Papa: Kisha të jetë shembullore e transparente në fushën ekonomike e financiare

Papa, ashtu si vjet, mori pjesë përsëri në hapjen e Vitit gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit. I pranishëm në ceremoni, edhe kryeministri italian, Mario Draghi.

R. SH. - Vatikan

Nismat, që u morën kohët e fundit, e ato, që do të merren për transparencën absolute  të veprimtarive institucionale të Shtetit të Vatikanit, posaçërisht në fushën ekonomike e financiare, duhet të frymëzohen gjithnjë nga parimet themelore të jetës kishtare e, njëkohësisht, të kenë parasysh parametrat dhe “praktikat e mira, në vijim, në nivel ndërkombëtar”, duke qenë gjithnjë shembullore, ashtu siç i ka hije një realiteti si Kisha Katolike”. Këtë nënvizoi Papa në fjalën e përurimit të Viti juridik të Gjykatës të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, që u mbajt në Sallën e Bekimeve. “Të gjithë  punonjësit e këtij sektori e të gjithë titullarët me detyra institucionale - shtoi Françesku - duhet të kenë një sjellje që,  ndërsa bën kthesë, atje ku nevojitet  - përsa i përket së kaluarës - të jetë edhe i paqortueshëm e shembullor për të sotmen e të ardhmen”.

Fjalët e Papës i ndoqën, ndërmjet tjerësh, edhe kryeministri italian, Mario Draghi; Kryetari i Gjykatës, Giuseppe Pignatone dhe promotori i drejtësisë, Gian Piero Milano. Françesku kujtoi edhe kryetarin e Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, Giuseppe Dalla Torre, vdekur vitin e kaluar.

Në fjalimin e tij Papa u ndalua posaçërisht tek “modifikimet normative”, vënë në jetë vitin e kaluar, në Vatikan:

“Ata mund të jenë më energjike në atë masë, që shoqërohen me reformat e kohëve të fundit në fushën penale, posaçërisht lidhur me kundërvënien dhe zhdukjen e krimeve financiare si dhe me intensifikimin e veprimtarive të tjera, me synimin për t’i bërë më të lehtë e më të shpejtë si bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet organeve vatikanase të hetuesisë dhe instituteve homologe të kombeve të tjera, ashtu edhe nismat e marra nga Policia gjyqësore e shtetit tonë. Lidhur me këtë, është tashmë e domosdoshme të njihen e të përfshihen, përmes normave o protokolleve të mirëkuptimit, forma të reja e të afta bashkëpunimi, ashtu siç kërkohet nga Institucionet e vigjilencës të tregjeve financiare aktive në fushën ndërkombëtare”.

Kisha të japë shembullin e vet të mirë, të asaj që mëson

Françesku nxiti edhe që udhët e drejtësisë të shoqërohen me lutje, e ta dëshmojnë konkretisht e në mënyrë të besueshme, në rolet dhe detyrat përkatëse, “pasurinë e pafundme të vlerave, që e karakterizojnë misionin e Kishës katolike”. Duke iu drejtuar njerëzve, që janë të thirrur të punojnë për kauzën e drejtësisë, Papa kujtoi se në ikonografinë e krishterë “sytë e drejtësisë nuk janë të fashuar, por të drejtuar nga lart, drejt qiellit, sepse drejtësia e vërtetë mund të gjindet vetëm në qiell”:

“Ju nxis të reflektoni mbi faktin se duke kryer ditë për ditë punën tuaj të fshehur e durimtare, ju i jepni një kontribut të çmuar Kishës që, në këtë Shtet të vogël të Qytetit të Vatikanit, të përhapë shembullin e mirë të asaj, që mëson përmes magjisterit shoqëror. I ftoj, prandaj, ata që janë të thirrur të punojnë për kauzën e drejtësisë - virtyt i lartë themelor - të mos frikësohen se po humbasin kohë duke iu kushtuar pa kursim lutjes. Në lutje, e vetëm në të, ne marrim nga Zoti, nga fjala e Tij, atë kthjelltësi shpirtërore, që na krijon mundësinë t’i kryejmë detyrat tona me shpirtmadhësi, drejtësi, largpamësi”.

Salla e Bekimeve, që ndodhet ndërmjet Bazilikës së Shën Pjetrit e Sheshit, ishte korniza e fjalimit të Papës. Prej këtu - kujtoi Françesku - Papët  u jepnin besimtarëve, në solemnitetet e veçanta, bekimin Urbi et Orbi, Romës e Botës. Në anën e kundërt, Salla shikon navatën qendrore të Bazilikës, ku Lavdia e Shpirtit Shenjt shndrit absiden. Kështu e vendosur, ndërmjet Kolonatit të Berninit e varrit të Shën Pjetrit, salla nuk mund të mos pasqyrojë domethënien e detyrës së Kishës, “dërguar nga Krishti Zot, për të kryer misionin e shtyllës të së vërtetës”.

27 mars 2021, 14:32