Kërko

People walk past a poster of Pope Francis ahead of the planned visit of Pope Francis to Iraq, in Baghdad People walk past a poster of Pope Francis ahead of the planned visit of Pope Francis to Iraq, in Baghdad 

Papa në Irak, një gjest dashurie “ekstreme” për të krishterët

Para nisjes së Papës Françeskut në Irak, nga 5 deri më 8 mars, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni, kujton etapat kryesore të shtegtimit, që do ta çojë për herë të parë një Papë në këto troje të largëta, të martirizuara në shekuj.

R.Sh. - Vatikan

Vëllazërim e shpresë! Janë këto dy fjalët, që e përmbledhin më mirë shtegtimin e Françeskut në Irak, i pari i një Pape në këtë vend, e që Mateo Bruni, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, i përdor, për të kujtuar çka i pati thënë Françesku më 8 shkurt trupit dipolmatik, duke pasur parasysh edhe pandiminë: “Vëllazërimi dhe shpresa janë dy ilaçet, për të cilat sot ka më shumë nevojë bota, njëlloj si për vaksinat”.

Nxitja e të krishterëve dhe rëndësia e dialogut

Ky i Irakut është gjest, pakëz ekstrem, dashurie për të krishterët e rajonit - shpjegon Bruni - duke kujtuar se bëhet fjalë për shtegtimin e 33-të ndërkombëtar të Papës Françesku, të cilin e njoftoi ai vetë, kur pati folur për dëshirën të shkonte në këtë vend. Ishte qershori i viti 2019, duke folur para Roaco, Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore.

Bruni e lexon në tri mënyra këtë shtegtim papnor. Së pari, pohon, Papa niset, pa dyshim, për t’i nxitur të krishterët që ndodhen në Irak e në rajon. E dyta ka të bëjë me frymën e ndarjes së përbashkët e me dialogun ndërmjet feve të ndryshme, që do të dalë në pah sidomos në etapën e 6 marsit, gjatë takimit ndërfetar në Ur, ku Papa - shpjegon Bruni -  “shkon t’i kërkojë vëllezërit e të bëhet vëlla i të gjithëve në këtë udhë, që e çon në Irak”. Do të jetë një çast i lidhur me kujtimin e Abrahamit, e që do t’i bashkojë  të gjitha fetë e pranishme në vend.

Pasuria e feve në Irak

Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit e përshkruan Irakun si djep i qytetërimit, mozaik plot larmi, që flet për pasurinë e kësaj toke, të banuar nga grupe të panumërta fetare, me prani tejet të lashtë, përveç të krishterëve, zoroastrianëve, bahaive e yazidëwe, të njohur për persekutimet e tmerrshme, pësuar gjatë terrorit ushtruar nga Isis. E gjithë kjo, natyrisht, pranë e pranë islamit irakian, atij sunit, që numëron ndërmjet 32-37% të besimtarëve, e atij shiit, ndërmjet 60-65%. Kujton, më pas, Najafin, cak shtegtimesh i botës islamike, i dyti pas Mekës, edhe kjo etapë e shtegtimit të Papës më 6 mars, ku do të takohet me ajatollahun Al-Sistani.

Takim me vuajtjen

E pastaj domethënia e tretë: Takimi me Irakun, me një tokë që vuajti tepër këto vitet e fundit, nuk mund të tregohet pa folur edhe për fqinjët, si Siria - që vijon të jetojë një luftë të pafundme, Irani e Turqia - “Një rajon i tërë - shpjegon Bruni, ku çdo pjesë lidhet me tjetrën. Bruni nënvizon entuziazmin e fuqishëm, me të cilin bashkësitë e krishtera e përgatiten “këtë ngjarje të madhe paqeje e ngushëlllimi për një popull të martirzuar”. Papa, shton, “shkon për t’i përfocuar këta vëllezër në fe e në dashuri, për t’i ngushëlluar për vuajtjet e tyre e dëshiron që shtegtimi t’i hapë rrugën ardhmërisë për bashkësitë e krishtera, që jetojnë në këto troje”.

Rënia e pranisë së krishterë

Pas pesëmbëdhjetë muajsh amullie, arrihet tek kjo vizitë, në një vend që në pak vjet pa rënien dramatike të pranisë së krishterë, por që sot shikon  edhe ndonjë rikthim, posaçërisht në Karakosh, etapë tjetër e shtegtimit. Pikërisht nga ky fshat me shumicë të krishterë - kujton Bruni - qenë dëbuar në vitin 2014 nga Daesh, rreth 40 mijë njerëz, që u detyruan të ikin nëpër natë ndërmjet 6 e 7 gushtit. E nuk ishin vetëm të krishterë…

Shtegtim i shoqëruar nga Zoja e Loretos

Në këtë shtegtim Papën do ta shoqërojnë kardinali Leonardo Sandri,  prefekt i Kongregatës për Kishat lindore; kardinali Fernando Filoni, ish-nunc apostolik në Irak; Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin; imzot Richard Gallagher, sekretar për marrëdhëniet me Shtetet; kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar. Me ta do të jetë edhe Regina Lynch e R.O.A.C.O, duke pasur parasysh se Papa e kujtoi ndjetin që kishte për të shkuar në Irak, gjatë audiencës me ta, ndërsa punonjësit e Vatikanit do t’i përfaqësojë një infermier, punonjës i drejtorisë të Shëndetsisë dhe Higjienës të Guvernatoratit. Mbi të gjitha, kush do ta shoqërojë Papën, do të jetë figurja e Zojës së Loretos, njëqind vjet pas shpalljes së saj Pajtore e aviatorëve.

Françesku do të flasë italisht  

Papa do të mbajë shtatë fjalime, të gjitha në italisht, me disa përkthime. Ngjarja e parë do të jetë takimi me ipeshkvijtë, në katedralen siro-katolike “Zoja e Shpëtimit”, vend simbol i Kishës irakiane, ku më 31 tetor 2010, një grup terroristësh organizoi sulmin barbar, gjatë të cilit mbetën të vrarë 48 besimtarë. Ndërmjet tyre, edhe dy meshtarë e disa dhjetra myslimanë. Martirizim,  i cili sot kujtohet me një pllakë të gjatë mermeri, që arrin nga altari - tek tremja, pikërisht për të dëshmuar gjakun e derdhur atë ditë. Ndërsa do të jetë katedralja kaldeaese e Shën Jozefit, në Bagadad,  ajo ku Papa do të kremtojë për herë  të parë Meshën në ritin kaldeas.

Lutja në Mosul, për viktimat e këtyre trojeve

E diela, 7 mars, do t’i kushtohet Karakoshit dhe Erbilit, në Zonën autonome të Kurdistanit irakian dhe të Mosulit, në Rrafshin e Ninives, ku Françesku do të shkojë për çastin e fortë, tejet të dëshiruar të lutjes, meditimit, heshtjes, në nderim të viktimave të këtyre trojeve. Lutja do të lartohet drejt qiellit nga sheshi i kishës e, në përfundim, do të përurohet edhe pllaka përkujtimore. Pas vizitës në bashkësinë e Karakoshit,  ngjarja e fundit publike, Papa do të kremtojë Meshën në stadiumin “Franso Hariri” e, një ditë më pas, do të rikthehet në Romë.

04 mars 2021, 09:31