Kërko

Papa: lutja e Engjëllit të Tënzot Papa: lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa Françesku: kush dëshiron ta shohë Jezusin, të shikojë kryqin

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa kujtoi përgjegjësinë e madhe të të krishterëve e të bashkësive tona. “Edhe ne - nënvizoi - duhet të japim përgjigje me dëshminë e jetës, që dhurohet në shërbim”. Pa harruar kurrë se në atë çast që vdes fara, nis mugullimi i jetës së re”.

R. SH. - Vatikan

Ia kushtoi komentit të Ungjillit të kësaj së dieleje, e pesta e Kreshmëve, Papa, fjalët e para të lutjes së Engjëllit të Tënzot. E pikërisht fragmentit, në të cilin Shën Gjoni  tregon një ngjarje, që ndodh në ditët e fundit të jetës së Krishtit, pak para mundimeve.

Dëshirë për ta parë Jezusin

Ndërsa Jezusi ndodhej në Jeruzalem për festën e Pashkëve - kujtoi Françesku - disa grekë, të shtyrë nga kureshtja, shprehën dëshirën ta shikonin. Si iu afruan Filipit Apostull, i thanë: “Duam ta shikojmë Jezusin”. Filipi foli me Andreun e pastaj, së bashku, e njoftuan Jezusin. Në kërkesën e këtyre grekëve - kujtoi Papa - mund të shikojmë  kërkesën që shumë burra e gra,  nga çdo kohë e çdo vend, ia drejtojnë Kishës e edhe secilit prej nesh: “Duam ta shikojmë Jezusin!”.

Nëse doni të më njihni, shikoni Kryqin!

E si i përgjigjet Jezusi kësaj kërkese? - pyeti Papa, për t’u përgjigjur sakaq: “Në një mënyrë që të bën të mendohesh. U thotë kështu: “Erdhi ora që Biri i njeriut të lumnohet […]. Nëse kokrra e grurit, e rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme; por nëse vdes, prodhon shumë fryt”. Por këto fjalë duket sikur nuk i përgjigjen pyetjes, që bënë grekët. Në të vërtetë - shpjegoi Papa - ata shkojnë përtej:

“Jezusi u shpjegon se ai është fara e fshehur, gati për të vdekur, që të japë shumë fryt. Si të donte të thoshte: nëse dëshironi të më njihni e të më kuptoni, shikojeni kokrrën e grurit që vdes kur bie në tokë, shihni kryqin!”.

Kryqi në shekuj, simbol i të krishterit

E këto fjalë të bëjnë të mendosh menjëherë për shenjën e kryqit, që është në shekuj emblema e të krishterëve. E kush do edhe sot “ta shohë Jezusin”, edhe kur ndoshta vjen nga vende e kultura ku krishterimi njihet shumë pak, çka shikon para së gjithash? Cila është shenja më e zakonshme, që takon? Kryqi!

“Në Kisha, në shtëpitë e të krishterëve, edhe varur në trupat e tyre. Rëndësi ka që shenja të jetë në përkim të plotë me Ungjillin: kryqi nuk mund të shprehë tjetër gjë, veçse dashurisë, shërbimit, dhurimit pa asnjë rezervë të vetvetes: vetëm kështu është me të vërtetë ‘druri i jetës’, i jetës plot begati”.

Të mbjellim farë dashurie, jo me fjalë, por me shembull

Edhe sot shumë njerëz - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit - shpesh edhe pa e thënë drejtpërdrejt, do të dëshironin ta shikojnë Krishtin, ta takojnë, ta njohin!

Prej këndej kuptohet përgjegjësia e madhe që kemi ne, të krishterët e edhe bashkësitë tona. Edhe ne duhet të përgjigjemi me dëshminë e një jete, që dhurohet në shërbim:

“Duhen mbjellë farë dashurie jo me fjalë, që fluturojnë, po me shembuj konkretë, të thjeshtë të guximshëm. Jo me dënime, po me gjeste konkrete!”.

 Atëhere - nënvizoi Papa - Zoti, me  hirin e Tij, na bën të sjellim fryte edhe në tokë  skerkë, për shkak të moskuptimeve, vëshirësive, persekutimeve. Pikërisht atëhere, në provën e vetmisë, ndërsa fara vdes, është çasti në të cilin jeta mbin për të prodhuar fryte, që  piqen kur u vjen koha e vet:

“E në këtë ndërthurje të jetës me vdekjen mund të provojmë gëzimin  dhe fekonditetin e  vërtetë të dashurisë”.

Këtë theksoi Papa në Engjëllin e sotëm të Tënzot - në sa Pashkët afrohen - për të përfunduar, si zakonisht, me një lutje,  drejtuar Zojës së Bekuar:

“Virgjëra Mari na ndihmoftë ta ndjekim Jezusin, të ecim të fortë e të gëzuar në udhën e shërbimit, që dashuria e Krishtit të shndrisë në çdo sjellje tonën e të bëhet gjithnjë e më shumë stil i jetës sonë të përditshme”.

21 mars 2021, 14:44

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >