Nigeri dhe Australia, në zemrën e Françeskut

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa i shprehu dhimbjen dhe afërsinë e tij Nigerit, vend afrikan, i dëmtuar rëndë nga një sërë sulmesh gjakatare terroriste e edhe Australisë, që po kalon çaste të vështira për shkak të përmbytjeve të këtyre ditëve. Më pas Françesku kujtoi Ditën Botërore kundër tuberkulozit e, në gjuhën polake, Ditën për jetën.

R. SH. - Vatikan

Shkoi në Niger, mendimi i parë i Papës, në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme. Vendi afrikan është në zi pas një sulmi xhihadist, më i rëndi në historinë e kombit. Thellësisht i shqetësuar nga lajmet, që vijnë nga Nigeri, ku vijojnë sulmet terroriste, Papa kujtoi me dhimbje mbarë popullsinë e vendit të gjakosur nga dhuna, që shkaktoi vdekjen e 137 vetëve.  Por po të llogariten  gjithë të vrarët e këtyre ditëve, janë më se 200:

“Mësova me dhimbje lajmin e sulmeve të fundit terroriste në Niger, që shkaktuan vdekjen e 137 vetëve. Të lutemi për viktimat, për familjet e tyre, për mbarë popullsinë, që dhuna e ushtruar të mos i bëjë ta humbasin besimin në udhën drejt demokracisë, të drejtësisë e të paqes”.

Australia e sulmuar nga ujërat

Papa kujtoi, në përfundim të audiencës, edhe Australinë që, në këto ditë të fundit të dimrit – e të para të pranverës - “u sulmua” nga shira të denduara, që shkaktuan përmbytje me pasoja të rënda mbi tokat dhe shtëpitë e banorëve:

“Jam pranë njerëzve e familjeve të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore, posaçërisht atyre, të cilëve iu rrënuan shtëpitë. I nxis njerëzit, që po përpiqen të gjejnë të humburit e të çojnë ndihmat, aq të nevojshme në këto çaste”.

Dita kundër tuberkulozit

Por, para se t’i printe Atynës, Papa nuk harroi as Ditën e sotme botërore për luftën kundër tuberkulozit, sëmundje që shkenca mjekësore vijon ta studiojë, për të gjetur vaksinën dhe mjekimet e duhura. Tbc-ja nuk është mundur akoma. Vijon të jetë  një nga shkaktaret kryesore  të vdekjeve në mbarë botën. Ndaj Papa u lut:

“I dhëntë kjo ditë një nxitje të re mjekimit të sëmundjes dhe solidaritetit ndaj atyre, që vuajnë. I lutem Zotit t’i ngushëllojë ata e  familjet e  tyre”.

Thirrje ndërgjegjeve në favor të jetës

Gjatë përshëndetjeve në gjuhën polake, Ati i Shenjtë kujtoi se në Poloni, sot e nesër, kremtohen Ditët për Jetën, me urimin që në mbarë botën të thellohet ndjeshmëria për mbrojtjen e jetës:

“Sot në Poloni kremtohet Dita Kombëtare e Jetës, shpallur nga Parlamenti në vitin 2004. Nesër, në Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit, Kisha në Poloni do të kremtojë Ditën për shenjtërimin e Jetës. Me ndërmjetësimin e Marisë, Nënës së Zotit, lutuni që në mbarë botën të thellohet ndjeshmëria e ndërgjegjeve, në familje, në Kishë e në shoqëri,  për vlerën e jetës njerëzore në çdo etapë e çdo gjendje. Ju bekoj me zemër!”.

 Ishin këto çastet që Papa i jetoi simbolikisht pranë vendeve të botës, të goditura nga fatkeqësi të ndryshme, nga armët - tek sëmundjet e  përmbytjet, duke u çuar njerëzve ngushëllimin e Tij e të Kishës.

24 mars 2021, 13:24