Në Mali, uji i lumit përdoret për çdo nevojë Në Mali, uji i lumit përdoret për çdo nevojë

Papa: model zhvillimi, që dëgjon britmën e të varfërve

Në një mesazh për Forumin e Unesco-s mbi Biolarminë, Papa Françesku kujton nevojën për të rishikuar së bashku modelin aktual të zhvillimit. Ngrohja globale dhe ndikimi i saj tek të varfrit kërkon përgjigje, me të cilat duhet marrë përsipër përgjegjësia për shtëpinë e përbashkët, pohon Ati i Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Të dëgjohen zërat e popujve indigjenë, të cilët janë “interpretues të britmës së tokës dhe të të varfërve”, të investohet në edukimin e të rinjve, që ata të kenë stile të reja jetese, të forcohen proceset, që u kundërvihen pasojave të ndryshimit të klimës. Këto janë këshillat e Papës Françesku për Forumin e Unesco-s mbi biolarminë, me temë: “Ndryshimi i klimës dhe varfëria: parimet etike dhe përgjegjësia shkencore”, i cili u mbajt në internet, më 24 mars. Në mesazhin e lexuar nga Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë, imzot Francesco Follo, Papa shpreh “mirënjohjen” për diskutimin e “njërit prej problemeve më të rëndësishme dhe më urgjente të kohës sonë”.

Një model i ri zhvillimi

 Ati i Shenjtë nënvizon se “lufta kundër ndryshimit të klimës dhe lufta kundër varfërisë së skajshme” varen nga njëra-tjetra, prandaj, duhet përcaktuar një model i ri zhvillimi, i cili përdor “një metodologji, që e integron etikën e solidaritetit me bamirësinë politike”. Vetëm në këtë mënyrë, sipas Papës, do të jetë e mundur të promovojmë të mirën e përbashkët universale, qytetërimin e vërtetë të dashurisë, ku nuk ka vend për pandeminë e indiferencës dhe të shpërdorimeve.

Ati i Shenjtë mendon për të varfërit, të cilët i vuajnë më shumë se të tjerët pasojat e ndryshimit të klimës. “Përgjigja ndaj krizës aktuale shoqëroro-mjedisore”, nënvizon Françesku, duhet parë “si mundësi unike për të marrë përsipër përgjegjësinë për shtëpinë e përbashkët, duke përmirësuar kushtet e jetesës, shëndetin, transportin, sigurinë energjitike dhe duke krijuar mundësi të reja për punë”.

Të rinjtë, çelësi i ndryshimeve

Papa kujton Marrëveshjen e Parisit e thekson se ndryshimi i klimës është “më shumë çështje morale sesa teknike”. Që këtej, nevoja për një “kthesë vendimtare”, e cila mund të arrihet vetëm duke investuar “në edukimin e brezave të rinj me stile jetese, që respektojnë krijimin e Zotit”. Duke i formuar për ta mbrojtur gjithësinë, me respekt për të tjerët e me qëndrime të reja ndaj prodhimit e konsumit, ata do të jenë protagonistët e “një modeli të ri zhvillimi ekonomik, që ka në qendër ambientin dhe njerëzit”.

Të veprojmë së bashku

“Nëse duam t’i kundërvihemi frytshëm ndryshimit të klimës, - shkruan Papa – duhet vepruar së bashku, duke marrë parasysh nevojën për ta rishikuar thellë modelin aktual të zhvillimit e për të korrigjuar anomalitë dhe shtrembërimet e tij”. Përgjigjja konkrete për fenomenin serioz të ngrohjes globale është domosdoshmëri morale, nënvizon Ati i Shenjtë. Mungesa e ndërhyrjes do të ketë efekte dytësore, veçanërisht ndër shtresat më të varfra të shoqërisë, të cilat janë edhe më të prekurat nga këto ndryshime.

Papa Françesku bën thirrje të dëgjohen bashkësitë indigjene e të gjitha ato realitete, që janë të ndjeshme ndaj luftës kundër ndryshimeve të klimës, pavarësisht se nuk janë shtetërore, ose të rëndësishme në sektorin privat, pasi në këtë kohë pandemie, emergjenca shëndetësore na detyron “të mendojmë për njerëzit, për të gjithë e jo për fitimet e pak vetëve”.

30 mars 2021, 13:13