Raffaello Sanzio - Parnasi, detaji i Dantes, afresk 1508-11. Musei Vaticani, Palazzi Apostolici Vaticani, Stanze di Raffaello, Stanza della Segnatura ©Musei Vaticani  (FOTO © GOVERNATORATO SCV - DIREZIONE MUSEI VATICANI) Raffaello Sanzio - Parnasi, detaji i Dantes, afresk 1508-11. Musei Vaticani, Palazzi Apostolici Vaticani, Stanze di Raffaello, Stanza della Segnatura ©Musei Vaticani (FOTO © GOVERNATORATO SCV - DIREZIONE MUSEI VATICANI)

Papa: Dante, profet i shpresës e poet i mëshirës

Në Letrën Apostolike “Candor lucis aeternae”, botuar sot, Papa Françesku kujton 700-vjetorin e kalimit në amshim të Dante Alighieri-t, duke theksuar rëndësinë, pavdekshmërinë dhe thellësinë e fesë në “Komedinë Hyjnore”, kryevepër e të gjitha kohrave

R.SH. - Vatikan

700 vite pas vdekjes së tij në Ravenna të Italisë, më 1321, me shpirtin në dhimbje nga mërgimi prej Firences së tij të dashur, Dante Alighieri, autori i kryeveprës së njohur “Komedia Hyjnore”, ende na flet. Flet me ne, burra dhe gra të kohëve të sotme e na kërkon që jo vetëm ta lexojmë e ta studiojmë, por mbi të gjitha ta dëgjojmë dhe ta imitojmë në udhën e tij drejt lumturisë, drejt Dashurisë së pafund e të amshuar të Zotit. Kështu shkruan Papa Françesku në Letrën Apostolike “Candor lucis aeternae - Shkëlqim i jetës së amshuar”, botuar sot, 25 mars, në Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit e kushtuar atij, që quhet “poeti hyjnor”. Data nuk është e rastit: misteri i Mishërimit, që buron nga “Ja ku jam” e shën Marisë, është, në fakt, - shpjegon Papa – “qendra e vërtetë frymëzuese dhe bërthama thelbësore” e krejt “Komedisë Hyjnore”, e cila realizon “hyjnizimin”, ose “shkëmbimin e mrekullueshëm” ndërmjet Zotit, që “hyn në historinë tonë duke u mishëruar”, dhe njerëzimit, që “përfshihet në Zotin, tek i cili gjen lumturinë e vërtetë”.

E ndarë në nëntë paragrafe, Letra Apostolike hapet me një paraqitje të shkurtër të mendimit të Papëve të mëparshëm mbi Danten. Pastaj, Papa Françesku ndalet në jetën e Alighieri-t, duke e quajtur “paradigmë të gjendjes njerëzore” e duke nënvizuar “rëndësinë dhe pavdekshmërinë” e veprës së tij. Vërtet, ajo është “pjesë përbërëse e kulturës sonë - shkruan Papa - na çon në rrënjët e krishtera të Evropës dhe të Perëndimit, përfaqëson trashëgiminë e idealeve dhe të vlerave”, propozuar sot nga Kisha dhe shoqëria civile si “bazë e bashkëjetesës njerëzore”, në mënyrë që të jemi në gjendje “ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër”.

Dy, boshtet e “Komedisë Hyjnore” - shpjegon Papa Françesku – nga njëra anë, “dëshira, e shkruar në shpirtin njerëzor” dhe, nga ana tjetër, “lumnia, e cila jepet nga vizioni i Dashurisë, që është Zoti”. Prandaj, Dante është “profet i shpresës”: sepse me punën e tij, ai e nxit njerëzimin të çlirohet nga “pylli i errët” i mëkatit për të gjetur “rrugën e drejtë” e, për të arritur kështu, në “plotësinë e jetës në histori” dhe në “lumninë e amshuar të Zotit”. Udha e Dantes, “shtegtim” i vërtetë - thekson Ati i Shenjtë - është “realiste dhe e mundshme” për të gjithë, sepse “mëshira e Zotit na e jep gjithnjë mundësinë e ndryshimit e të kthesës”.

Papa i kushton një paragraf edhe Shën Françeskut, i cili në veprën e Dantes përshkruhet në “grupin e qashtër të të lumëve”. Ndërmjet Varfanjakut të Asizit dhe Poetit Suprem, Ati i Shenjtë sheh “një përkim të thellë”: vërtet, të dy iu drejtuan popullit, i pari, “duke shkuar mes njerëzve”, i dyti, duke zgjedhur të përdorë jo latinishten, por gjuhën popullore, “gjuhën e të gjithëve”. Gjithashtu, të dy ia hapën zemrën “bukurisë e vlerës” së Krijimit, pasqyrë e Krijuesit hyjnor. Artist gjenial, humanizmi i të cilit “mbetet akoma i vlefshëm dhe aktual”, Alighieri është edhe – pohon Papa Bergoglio – “pararendës i kulturës sonë multimediale”, sepse në veprën e tij, shkrihen “fjalët dhe imazhet, simbolet dhe tingujt”, duke formuar “një mesazh të vetëm”.

Duke lavdëruar, së fundi, mësuesit, që arrijnë ta “komunikojnë me pasion mesazhin dantesk dhe thesarin kulturor, fetar e moral” të veprës së tij, Françesku kërkon që kjo “trashëgimi” të mos mbetet e mbyllur në klasat e shkollës dhe të universitetit, por të bëhet e njohur dhe të përhapet falë impenjimit të bashkësive të krishtera dhe të shoqatave kulturore. U bëhet thirrje për këtë edhe artistëve: Françesku i inkurajon “t’i japin formë poezisë së Dantes në udhën e bukurisë”, në mënyrë që të përhapin “mesazhe paqeje, lirie dhe vëllazërimi”. Detyrë tejet e rëndësishme, në këtë çast historik, karakterizuar nga hije, degradim dhe nga mungesë besimi në të ardhmen, nënvizon Papa. Kryepoeti - përfundon Ati i Shenjtë Letrën e tij Apostolike - mund të “na ndihmojë të ecim me qetësi dhe guxim në shtegtimin e jetës dhe të fesë, derisa zemra jonë të gjejë paqen dhe gëzimin e vërtetë”, domethënë “dashurinë që lëviz diellin dhe yjet e tjera”.

25 mars 2021, 13:31