Papa Françesku u takua me babain e vogëlushit Alan Kurdi

Në Erbil, Papa u takua me babain e Alan Kurdit, vogëlushit sirian të etnisë kurde, që u mbyt në bregdetin turk në shtator 2015, fotografia e të cilit u botua në mbarë botën, duke prekur ndërgjegjet e shumëkuj.

R. SH. - Vatikan

Papa u përqafua edhe me një atë, i biri i të cilit sot do të kishte qenë tetë vjeç. Të dielën e kaluar - u tregoi gazetarëve drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni - deshi të takojë, gjatë shtegtimit në Irak, në stadiumin “Franso Hariri”, në Erbil, Abdullah Kurdin, babain e Alanit të vogël, mbytur së bashku me të vëllain e të ëmën në bregdetin turk, në shtator 2015, ndërsa përpiqej, së bashku me familjen, të prekte brigjet e dëshiruara të Evropës.

Permendorja e Alan Kurdit, që Papa i dhuron Fao-s
Permendorja e Alan Kurdit, që Papa i dhuron Fao-s

“Papa - shpjegoi Bruni - u ndalua gjatë  me të e, me ndihmën e përkthyesit, mori pjesë në dhimbjen e këtij burri, që kishte humbur gjithë familjen.  Babai i përlotur i shprehu Papës mirënjohjen për fjalët me të cilat e ngushëlloi për tragjedinë e tij e të gjithë migrantëve që, me të drejtë, kërkojnë mirëkuptim, paqe e siguri, në sa largohen nga viset e tyre duke vënë në rrezik edhe jetën. Babai i fëmijës i dhuroi Papës një fotografi, ku duket i biri  pa jetë.

Nuk mund të mos mbetet në mendjen e zemrën e të gjithë njerëzve vullnetmirë pamja e atij fëmije tre vjeç, me triko të kuqe e pantallona  të shkurtëra blu, flakur në bregdert nga valët, që ia rrëmbyen ëndrrën për një ardhmëri më të mirë, kur të rritej. Po ai nuk u rrit kurrë. Mbeti vetëm tre vjeç, për t’u kujtuar të gjithë etërve fëmijët e tyre, e për t’ua shkundur ndërgjegjet. Foto dramatike, që mbetet simbol i migrimeve pa cak, të cilat vijojnë valë mbi valë….

Në Erbil, Papa u takua me babain e Alan Kurdit
Në Erbil, Papa u takua me babain e Alan Kurdit

Historia

Alani e familja e tij, sirianë me etni kurde, ndodheshin në një gomone të vogël, që u pëmbys pak pas nisjen nga Bodrumi, në Turqi. Në të ishin të paktën njëzet vetë, që shpresonin të arrinin në ishullin grek të Cooo, 4 kilometra larg. Ishte nata e 2 shtatorit 2015. Mëngjesin e së nesërmes  autoritetet turke u sinjalizuan për gjetjen e dy kufomave në bregdet. Trupin e njomë të Alanit e gjeti një barist, që shërbente në një hotel të plazhit turk. Ai e pa i pari e, me ndihmën e dy shokëve, i largoi  kufomat nga bregu,  që të mos rrëmbeheshin përsëri nga dallgët. Të nesërmen fëmija u varros bashkë me të ëmën, Rehana e vëllain Galib, pak më i madh se ai, edhe ata të mbytur në det. Një familje e tërë e zhdukur, ndërsa shpresonte të niste një jetë të re!

Vizatimi, që paraqet Alan Kurdin në bregun e detit
Vizatimi, që paraqet Alan Kurdin në bregun e detit

Fotografia

Fëmija u fotografua nga fotoreporteri turk Nilufer Demir. Një foto që halla e Alanit e komenton kështu: “Ka diçka tronditëse në këtë foto. Zoti ndezi dritën e tij mbi të, për të zgjuar botën”. Fotoja tashmë ka shtegtuar në gjithë Planetin, ka hyrë në të gjitha shtëpitë, për t’u kujtuar të gjithëve fatin e dhimbshëm të migrantëve. Në muajt e mëpasëm trupi pa jetë i Alanit, i flakur në breg nga valët, u paraqit nga artistët e të pesë kontinenteve, për ta mbajtur gjallë portretin e fëmijës!

08 mars 2021, 15:38