Udhëtimi apostolik në Irak, çast nga takimi ndërfetar në Ur të Kaldeasve Udhëtimi apostolik në Irak, çast nga takimi ndërfetar në Ur të Kaldeasve

Papa Françesku dhe Islami, tri shtylla të një magjisteri

Një fill i kuq lidh fjalimet programatike të mbajtura në Baku, Kajro dhe Ur, duke dëshmuar nevojën për një fe të vërtetë, që na ndihmon të adhurojmë Zotin e t’i duam vëllezërit, si edhe të impenjohemi konkretisht për drejtësinë e paqen

ANDREA TORNIELLI

Ka një fill të kuq, që lidh tri ndërhyrje të rëndësishme të Papës Françesku për dialogun ndërfetar, në veçanti, për atë me Islamin. Është magjister, që na tregon udhën, piketuar nga tri pika referimi themelore: roli i fesë në shoqëri, kriteri i fesë së vërtetë dhe rruga konkrete për të ecur si vëllezër e për të ndërtuar paqen. I gjejmë në fjalimet, që Ipeshkvi i Romës mbajti në Azerbajxhan më 2016, në Egjipt më 2017 dhe tani, gjatë udhëtimit të tij historik në Irak, në takimin e paharrueshëm në Ur të Kaldeasve, qyteti i Abrahamit.

Fjalimi i parë pati si bashkëbisedues shiitët azerbajxhanas, por edhe bashkësitë e tjera fetare të vendit; i dyti iu drejtua kryesisht myslimanëve sunitë egjiptianë dhe së fundi; i treti, iu drejtua një auditori më të gjerë ndërfetar, megjithëse me shumicë myslimane, ku përfshiheshin edhe të krishterët e përfaqësuesit e feve të lashta të Mesopotamisë. Ajo që propozon dhe vë në jetë Papa Françesku nuk është një mënyrë për të harruar ndryshimet dhe identitetet e për të sheshuar gjithçka. Përkundrazi, është thirrje për t’i qëndruar besnikë identitetit vetjak fetar, në mënyrë që të refuzohet çdo shfrytëzim i fesë për të nxitur urrejtje, përçarje, terrorizëm, diskriminim e, njëkohësisht, t’u dëshmohet shoqërive gjithnjë e më të shekullarizuara se kemi nevojë për Zotin.

Në Baku, para shehut të myslimanëve të Kaukazit dhe përfaqësuesve të bashkësive të tjera fetare të vendit, Ati i Shenjtë kujtoi “detyrën e madhe” të feve, atë të “shoqërimit të njerëzve në kërkim të kuptimit të jetës, duke i ndihmuar ata të kuptojnë se aftësitë e kufizuara të qenies njerëzore dhe pasuritë e kësaj bote nuk duhet të bëhen kurrë absolute”. Në Kajro, duke folur në Konferencën Ndërkombëtare për Paqen, promovuar nga Imami i Madh i Al-Azharit, Al Tayyeb, Papa Françesku tha se Mali Sinai “na kujton, para së gjithash, që besëlidhja e vërtetë në tokë nuk mund të bëjë pa Qiellin, që njerëzimi nuk mund të mendojë të takohet në paqe duke e përjashtuar Zotin nga horizonti e as që mund të ngjitet në mal për t’u bërë zot i Hyjit”. Një mesazh shumë aktual përballë asaj, që Papa e quante “paradoks të rrezikshëm”, pra, nga njëra anë, prirja për ta kufizuar fenë vetëm në sferën private, “pa e njohur si përmasë themeltare të njeriut e të shoqërisë” dhe; nga ana tjetër, konfuzioni i dëmshëm ndërmjet sferës fetare dhe asaj politike.

Në Ur, të shtunën, më 6 mars, Papa Françesku kujtoi se nëse njeriu “e përjashton Zotin, përfundon në adhurimin e gjërave tokësore”. Ati i Shenjtë na ftoi t’i lartojmë “sytë drejt Qiellit”, duke e përcaktuar si “fe të vërtetë” atë, që adhuron Zotin dhe do të afërmin. Në Kajro, Papa pati shpjeguar se krerët fetarë janë të thirrur “ta demaskojnë dhunën, që fshihet pas asaj feje, e cila absolutizon egoizmin, në vend që t’ia hapë vërtet zemrën Absolutit” dhe “të denoncojnë shkeljet kundër dinjitetit e kundër të drejtave njerëzore, për të nxjerrë në dritë përpjekjet e justifikimit të çdo forme të urrejtjes në emër të fesë dhe për t’i dënuar ato si falsifikim idhujtar i Zotit”.

Në Baku, Papa theksoi detyrën e feve për të ndihmuar “në dallimin e së mirës dhe në zbatimin e saj me vepra, me lutje dhe me punën për shndërrimin e shpirtit, si edhe në ndërtimin e kulturës së takimit e të paqes, bërë me durim, mirëkuptim, me hapa të përvuajtur e konkretë”. Në kohë konfliktesh, fetë – pati thënë Pasardhësi i Pjetrit në Azerbajxhan – “të jenë agime paqeje, farë rilindjeje mes shkatërrimeve të vdekjes, jehona dialogu që përhapen pa pushim, udhë takimi e pajtimi për të arritur edhe atje, ku përpjekjet e ndërmjetësimit zyrtar duket se nuk japin asnjë fryt”.

Në Egjipt, Ati i Shenjtë pati shpjeguar se “asnjë nxitje për dhunë nuk do ta garantojë paqen” dhe se “për të parandaluar konfliktet dhe për të arritur paqen është thelbësore të punohet për të zhdukur varfërinë dhe shfrytëzimin, ku ekstremizmi ka më shumë gjasa të zërë rrënjë”. Fjalë, që jehuan edhe në fjalimin e mbajtur në Ur: “Nuk do të ketë paqe, pa bashkëndarje dhe pa i pranuar të tjerët, pa një drejtësi, që siguron barazi dhe promovim për të gjithë, duke filluar nga më të ligështit. Nuk do të ketë paqe, pa popuj që ua zgjasin dorën popujve të tjerë”.

Në tri ndërhyrjet papnore tregohet, pra, roli që ka feja sot në një botë ku mbizotëron konsumizmi dhe refuzimi i sakralitetit e ku ka prirje për ta kufizuar fenë në sektorin privat. Por ku ndihet nevoja, shpjegon Papa Françesku, për një fe të vërtetë, e cila nuk e ndan kurrë adhurimin e Zotit nga dashuria për vëllezërit dhe motrat.

Së fundi, Papa tregon një mënyrë për t’u siguruar që fetë të kontribuojnë në të mirën e shoqërive tona, duke kujtuar nevojën e impenjimit për çështjen e paqes dhe për t’iu përgjigjur problemeve dhe nevojave konkrete të më të fundmëve, të të varfërve, të të pambrojturve. Ëshhtë propozimi për të ecur krah për krah, “të gjithë vëllezër”, për të qenë konkretisht artizanë të paqes dhe të drejtësisë, pavarësisht nga dallimet, duke respektuar identitetin e secilit. Një shembull i kësaj rruge u përmend nga Ati i Shenjtë kur kujtoi ndihmën e të rinjve myslimanë për vëllezërit e tyre të krishterë në mbrojtjen e kishave në Bagdad. Një shembull tjetër u dha në Ur, nga dëshmia e Rafah Husein Baher, një grua irakiane e fesë sabee-mandease, e cila deshi të kujtojë sakrificën e Naxhajit, një burrë i fesë sabee-mandease nga Basra, i cili humbi jetën për të shpëtuar atë të fqinjit të tij mysliman.

10 mars 2021, 13:02