Kërko

Papa në Irak: për udhë, me shpresë, si Abrahami

Në një videomesazh për popullin irakian, që u bë i njohur sot, në prag të nisjes së tij për në Bagdad, Papa Françesku i fton të krishterët, por edhe të gjithë “vëllezërit e motrat e çdo tradite fetare”, të “përforcojnë vëllazërimin, për të ndërtuar së bashku një ardhmëri në paqe”. Ati i Shenjtë i lutet Zotit për “falje e pajtim, pas vitesh lufte e terrorizmi”

R.SH. - Vatikan

Shtegtar pendestar, shtegtar i paqes, që i fton irakianët të vazhdojnë udhën e Abrahamit, “me shpresë”, duke parë gjithnjë drejt majave më të larta. Në një videomesazh plot dashuri për popullin irakian, në prag të udhëtimit të tij të 33-të apostolik, nga 5 deri më 8 mars, Papa Françesku shpjegon se shkon në tokën irakiane, “djep i lashtë dhe i jashtëzakonshëm qytetërimi”, para së gjithash si “shtegtar pendestar”…

“Që t’i përgjërohet Zotit për falje dhe pajtim, pas vitesh lufte e terrorizmi, për t’i kërkuar Hyjit ngushëllim për zemrat dhe shërim për plagët”.

Shtegtar i paqes, në kërkim të vëllazërimit

Por Ati i Shenjtë shkon edhe “si shtegtar i paqes, për të përsëritur” ç’thotë Jezu Krishti në Ungjillin sipas Mateut: “Ju jeni të gjithë vëllezër”...

“Në kërkim të vëllazërimit, i frymëzuar nga dëshira për t’u lutur së bashku dhe për të ecur së bashku, edhe me vëllezërit e motrat e traditave të tjera fetare, nën shenjën e Abrahamit atë, i cili bashkon myslimanë, hebrenj dhe të krishterë në një familje të vetme”.

Takimi me Kishën martire

Papa u drejtohet para së gjithash të krishterëve irakianë, të cilët “e kanë dëshmuar fenë e tyre në Jezu Krishtin, përmes sprovave tejet të rënda”, duke theksuar se ndihet “i nderuar që takon një Kishë martire: faleminderit për dëshminë tuaj”. Martirët e shumtë, që keni njohur, uron Ati i Shenjtë “na ndihmofshin të vijojmë me forcën e përvuajtur të dashurisë”. E kujton “pamjet e shtëpive të shkatërruara dhe të kishave të përdhosura”, që irakianët, të cilët ikën nga tërbimi i Isisit, i kanë ende në sy, ndërsa në zemra, “plagët e të dashurve lënë pas dhe të shtëpive të braktisura”.

“Do të doja t’ju sillja përkëdheljen plot dashuri të gjithë Kishës, e cila është pranë jush dhe pranë Lindjes së Mesme të martirizuar, duke ju inkurajuar të ecni përpara. Të mos i lejojmë të ngadhnjejnë vuajtjet e tmerrshme, që keni përjetuar dhe që më shkaktojnë shumë dhimbje”.

Si Abrahami, të shohim drejt yjeve

 “Të mos dorëzohemi para përhapjes të së keqes” bën thirrje Papa, sepse “gurrat e lashta të urtisë në tokat tuaja na orientojnë për diku tjetër, të bëjmë si Abrahami, i cili, pavarësisht se la gjithçka, nuk e humbi kurrë shpresën”. Me besim në Zotin, Abrahami “u dha jetë pasardhësve të shumtë si yjet e qiellit”. “Të vështrojmë drejt yjeve - kjo është ftesa e tij - atje është premtimi ynë”.

Të përforcojmë vëllazërimin, në këto kohë pandemie

 Pastaj, Papa Françesku u drejtohet të gjithë irakianëve, “të cilët kanë vuajtur shumë, por nuk u përkulën”. U flet të krishterëve, myslimanëve, por edhe jazidëve “që kanë vuajtur aq shumë”, duke i quajtur “të gjithë vëllezër”. Si “shtegtar i shpresës” u kujton se pikërisht në mesin e tyre, “në Ninive, jehoi profecia e Jonës, e cila parandaloi shkatërrimin dhe solli një shpresë të re, shpresën e Zotit”.

“Le të infektohemi nga kjo shpresë, e cila na inkurajon të rindërtojmë dhe t’ia fillojmë nga e para. E, në këto kohë të vështira pandemie, le ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të forcuar vëllazërimin, për të ndërtuar së bashku një ardhmëri në paqe. Së bashku. Vëllezër dhe motra të çdo tradite fetare”.

Të ecim në udhën e Abrahamit, në udhët e paqes

Papa e përfundon videomesazhin, duke u kujtuar irakianëve se Abrahami e filloi udhëtimin e tij pikërisht në gjirin e tyre, mijëra vite më parë. Sot, përfundon Ati i Shenjtë “na takon neve ta vazhdojmë atë, me të njëjtën frymë, duke përshkuar së bashku udhë paqeje!”. E, si Abrahami, “të ecim me shpresë dhe të mos harrojmë kurrë t’i lartojmë sytë drejt yjeve”.

04 mars 2021, 10:27