoi Papa në fillim të katekizmit -  është dhurata e parë e çdo jete të krishterë. Nuk është një nga dhuratat: është Dhurata kryesore. Shpirti Shenjt është dhurata, që Jezusi pati premtuar se do të na e dërgonte. Pa Shpirtin Shenjt nuk ka marrëdhënie me Krishtin e me Atin. Sepse Shpirti Shenjt e hap zemrën tonë për praninë e Zotit dhe e tërheq në atë “vorbull” dashurie, që është vetë zemra e Atij të Lumit:

"Ne nuk jemi mysafirë, as shtegtarë, që shtegtojnë mbi këtë dhe! Jemi edhe mysafirë e shtegtarë në misterin e Trinisë. Jemi si Abrahami që një ditë, duke strehuar në çadrën e  vet tre shtegtarë, u takua me vetë Zotin. Nëse mund t’i lutemi Zotit, duke e thirrur “Abbà-Atë”, këtë e bëjmë sepse në shpirtin tonë banon Shpirti Shenjt: ‘Është ai që na shndërron deri në thellësi të shpirtit, Ai, që na bën ta ndjejmë gëzimin thellësisht prekës se jemi bij, të dashur nga Zoti, si bijtë e Tij të vërtetë”.

Eja, o Shpirti Shenjt

“Nuk duhet të harrojmë se Shpirti Shenjt është i pranishëm gjithnjë në ne. E dëgjojmë Shpirtin! E thërrasim Shpirtin - është dhurata, që na bëri Zoti”.

Lidhur me këtë - kujtoi Papa – Katekizmi na kujton: “Sa herë fillojmë  t’i lutemi Jezusit, është Shpirti Shenjt që, me hirin e Tij, na tërheq në rrugën e lutjes.  Kjo është vepra e Shpirtit Shenjt në shpirtin tonë:

“Shpesh ndodh që nuk lutemi, nuk kemi dëshirë të lutemi a nuk dimë si të lutemi: lutemi si papagalë, me gojë, po jo me zemër. Zemra është larg. E ky është çasti i përshtatshëm për t’i thënë Shpirtit Shenjt: ‘Eja, o Shpirti Shenjt, ngrohe zemrën time. Eja e më mëso të lutem, më mëso ta shikoj Atin, ta shikoj Birin., Ma mëso rrugën e fesë. E, sidomos, më mëso të dua e të jem gjithnjë plot me shpresë. Duhet ta thërrasim vazhdimisht Shpirtin Shenjt, që të jetë i pranishëm në jetët tona”.

Në Shpirtin Shenjt gjithçka është gjallërim

Shpirti Shenjt - shtoi Papa  - na kujton Jezusin dhe e bën të pranishëm në ne,  që të mos  rëgjohet në personazh, i cili i përket së kaluarës. Nëse Krishti  do të ishte i largët në kohë, ne do të ishim të vetëm e të përhumbur në botë. Por në Shpirtin Shenjt gjithçka është këndellëse: të krishterëve të të gjitha kohëve u krijohet mundësia ta takojnë Krishtin:

“Ai nuk është larg. Është me ne: vijon t’i edukojë dishepujt e tij, duke e shndërruar zemrën e tyre, siç pati bërë me Pjetrin, me Palin, me Marinë Magdalenë. E këtë përvojë e jetuan shumë njerëz në lutje: burra e gra, që Shpirti Shenjt i formoi sipas ‘masës’ së Krishtit në mëshirë, në shërbim, në lutje… E është hir i vërtetë të takosh njerëz të tillë; kujtohesh menjëherë se në ta rreh një jetë e ndryshme nga e zakonshmja. Syri i tyre shikon përtej syve të zakonshëm.  E nuk duhet të mendojmë vetëm për murgjërit, për vetmitarët: mund t’i gjejmë edhe në gjirin e njerëzve të rëndomtë, njerëz që endin çdo ditë një histori të gjatë dialogu me Zotin,  nganjëherë me pamjen e një lufte shpirtërore, e cila e pastron fenë. Këta dëshmitarë të përvuajtur  e kërkuan Zotin në Ungjill, në Eukaristinë, që e morën dhe e adhuruan, në fytyrën e vëllait në vështirësi. E morën dhe e ruajnë  praninë e Tij si zjarr i fshehtë”.

Shpirti Shenjt, autori historisë së Kishës e të botës

“Detyra e parë e të krishterit - nënvizoi Papa - është pikërisht ta mbajë gjallë këtë zjarr, që e solli Jezusi mbi tokë, domethënë, dashurinë e Zotit, Shpirtin Shenjt. Pa zjarrin e Shpirtit, profecitë shuhen, trishtimi e mbyt gëzimin, dashurisë ia zë vendin trishtimi, shërbimi shndërrohet në skllavëri”.

Françesku kujtoi, më pas, një simbol: atë të llambës së ndezur pranë tabernakullit, ku ruhet Eukaristia.

Edhe kur Kisha zbrazet e mbi të bie nata, edhe kur portat e saj mbyllen, edhe kur brenda saj nuk shkel më këmbë njeriu, kjo llambë vijon të digjet, vijon të lëshojë dritë. Nuk e shikon askush, po ajo vijon të tretet nga dashuria për Zotin e për njeriun! Flaka e saj është Shpirti Shenjt - pohoi Papa -  që shkruan historinë e Kishës e të botës:

“Ne jemi faqe të hapura, gati për kaligrafinë e Tij. Në shpirtin e secilit prej nesh Shpirti Shenjt shkruan vepra origjinale, sepse asnjë i krishterë nuk është i njëllojtë me tjetrin. Në fushën e pafundme të shenjtërisë, Zoti i vetëm, Trini e Dashurisë, bën të lulëzojë larminë e dëshmitarëve: të gjithë të njëllojtë në dinjitet, e të gjithë të pashembullt në bukurinë që Shpirti Shenjt e bëri të  lulëzojë në ata, të cilët  mëshira e Zotit i bëri bijtë e vet”.

17 mars 2021, 12:20

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >