Papa në Irak Papa në Irak 

Papa në Irak: efekti i parë, 6 marsi shpallet Dita e Bashkëjetes

Kryeministri irakian njoftoi, në një tweet, se në Irak 6 marsi shpallet “Ditë e Bashkëjtesës Paqësore”. Botohet edhe logoja e Ditës.

R. SH. - Vatikan

Takimi i Papës Françesku me Ajatollahun e Madh al Sistani nuk përfundoi me nënshkrimin e ndonjë dokumenti kushtuar Vëllazërimit Universal, siç ndodhi në Abu Dabi. Por solli një të re shumë premtuese. Shpalljen e një “Dite Kombëtare të Tolerancës e të Bashkëjetesës në Irak”, njoftim që u dha dje përmes një tweet-i nga kryeministri irakian, Mustafa al-Kadhimi. E dita, që do të kremtohet për herë të parë vitin e ardhshëm, tashmë ka  edhe logon e vet, vizatuar nga Chocolate Sarayi.

Kështu, si Dokumenti i Abu Dabit solli kremtimin e një Dite të Vëllazërimit, që më pas u bë takim i Kombeve të Bashkuara,  edhe vizita e Papës në Irak solli kremtimin e ditës së dialogut, që do t’i kujtojë breznive takimin historik të Françeskut me al Sistanin, por edhe takimin tejet prekës ndërfetar në Rrafshin e Ur, prej nga Abrahami u nis drejt Tokës së Premtuar. “Ditë historike”- e quajti kryeministri al Khadimi. Ditë, që nisi me Papën, i cili përshkoi në këmbë rrugën e ngushtë të Najafit, për të arritur në banesën e Ajatollahut të madh Al Sistani. E Lideri 90 vjeçar i Islamit shiit, zëri i të cilit dëgjohet fuqimisht në Irak e në botë, si zëdhënës i një vizioni “paqësor” të fesë,  Ai që, për shkak të autoritetit të tij, e pret i ulur çdo mik që vjen ta takojë - u ngrit në këmbë për ta pritur Papën. E Papa hoqi këpucët, kur hyri, duke respektuar, kështu, adetin arab. Pastaj, para ziggurat-it, apo kullës templare 6 mijë vjeçare të Rrafshit të Ur, Abrahami, Isaku e Ismaeli bashkuan zërat në një lutje të përbashkët për paqen, ngjarje me rëndësi të madhe, posaçërisht në Irakun e ndarë në sekte. Bashkësia hebraike është shumë e vogël e nuk ishte e pranishme në këtë ngjarje, edhe pse nuk ka një lider, që ta përfaqësojë, siç u shpjegua. Po ndjeti ishte të bashkoheshin të gjithë. E donte Patriarku kaldeas, që e organizoi pjesën kryesore të takimit, por edhe qeveria e Irakut dëshironte të jipte një mesazh: në takimet e tij me Papën Françesku, presidenti Barham Salih foli vazhdimisht për bashkëjetesën e, posaçërisht, për rikthimin e të krishterëve  në rajon. E jo vetëm. Ndjehet nevoja edhe për të rifituar kredi në bashkësinë ndërkombëtare, e dialogu dhe vëllazërimi janë kyçi për një protagonizëm të ri, siç ndodhi për Emiratet e Bashkuara Arabe, në të gjithë udhën që çoi tek Deklarata e Abu Dabit, e tani edhe me komitetin ndërkombëtar që synon  të ndërtojë Abrahamic Family House ad Abu Dhabi.

Nuk është e rastit që presidenti Salih, duke e paraqitur Papën para diplomatëve dhe shoqërisë civile të Irakut, uroi të realizohet nisma për ndërtimin e “Shtëpisë së Abrahamit për Dialogun ndërfetar” e për themelimin e konferencës a të simpoziumit të përhershëm për dialogun, nën mbikqyrjen e delegatëve të Vatikanit, të Najafit, të Al-Azhar, të Zatunës dhe të qendrave kryesore fetare. Është thirrje për të mos u izoluar, e edhe për dialog me botën islamike sunite. Sepse, siç e ka shpjeguar shpesh atë Samir Khalil Samir, fenomeni i ISIS lind si luftë e brendshme, ndeshje, që pastaj u turr mbi të krishterët.

E gjithë kjo lidhet me vendimin për ta shpallur Ditën e Bashkëjetesës paqësore. Vendim, që u mor edhe nën ndikimin e thirrjeve të Al Sistanit, të pranisë së tij në dialogun politik e të dëshirës për t’u takuar me Papën Françesku.

Papa e Ajatollahu i madh u ulën pranë e pranë, njëri përballë tjetrit, pa maska. Papa i shtrëngoi duart e Ajatollahut në duart e veta, në shenjë miqësie!

Në Rrafshin e Ur, Papa Françesku kujtoi se të gjitha fetë: kristianët, shiitët, sunitët, Yazidët, Zoroastrianët, por edhe sekti kurd i Kakait, Mandit,  Sabeit kanë një prejardhje të përbashkët nga Abrahami.

Ditë që do të kujtohet çdo vit

Kjo ditë do të kujtohet çdo vit në Irak, me shpresën se do të jetë simbol i rindërtimit, por edhe që të mund t’i krijojë Irakut mundësinë të zërë vendin e dëshiruar në Lindjen e Mesme. Jo rastësisht, prandaj, logoja paraqet siluetën e ndërtesave fetare të feve më të rëndësishme, mbi të cilat fluturojnë dy pëllumba paqeje. E pikërisht me këtë shenjë e nisi Papa Françesku ditën e 6 marsit!

08 mars 2021, 12:49