Kërko

Papa largohet nga Iraku. Përfundon një vizitë historike

Përfundoi udhëtimi i 33-të ndërkombëtar i Papës Françesku në një tokë, nga e cila zemra e Atit të Shenjtë nuk do të ndahet kurrë, Iraku. Avioni papnor u nis nga Bagdadi në orën 7.54 e do të mbërrijë në Romë pak para orës 13. Në telegramin për Shqipërinë, lutja e Atit të Shenjtë për bekime hyjnore për popullin

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku largohet nga Iraku ku shkoi si shtegtar i paqes dhe i shpresës me moton ungjillore “Jeni të gjithë vëllezër”. Një vizitë historike, e para e një Pape në vendin e Gjirit Persik, me shumicë myslimane shiite. Shtegtimi i dëshiruar prej kohësh nga Ati i Shenjtë filloi më 5 mars e vijoi për tri ditë, gjatë të cilave Françesku përqafoi një popull, që ka kaluar vuajtje të patregueshme nga konfliktet e terrorizmi, por që ka edhe shpresë për t’u rimëkëmbur e për të rindërtuar një ardhmëri në paqe. Ati i Shenjtë u nis nga nunciatura apostolike sot në mëngjes, për të shkuar me makinë në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit ku arriti rreth orës 7.20 (sipas orës evropiane). Avioni papnor u ngrit në fluturim në orën 7.54.

Papa përshëndetet me presidentin e Irakut dhe me bashkëshorten e tij, para kthimit në Vatikan
Papa përshëndetet me presidentin e Irakut dhe me bashkëshorten e tij, para kthimit në Vatikan

Ceremonia e lamtumirës

Në aeroport, Papa Françesku u përshëndet nga presidenti i Republikës Barham Ṣalih bashkë me gruan e tij, me të cilët Ati i Shenjtë pati një bisedë prej 10 minutash. Më pas, përshëndetja me përfaqësuesit fetarë e civilë, që e ndoqën në këto tri ditë intensive. Mbërritja e Papës në Romë, pas më se 5 orësh udhëtim, është parashikuar për në 12.45. Menjëherë pas nisjes, në një tweet, presidenti Ṣalih shkruan: “Përshëndesim Shenjtërinë e Tij Papën Françesku, i cili ishte i ftuari ynë në Bagdad, Naxhaf, Ur, Ninive dhe Erbil, ku solli një mesazh të madh humaniteti e solidarizimi me vendin tonë. Prania e tij, shenjë e paqes dhe e dashurisë, do të mbetet përgjithmonë në zemrat e gjithë irakianëve”. Pritet, si zakonisht, biseda e Atit të Shenjtë me gazetarët, që e shoqërojnë në avion.

Papa niset me avion nga Iraku për në Romë
Papa niset me avion nga Iraku për në Romë

Telegrami për Shqipërinë

Gjatë kalimit me avion mbi Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Itali, Papa Françesku, si zakonisht, u dërgon presidentëve të këtyre vendeve një telegram përshëndetjeje. Mbi Shqipëri, Ati i Shenjtë i dërgoi këtë telegram presidentit Ilir Meta: “Duke hyrë në hapësirën shqiptare, në udhëtim drejt Romës, pas udhëtimit tim apostolik në Irak, ju përshëndes përzemërsisht dhe lutem që Zoti i Gjithpushtetshëm të dikojë mbi ju dhe bashkëqytetarët tuaj çdo bekim për paqe dhe begati”.

Dita e djeshme e Papës

Dje, në ditën e tretë dhe të fundit të veprimtarive të tij në Irak, Bergoglio shkoi në Bagdad, në Mosul, ku u lut mbi rrënojat e luftës e, në kishën e Karakoshit, shkatërruar nga Isisi. Kremtoi edhe meshën së bashku me 10 mijë besimtarë në stadiumin e Erbilit. “Iraku do të mbetet përherë në zemrën time”, tha në fund të kremtimit. Ati i Shenjtë u kërkoi të gjithëve “të punojnë së bashku për një ardhmëri në paqe e begati, që nuk lë pas e nuk diskriminon askënd”.

08 mars 2021, 10:35