2020.04.10 Adorazione della Croce 2020.04.10 Adorazione della Croce 

Kremtimet e Papës për Javën e Madhe. Udha e Kryqit, në Shën Pjetër, me pak besimtarë

Salla vatikanase e Shtypit jep njoftimin për veprimtaritë e Papës, nga e Diela e Larit - tek e Hëna pas Pashkëve, në atmosferën e kufizimeve për Covidin. Mesha e Darkës së Mbrame do të kryesohet nga kardinali Re, ndërsa të Premten e Madhe, në orën 21 në mondovizion Udha e Kryqit, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, e shoqëruar me meditimet e skautëve të Umbries dhe të një famullie romake si dhe me vizatimet e fëmijëve dhe të rinjve të dy shtëpive-familje romake.

R. SH. - Vatikan

Dymbëdhjetë muaj pas Pashkëve 2020, liturgjitë kryesore të vitit kanë të bëjnë përsëri me pandeminë, edhe në zemrën e krishtërimit. Prandaj Java e Madhe e Françeskut do t’i ketë kohët dhe ritmet të modeluara nga kërkesat, imponuar nga Covidi, ndërmjet të cilave, mungesa e turmave, që popullojnë zakonisht takimet, duke nisur nga e Diela e Larit - deri tek ajo e Pashkëve. Të martën e kaluar Salla vatikanase e Shtypit duke komunikuar hollësitë e takimeve papnore, saktësoi se të gjitha do të zhvillohen me praninë e kufizuar të besimtarëve, për të respektuar, kështu, “masat shëndetësore të parashikuara”.   

Mesha e Bagmit e së Enjtes së Madhe

Takimet e Javës së Madhe të Pashkëve u hapen dje, me Meshën e së Dielës së Larit, kryesuar nga Papa, që i ftoi besimtarët të mahniten nga Kryqi i Krishtit.

 Mesha e Bagmit e së Enjtes së Madhe, do të kremtohet më 1 prill, në orën 10.00, në Altarin e Katedrës, kryesur nga Papa, prania e të cilit, ndërkaq, nuk parashikohet në orën 18.00 për kremtimin in Coena Domini, që do të kryesohet nga kardinali dekan i Kolegjit, Giovanni Battista Re.

Udha e Kryqit edhe sivjet, në tremen e Bazilikës

Dy kremtimet e tjera të Françeskut për të Premten e Madhe janë në program për orën  18.00, me Mundimet e Krishtit, në Shën Pjetër, e, tri orë më pas, në orën 21.00, me Udhën e Kryqit në mondovizion, edhe një herë larg Koloseumit, në Tremen e Bazilikës së Vatikanit. Sivjet - njoftoi përmes një deklarate drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni, përgatitjet për meditimet iu besuan  Grupit Skaut Agesci “Foligno I”(Umbria) dhe Famullisë romake të Shenjtorëve Martirë të Ugandës. Gjë e veçantë në këtë kremtim do të jenë vizatimet e realizuara nga fëmijët dhe të rinjtë  e Shtëpisë-Familje “Nëna e Mëshirës Hyjnore” dhe të Shtëpisë-Familje “Çatia Casal Fattoria”, që të dyja në Romë, e para e drejtuar nga Bijat e Zojës së Dashurisë Hyjnore, e dyta, nga një shoqatë vullnetare.

Në orën 19.30 të së Shtundes së Madhe, 3 prill,  Papa do të jetë përsëri në Altarin e Katedrës për nënën e të gjitha netëve pa gjumë, atë të Ngjalljes së Krishtit, e, më pas, të Dielën e Pashkëve, në orën 10.00, në Bazilikën e Vatikanit do të kremtohet Mesha, që do të përfundojë me Mesazhin tradicional dhe bekimin “Urbi et Orbi”- Romës e Botës.

Të nesërmen, e Hëna e Engjëllit, kremtimi i parë i Mbretëreshës Qiellore, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik.

29 mars 2021, 11:45