Lutja e bijve të Abrahamit: “Hapi zemrat tona për faljen e anasjelltë”

Në përfundim të takimit ndërfetar, në Rrafshin e Urit të kaldenjve jehoi një lutje e frymëzuar nga figura e Patriarkut, Abrahamit, atit të përbashkët në fe për të krishterët, hebrenjtë e myslimanët, “shembull guximi, qëndrese e force shpirtërore”.

R.SH. - Vatikan

Bij e bija të Abrahamit e të gjithë vëllezër! Traditat e mëdha fetare të hebraizmit, krishterimit e islamit gërshetohen me gjurmët e hapave lënë mbi tokën e Mesoptamisë e në histori nga një burrë, Abrahami, që i besoi pa asnjë luhatje Zotit. Në Kuran thirret “miku i Zotit” (Khalîl Allâh). Në Librin e Zanafillës, Zoti i drejton këto fjalë: “Nisu nga vendi yt, nga atdheut, nga shtëpia e atit tënd, drejt vendit, që do të ta tregoj”. Është qyteti i lashtë i Ur-it të kaldenjve, atdheu i Abrahamit. Vendi, nga i cili Patriarku i parë flet, për herë të parë, me Zotin. I beson fjalës së Zotit, që i kërkon të flijojë të birin e vetëm, Isakun. Në këtë copë truall të Mesopotamisë së lashtë, nis misioni i Abrahamit, që i lidh thellësisht fatet e hebrenjve, të krishterëve e myslimanëve.

Mbi gjurmët e Abrahamit

Nga Rrafshi i Ur, ku Abrahami mori thirrjen për ta lënë atdheun e tij - në përfundim të takimit u lartua drejt qiellit zëri i Papës Françesku dhe i liderëve të tjerë fetarë, një lutjen drejtuar Zotit të gjithëpushtetshëm, “Krijuesit tonë”, që e do familjen njerëzore. Lutja e bijve të Abrahamit, e intonuar në gjuhën arabe nga një frat, u hap me falënderimin drejtuar Zotit për dhuratën “e atit të përbashkët në fe”:

“Të falënderojmë, o Zot, për shembullin e Abrahamit si njeri i fesë, që t’u bind deri në fund të fundit! Të falënderojmë, sepse duke bekuar atin tonë, Abrahamin, bëre prej tij një bekim për mbarë popujt. Një bir i shquar i kësaj toke fisnike, që përveçse dëshmoi fe heroike e dha një shembull të shquar guximi, durimi e force shpirtërore, bujarie e mikpritjeje - u kujtua në lutje - besoi në Ty, që je mëshirëmadh e hap gjithnjë mundësi të reja për të rifilluar”.

Një fe, që i hap zemrat

Pasi përfundoi pjesa e parë e takimit ndërfetar dhe fjalimi i Papës, i përqendruar mbi Abrahamin, atin e përbashkët, që “diti të shpresojë kundër çdo shprese”, në lutjen e lartuar nga Rrafshi i Ur, që iu drejtua Zotit, u ndje shija e dialogut të bijve me Atin:

“Të kërkojmë, o Zot i atit tonë, Abrahamit e Zoti ynë, të na japësh fe të fortë, që na nxit të bëjmë mirë; na jep fe, që i hap zemrat tona për Ty e për të gjithë vëllezërit e motrat; e na dhuro një shpresë të pathyeshme, të aftë për ta parë kudo besnikërinë e premtimeve tua”. “Bëje secilin prej nesh dëshmitar të kujdesit tënd dashamir për të gjithë, posaçe për refugjatët, për të shpërngulurit, jetimët, të varfërit e të sëmurët!”.

Bij e vëllezër

Lutja e bijve të Abrahamit, që u tha në përfundim të takimit ndërfetar, vezulloi përmes foljeve të cilat, nga bota e plagosur, e sot e tronditur nga prova të vështira, u lartuan si fjolla kemi drejt qiellit:

“Hapi zemrat tona për faljen e anasjelltë”. “Pranoji në banesat tuaja të paqes e të dritës, gjithë të vdekurit, posaçërisht viktimat e dhunës e të luftërave”. “Ndihmoji autoritetet civile t’i gjejnë njerëzit e rrëmbyer e të mbrojnë posaçërisht gratë e fëmijët”. “Na ndihmo të kujdesemi për planetin”. “Forcoji duart tona për rindërtimin e këtij vendi”.

Ishin fjalë drejtuar Zotit për t’ua hapur zemrat hebrenjve, të krishterëve, myslimanëve dhe mbarë njerëzve. Që ta pranojnë se janë të gjithë vëllezër, bij të të njëjtit Atë!”

Lutja e bijve të Abrahamit

O Zot i gjithëpushtetshëm, Krijuesi ynë, që e do familjen njerëzore dhe gjithçka krijuan duart e tua: ne, bijtë e bijat e Abrahamit, që i përkasim hebraizmit, krishterimit e islamit, së bashku me besimtarët e tjerë  dhe me të gjithë njerëzit vullnetmirë, të falënderojmë që na dhurove si atë të përbashkët Abrahamin, bir i ndritur i kësaj toke të dashur e fisnike.

Të falënderojmë për shembullin e tij të guximshëm, qëndrueshmërinë e  forcën e shpirtit, bujarinë e mikpritjen, që na i dhuroi ati ynë në fe.

Të falënderojmë, posaçërisht, për besën e tij heroike, të cilën e dëshmoi me gatishmërinë për të flijuar të birin, që t’i përgjigjej urdhërimit Tënd! E dimë se ishte një provë tejet e vështirë, nga e cila, megjithatë, doli fitimtar, sepse të besoi, o Zot, pa asnjë ngurrim Ty, që je i mëshirshëm e krijon gjithnjë mundësi të reja për të rifilluar nga e para.

Të falënderojmë sepse, duke e bekuar atin tonë, Abrahamin, e bëre bekim për gjithë popujt.

Të kërkojmë, o Zot i atit tonë Abrahamit e Zoti ynë, të na japësh fe të fortë, që punon për të mirën; fe, që i hap zemrat për Ty e për gjithë vëllezërit e motrat tona: e shpresë të pathyeshme, të aftë për ta parë kudo besnikërinë e premtimeve tua.

Bëje, të lutemi, secilin nga ne, dëshmitar të kujdesit tënd të ëmbël e të dhembshur për të gjithë, posaçërisht për refugjatët e të shpërngulurit, vejushat e jetimët, të varfërit e të sëmurët.

Hapi zemrat tona për ndjesën e anasjelltë e na bëj mjete të pajtimit, ndërtues të një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore.

Pranoji në banesën tënde të paqes e të dritës, gjithë të vdekurit, posaçërisht viktimat e dhunës e të luftërave.

Mbështeti autoritetet civile në kërkimin dhe gjetjen e njerëzve të rrëmbyer e në mbrojtjen e grave dhe të fëmijëve.

Ndihmona të kujdesemi për planetin, shtëpi e përbashkët që, me mirësinë dhe bujarinë tënde, na e dhurove të gjithëve.

Forcoji duart tona, ndërsa ndërtojmë këtë vend, e na e jep forcën e nevojshme për t’i ndihmuar të gjithë ata, që u detyruan t’i lënë strehët e tyre e trojet e tyre, të kthehen përsëri me siguri e dinjitet, për të nisur një jetë  të re, të qetë e të begatë. Amen!

06 mars 2021, 11:14