Audienca e Papës me pjesëmarrësit në Kursin XXXI mbi forumin e brendshëm, organizuar nga Lëmoshtaria Apostolike Audienca e Papës me pjesëmarrësit në Kursin XXXI mbi forumin e brendshëm, organizuar nga Lëmoshtaria Apostolike

Papa Françesku: rrëfyesi të jetë vëlla, atë e ngushëllues

“E dimë mirë se nuk janë ligjet ato që shpëtojnë: individi nuk ndryshon për shkak të një sërë urdhërimesh të thata, por për shkak të tërheqjes nga Dashuria e perceptuar dhe e ofruar pa interes”. Kështu tha Papa Françesku në audiencën me pjesëmarrësit në Kursin XXXI mbi forumin e brendshëm, organizuar nga Lëmoshtaria Apostolike, të cilët i nxiti të sillen si vëllezër e të jenë atërorë me besimtarët. “Më falni, që po rri ulur” – batuta e Atit të Shenjtë, që shpjegoi se këmbët e ndienin udhëtimin në Irak.

R.SH. - Vatikan

Në rrëfyestore gjejmë “një rreze dashurie mikpritëse”, e cila e shndërron “zemrën e gurit në zemër me mish e gjak”, që sjell ndryshime falë mëshirës dhe braktisjes “në krahët e kësaj dashurie”. Papa Françesku përdor fjalë plot pasion për të përshkruar fuqinë e Sakramentit të Pajtimit. E bën këtë në Sallën Pali VI në Vatikan, në audiencë me pjesëmarrësit e Kursit të 31-të mbi Forumin e Brendshëm, të organizuar nga Lëmoshtaria Apostolike që prej 8 marsit, ku morën pjesë 870 klerikë. Kurs, në kohën e Kreshmëve: “kohë shkretëtire dhe kthimi në fe, pendimi dhe pranimi të mëshirës hyjnore”.

Ekziston një “palestër”, që duhet frekuentuar nga të gjithë, nënvizoi Papa. E kjo është dashuria për të tjerët. Vetëm kështu mund t’i përgjigjemi dashurisë dhe mëshirës së Zotit me një “dashuri të mundshme” edhe për njeriun:

“Kush është mirëpritur nga Dashuria nuk mund të mos e mirëpresë vëllain. Kush e ka lëshuar veten në dorën e Dashurisë, nuk mund të mos ngushëllojë të vuajturit. Kush është falur nga Zoti, nuk mund të mos i falë vëllezërit e tij me gjithë zemër”.

Janë tri, shprehjet që orientojnë reflektimin e Papës. E para është “ta lëshosh veten në dorën e dashurisë”, që do të thotë të bësh “një akt të vërtetë feje”: “Zoti thërret dhe njeriu përgjigjet”. “Rrëfimi – nënvizoi Françesku - nuk është si të shkosh në lavanderi për të hequr ndonjë njollë, është krejt tjetër”.

“Feja është takim me Mëshirën, me vetë Zotin, që është Mëshirë, - emri i Zotit është Mëshirë – si edhe lëshim në krahët e kësaj Dashurie të mistershme dhe bujare, për të cilën kemi shumë nevojë, por duarve të së cilës, në disa raste, kemi frikë t’u besojmë”.

Rrëfimi bëhet për të kërkuar falje

         Para Zotit, vijoi Papa, shkojmë të penduar e gati për të kërkuar falje, duke e lënë Hyjin të na shndërrojë me dashurinë e vet pa interes. Shembull për këtë është vdekja e Jezu Krishtit në kryq për ne. Prandaj, rrëfyesi duhet ta lejojë këtë rreze drite hyjnore ta shndrisë zemrën e të penduarit.

         “Pendestari që, në bisedën sakramentore, takohet me një rreze të kësaj Dashurie mikpritëse, shndërrohet nga Dashuria, nga Hiri, duke filluar të përjetojë transformimin e zemrës së gurit në një zemër me mish e gjak - shndërrim, që ndjek çdo rrëfim. Edhe në jetën emocionale është kështu: ne ndryshojmë, për shkak të takimit me një dashuri të madhe”.

Palestra e çdo dite

         Ta lëshojmë veten në dorën e Zotit, të shndërrohemi prej Dashurisë së tij dhe të jemi gati për t’ua kthyer këtë dashuri vëllezërve. Kjo është rruga, që propozon Papa Françesku për të gjithë ata, që shkojnë të rrëfehen. Rrugë, që rrëfyestarët duhet ta njohin mirë.

         “Rrëfyesi i mirë, krahas primatit të dashurisë [hyjnore], propozon gjithnjë dashurinë e domosdoshme për të afërmin, si palestër e përditshme, në të cilën stërvitemi ta duam Zotin. Synimi për të mos bërë më mëkate është shenjë e vullnetit për t’iu përgjigjur Dashurisë hyjnore”.

Mos shkaktoni dhimbje të kota

         E duke pasur parasysh se shpesh, e kemi të vështirë të shkojmë në rrëfyestore, Papa përmendi poezinë e një meshtari argjentinas, që i kërkon Zojës ta lërë jashtë çelësin e Parrizit, nëse mëkaton sërish. Kjo është dhembshuria hyjnore, shpjegoi Papa, i cili u kujtoi rrëfyestarëve se edhe ata janë mëkatarë të penduar e të falur, prandaj, duhet të jenë të mëshirshëm, pa u bërë dorëlëshuar, por duke mbajtur qëndrimin e atit para besimtarit, jo atë të “sherifit që torturon”.

         “Të presim në paqe, të presim atërisht, secili prej jush e di vetë si e shpreh qëndrimin atëror: një buzëqeshje, sy paqësorë... Të presim, duke krijuar qetësi shpirtërore e, më pas, duke e lënë besimtarin të flasë. Ndonjëherë, rrëfyesi e kupton se ka një farë vështirësie për ta rrëfyer ndonjë mëkat; nëse e kuptoni, mos bëni pyetje të pamatura”.

         Gjatë përshëndetjeve të fundit, Papa Françesku u tha rrëfyesve t’ia besojnë shërbimin e tyre shën Jozefit, “njeriut të drejtë e besnik” ndaj Zotit. Pastaj, kërkoi falje, sepse qëndroi ulur “por - pohoi - pas udhëtimit këmbët fillojnë e ndihen”. Natyrisht, iu referua vizitës në Irak, vend nga i cili u kthye të hënën.

12 mars 2021, 13:55