Udha e Kryqit Udha e Kryqit 

Kremtimet e Papës për Javën e Madhe të Pashkëve

Salla vatikanase e Shtypit jep njoftimin për veprimtaritë e Papës, nga e Diela e Larit - tek e Hëna pas Pashkëve, në regjimin e kufizimeve për Covidin. Mesha e Darkës së Mbrame do të kryesohet nga kardinali Re, ndërsa Udha e Kryqit, në tremen e Shën Pjetrit, do të shoqërohet me meditimet e skautëve të Umbries dhe të një famullie romake si dhe me vizatimet e fëmijëve dhe të rinjve të dy shtëpive-familje romake.

R. SH. - Vatikan

Dymbëdhjetë muaj pas Pashkëve 2020, liturgjitë kryesore të vitit kanë të bëjnë përsëri me pandeminë, edhe në zemrën e krishtërimit. Prandaj Java e Madhe e Françeskut do t’i ketë kohët dhe ritmet të modeluara nga kërkesat, që imponon Covidi, ndërmjet të cilave, mungesa e turmave, të cilat popullojnë zakonisht takimet, duke nisur nga e Diela e Larit - deri tek ajo e Pashkëve.

Mesha e Bagmit e së Enjtes së Madhe

Duke komunikuar, sot pasdite, hollësitë e takimeve papnore, Salla vatikanase e Shtypit saktësoi se të gjitha do të zhvillohen me praninë e kufizuar të besimtarëve, për të respektuar, kështu, “masat shëndetësore të parashikuara”. Takimet e Javës së Madhe të Pashkëve do të hapen me Meshën e së Dielës së Larit, në program më 1 prill, në orën 10.00, si zakonisht, në Altarin e Katedrës, kryesuar nga Papa, prania e të cilit, ndërkaq, nuk parashikohet në orën 18.00 për kremtimin in Coena Domini, që do të kryesohet nga kardinali dekan i Kolegjit, Giovanni Battista Re.

Udha e Kryqit edhe sivjet, në tremen e Bazilikës

Kremtimet e tjera të Françeskut për të Premten e Madhe janë në program për orën  18.00, me Mundimet e Krishtit, në Shën Pjetër, e, tri orë më pas, në orën 21.00, me Udhën e Kryqit në mondovizion, edhe një herë larg Koloseumit, në Tremen e Bazilikës së Vatikanit. Sivjet - njofton përmes një deklarate drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni, përgatitjet për meditimet iu besuan  Grupit Skaut Agesci “Foligno I”(Umbria) dhe Famullisë romake të Shenjtorëve Martirë të Ugandës. Gjë e veçantë në këtë kremtim do të jenë vizatimet e realizuara nga fëmijët dhe të rinjtë  e Shtëpisë-Familje “Nëna e Mëshirës Hyjnore” dhe të Shtëpisë-Familje “Çatia Casal Fattoria”, që të dyja në Romë, e para e drejtuar nga Bijat e Zojës së Dashurisë Hyjnore, e dyta, nga një shoqatë vullnetare.

Në orën 19.30 të së Shtundes së Madhe Papa do të jetë përsëri në Altarin e Katedrës për nënën e të gjitha netëve pa gjumë e, më pas, të diel, në orën 10.00, në Bazilikën e Vatikanit, për kremtimin e Meshës së Pashkëve, që do të përfundojë me Mesazhin tradicional dhe bekimin “Urbi et Orbi”- Romës e Botës. Të nesërmen, e Hëna e Engjëllit, kremtimi i parë i Mbretëreshës Qiellore, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik.

23 mars 2021, 15:52