Papa Françesku në Irak, shtegtar i paqes në tokën e Abrahamit

Filloi shtegtimi i 33-të apostolik i Papës në Vendin e Gjirit. Françesku u nis nga aeroporti ndërkombëtar i Fiumicinos drejt Bagdadit në orën 07.45. Rreth katër orë e gjysëm fluturim, para se të prekë një tokë aq të dashur e të dëshiruar.

R. SH. - Vatikan

Filloi shtegtimi i 33-të apostolik i Papës në Vendin e Gjirit. Françesku u nis nga aeroporti ndërkombëtar i Fiumicinos drejt Bagdadit në orën 07.45. Rreth  katër orë e gjysëm fluturim, para se të prekë një tokë aq të dashur e  të dëshiruar.

Papa, në shtegtim drejt Irakut: në pritje, një popull i tërë  

Françesku është Papa i parë, që shkel në Irak, djep i qytetërimit ndërmjet lumenjve Tigri e Eufrati, duke çuar dritën e Ungjillit dhe fjalët e dashurisë së vërtetë në një tokë, ku vijojnë të fryjnë erërat e luftës. Shtegtimi i 33-të Apostolik i Françeskut nën shenjën e motos ungjillore “Jeni të gjithë vëllezër”, filloi sot në mëngjes, për të përfunduar më 8 mars. Avioni me të cilin shtegton Papa, u nis në orën 07.45 nga aeroporti i Fiumiçinos e do të arrijë në Bagdad rreth orës 14.00 me orën vendase (12.00 me atë evropiane).

Bagdadi pret Papën Françesku
Bagdadi pret Papën Françesku

Një tweet, për t’ia besuar Virgjërës Mari shtegtimin  

Papa ia besoi Virgjërës Mari shtegtimin e tij treditor në Irak, që nisi sot, më 5 mars. Në një tweet, kërkon lutje, që takimi me popullin irakian “të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme e të sjellë edhe frytet e shpresuara”.

Françesku lutet në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe

Në vigjilje të shtegtimit drejt Bagdadit, Papa shkoi në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t’u lutur para ikonës së Zojës “Salus Populi Romani” e për t’ia besuar shtegtimin e tij të 33-të apostolik. Takim ky, nga i cili Françesku nuk heq dorë para e pas shtegtimeve të tij nëpër botë. La para Zojës një tufë lule e një lutje, me “besim të plotë se çka është e pamundur për njeriun, është plotësisht e mundur për Zotin”. Atij të Lumit i kërkoi, në uratë, faljen e pajtimin për këtë vend, ngushëllimin për zemrat e zhuritura e shërimin e plagëve, ende të hapura.

Papa Françesku në lutje para fugures së Zojës së Madhe
Papa Françesku në lutje para fugures së Zojës së Madhe

Përshëndetja e një grupi refugjatësh irakianë

Sot, në orën 07.00, pak para se të largohej nga Shtëpia e Shën Martës në drejtim të aeroportit romak, Papa - sipas njoftimit të Sallës vatikanase të Shtypit - u takua për disa çaste më një grup migrantësh të mikpritur nga Bashkësia e Shën Egjidit dhe nga Kooperativa Auxilium, ardhur pak kohë më parë nga Iraku. Grupi shoqërohej nga Lëmoshtari papnor, kardinali Konrad Krajewski. Më pas, nisja për në Fiumicino, përshëndetja me autoritetet civile e fetare të pranishme dhe ngjitja në shkallët e Airbus A330 të Alitalia-s, me çantën e zezë, të zakonshme, në dorë e maskën në fytyrë. Këtu Papa përshëndeti për pak çaste edhe ekuipazhin prej 11 vetësh, me tre pilotë e 11 asistentë fluturimi e, sidomos, me një prani shumë të veçantë, të dëshiruar prej atij vetë: figuren të Zojës së Loretos, njëqind vjet pas shpalljes Pajtore e aviatorëve, ndërsa vijon Jubileu lauretan, që Françesku e zgjati deri më 10 dhjetor 2021.

Programi i ditës së parë në Irak

Sapo të arrijë në Irak, Papa do të nisë takimet. I pari do të jetë ai me kryeministrin irakian, Mustafa Abdellatif Mshatat, i njohur si Al-Kadhimi, në sallën Vip të aeroportit të kryeqytetit. Më pas, zhvendosja në Pallatin presidencial për ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes dhe vizitën e mirësjelljes presidentit të Republikës irakiane, Barham Ahmed Salih Qassim, në studion private të Pallatit. Në përfundim të fjalimit të parë zyrtar, drejtuar autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik, kur në Evropë ora do të jetë rreth 14.15, Papa do të niset me auto për në Bagadad, në Katedralen katolike “Zoja e Shpëtimit”, për të përqafuar ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, seminaristët e katekistët.

Iraku pret Papën
Iraku pret Papën

Iraku, vend në zemër të Papës

Gjatë papnisë, Françesku e ka kujtuar vazhdimisht vendin e Gjirit, duke uruar që në këto vise kaq të munduara, të mbretërojnë, më në fund, paqja e pajtimi. Në mesazhin e Pashkëve 2013, pak ditë pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, ngriti zërin për të kërkuar paqe për Irakun. Më 25 dhjetor 2013, kujtoi plagët e këtij vendi të shumëdashur. Një vit më pas, në mesazhin Romës e Botës, për Pashkët 2014, i drejtoi Jezusit lutjen e veçantë, që t’i ngushëllojë viktimat e dhunës vëllavrasëse në vendin arab. Më 2015, me rastin  e urimeve drejtuar trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjë, Françesku kujtoi se Lindja e Mesme vuan nga konflikte, që vijojnë që prej një kohe tepër të gjatë e që rëndohen edhe më shumë nga prania e  terrorizmit fundamentalist në Siri e Irak.

E tani po realizon një ëndërr, që nisi që me Papën Wojtyla: po shkel në trojet ende të gjakosura të këtij vendi, mbi gjurmët e Abrahamit….  

 

05 mars 2021, 10:58