Papa në meshën e Erbilit: Kisha në Irak është e gjallë

T’i largohemi tundimit të hakmarrjes me forcën, që vjen nga Jezusi. Kështu tha Papa Françesku në meshën që kryesoi në stadiumin Franso Hariri të Erbilit, etapa e fundit e vizitës së tij në Irak, nga ku do të largohet nesër në mëngjes. Si Jezusi, që dëboi tregtarët nga tempulli, ashtu edhe ne jemi të thirrur t’i “pastrojmë zemrat” nga tundimet dhe logjikat njerëzore, të bëhemi “artizanë të një rendi të ri shoqëror”, në të cilin nuk ka vend për dhunë e dyfytyrësi

R.SH. - Vatikan

“Iraku do të mbetet gjithmonë në zemrën time”: me këto fjalë, Papa Françesku u përshëndet me Kishën Katolike, me përfaqësuesit e traditave të tjera të krishtera, si edhe me ata të feve të tjera, në Irak, nga i cili do të largohet nesër paradite. Shtegtimi i 33-të apostolik i Atit të Shenjtë përfundoi me meshën në stadiumin Franso Hariri të Erbilit, i cili nga vetë emri i guvernatorit të qytetit, vrarë nga terroristët e grupit Ansar al-Islam, dëshmon edhe një herë plagët e shkaktuara nga xhihadistët në Irak.

Në homelinë e meshës, Papa Françesku komentoi Ungjillin e leximet liturgjike të ditës, duke i lidhur me gjendjen aktuale në vend.

Të mos i përgjigjemi dhunës me forcën njerëzore

“Këtu në Irak, - nënvizoi Ati i Shenjtë Françesku, duke përmendur fjalët e shën Palit në Letrën e parë drejtuar Korintasve, ku shkruhet se Krishti është fuqia dhe urtia e Zotit - sa nga vëllezërit dhe motrat, miqtë dhe bashkëqytetarët tuaj bartin plagë të luftës e të dhunës, plagë të dukshme e të padukshme! Tundimi është t’u përgjigjemi këtyre dhe fakteve të tjera të dhimbshme me forcën njerëzore, me urtinë njerëzore. Përkundrazi, Jezusi na tregon udhën e Zotit, atë të përshkuar prej Tij, në të cilën jemi të thirrur ta ndjekim”.

Të purifikojmë zemrat

 Ungjilli i sotëm, marrë nga kreu 2 i shën Gjonit, paraqet Jezu Krishtin që përzë tregtarët nga Tempulli i Jeruzalemit, me ndjetin për të purifikuar jo vetëm ndërtesën, por tempullin e Zotit në shpirtin tonë, theksoi Papa.

“Zemra duhet pastruar, duhet ndrequr, duhet purifikuar. Nga çfarë? Nga gënjeshtrat që e ndotin, nga dyfytyrësia e hipokrizisë. Të gjithë i kemi këto. Janë sëmundje, që lëndojnë zemrën, që njollosin jetën, e bëjnë atë me dy fytyra. Kemi nevojë të pastrohemi nga siguritë tona mashtruese, që bëjnë tregti me fenë në Zotin, duke e këmbyer me sende që kalojnë, me leverditë e çastit. Kemi nevojë t’i shkulim nga zemrat tona dhe nga Kisha sugjerimet e dëmshme të pushtetit e të parasë”.

Na duhet ndihma e Jezu Krishtit

Papa vijoi komentin e Ungjillit, duke përshkruar si mund të purifikohet zemra. Të vetëm, nuk jemi në gjendje, theksoi ai, na duhet ndihma e Jezu Krishtit, i cili u thotë hebrenjve ta shkatërrojnë Tempullin e Ai vetë do ta ndërtojë brenda tri ditëve. Natyrisht, fliste për ringjalljen e vet, duke dëshmuar se është i vetmi, që mund të na pastrojë nga mëkatet e të na çlirojë nga botëkuptimi ynë mbi fenë, mbi familjen, mbi bashkësinë, sa herë që kemi tundime, të cilat nuk përkojnë me këndvështrimin ungjillor. Na thotë të mos kërkojmë hakmarrjen, vijoi Papa, e cila na çon veç drejt spiraleve të dhunës pa fund. Përkundrazi, të dëshmojmë Ungjillin, që ka fuqi të na e shndërrojë jetën, duke na bërë artizanë të një rendi të ri shoqëror.

“Zoti na premton se, me pushtetin e Ringjalljes së tij, mund të na ringjallë edhe ne e bashkësitë tona prej rrënojave të shkaktuara nga padrejtësia, përçarja dhe urrejtja. Është premtimi, që kremtojmë në këtë Eukaristi. Me sytë e fesë, ne e njohim praninë e Zotit të kryqëzuar dhe të ringjallur në mesin tonë, mësojmë ta mirëpresim urtinë e tij çliruese, të pushojmë në plagët e tij dhe të gjejmë shërim dhe forcë për t’i shërbyer Mbretërisë së tij, që vjen në botën tonë”.

Ndihma e Kishës në Irak

Papa u jep shpresë besimtarëve të krishterë irakianë, duke u thënë se po bëjnë shumë për ta shpallur këtë urti, duke qëndruar në fe e duke u kapur fort pas mëshirës e faljes së Krishtit.

“Edhe në mes të varfërisë dhe të vështirësive të mëdha, shumë prej jush u kanë ofruar bujarisht ndihmë dhe solidaritet konkret të varfërve dhe të vuajturve. Kjo është një nga arsyet, që më shtyu të vij në shtegtim ndërmjet jush për t’ju falënderuar dhe për t’ju përforcuar në fe e në dëshmi”.

Përshëndetjet përfundimtare

Në përshëndetjet përfundimtare, Papa pati fjalë të sinqerta vlerësimi për të krishterët e traditave të tjera, përfaqësuar në meshë nga Katolikosi-Patriark i Kishës Asire të Lindjes, Mar Geëargis III. “Martirët tanë – i tha – shndrisin së bashku, yje në të njëjtin qiell!”.

Pastaj përshëndeti autoritetet katolike e ato civile, duke vënë në dukje se gjatë ditëve të kaluara në Irak, dëgjoi zërat e dhimbjes e të ankthit, por edhe ato të shpresës e të ngushëllimit. E kjo, në një pjesë të madhe, është meritë e veprave të mira, që kryen Kisha dhe organizatat bamirëse të saj në vend. “Iraku – përfundoi Ati i Shenjtë Bergoglio -  do të mbetet gjithnjë në zemrën time. U kërkoj të gjithëve, të dashur vëllezër e motra, të punoni së bashku, në unitet, për një ardhmëri në paqe e begati, që nuk lë askënd mbrapa e nuk diskriminon askënd”. Lutjet e Papës Françesku për anëtarët e bashkësive fetare dhe për të gjithë njerëzit vullentmirë i shoqëruan pjesëmarrësit në meshë gjatë kthimit nëpër shtëpi, së bashku me përshëndetjen e Atit të Shenjtë

“Salam, salam, salam! Shukran! (faleminderit)… Allah ma’akum (Zoti qoftë me ju)”

07 mars 2021, 16:14