Kërko

Në audiencën e përgjithshme, shtegtimi apostolik në Irak Në audiencën e përgjithshme, shtegtimi apostolik në Irak 

Papa Françesku: sfida për Irakun e për botën është vëllazërimi

Ishin pamjet dhe fjalët lidhur me shtegtimin e 33-të apostolik, në qendër të vëmendjes, në audiencën e sotme të përgjithshme të Papës. “E ndjeva fort, kujtoi Ati i Shenjtë, domethënien pendestare të këtij shtegtimi. E njëkohësisht pashë rreth meje gëzimin, që buronte nga pritja e lajmëtarit të Krishtit”.

R. SH. - Vatikan

Nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, shikimi i Papës u drejtua kah Iraku, vendi që deshi aq shumë ta përqafonte e që e vizitoi më 5 deri më 8 mars. Përmes fjalëve të Papës, shndritën përsëri shpresat e u ridukën edhe një herë fytyrat e njerëzve, që i takoi në Najaf, në Rrafshin e Ur, në Erbil, në Mosul, në Karakosh, në Bagdad:

“Këto ditë Zoti më ndihmoi të vizitoj Irakun, duke realizuar, kështu, një plan të Gjon Palit II. Shkela në tokën e Abrahamit, ku nuk kishte shkelur kurrë ndonjë Papë. Provania Hyjnore - kujtoi - deshi që kjo të ndodhte tani, si shenjë shprese, pas viteve të gjata të luftës, terrorizmit, pandemisë”.

Falënderim, gjithë irakianëve

Françesku, tejet i emocionuar, i shprehu mirënjohjen e tij Zotit dhe të gjithë atyre, që e bënë të mundur këtë shtegtim të ëndërruar, të jashtëzakonshëm: duke nisur nga presidenti i Republikës e nga qeveria e Irakut, për të vijuar me patriarkët e ipeshkvijtë e vendit, ministrat e besimtarët e Kishave të ndryshme e duke kujtuar me mirënjohje të posaçme Ajatollahun e Madh, Al Sistani, me të cilin pati një takim të paharrueshëm në selinë e tij të Najafit.

Shtegtim pendestar në gjirin e një populli të martirizuar

E ndjeva fort peshën pendestare të këtij shtegtimi - kujtoi në vijim Françesku - Nuk mund t’i afrohesha këtij populli të martirizuar, kësaj Kishe martire, pa marrë mbi shpatullat e mia, në emër të Kishës Katolike, kryqin që ata e mbartën me vite të tëra: kryq i madh, si ai që ishte vendosur në hyrje të Karakoshit. E ndjeva posaçërisht barrën e tij, duke parë plagët akoma të papërthara të rrënojave e, edhe më fort, duke u takuar me dëshmitarët e duke dëgjuar dëshmitë e të mbijetuarve me shenjat e dukshme të dhunës, të persekutimit, të mërgimit…

Pas errësirës së martirizmit, drita e shpresës

Dëgjova shumë histori rrënqethëse - u kujtoi Papa besimtarëve në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme - por pashë edhe shumë shpresë. Kjo shpresë dukej në horizontin e paqes e të vëllazërimit, përmbledhur në fjalët e Jezusit, që ishin edhe moto e vizitës: “Ju jeni të gjithë vëllezër!”. E ndjeva praninë e kësaj shprese - vijoi të tregojë Papa në audiencën e përgjithshme - gjatë fjalimit mbajtur nga Presidenti i Republikës, e gjeta në përshëndetjet dhe në dëshmitë e shumta, në këngët e në gjestet e njerëzve. E lexova në fytyrat e rrezëlluese të të rinjve e në sytë plot me lot mallëngjimi të pleqve.

Populli irakian ka të drejtë të rrojë në paqe!

Populli irakian ka të drejtë të rrojë në paqe! Ka të drejtë të rigjejë dinjitetin, që i përket - nënvizoi me forcë Papa - për të kujtuar, më pas, rrënjët fetare mijëravjeçare të Mesopotamisë, të cilën e quajti “djep i qytetërimit”. Bagdadi - vijoi, duke shkelur me kujtesë nëpër shtigjet e së kaluarës së lavdishme të këtyre viseve - ka qenë historikisht qytet me rëndësi të dorës së parë,  me bibliotekën më të pasur në botë, që do të thotë edhe me kulturë të jashtëzakoshme. E pra kjo bibliotekë, pronë e mbarë njerëzimit, u rrënua! Kush e zhduku? - pyeti me dhimbje të thellë Ati i Shenjtë. Lufta! Lufta është gjithnjë përbindsh që, me ndryshimin e epokave, duke ndërruar pamje e ngjyrë, vijon ta dërmojë njerëzimin!

Përgjigjja, që i duhet dhënë luftës: “Jemi të gjithë vëllezër!”.

Por - nënvizoi me forcë Papa - përgjigjja që i duhet dhënë luftës, nuk është  një luftë tjetër. Armëve nuk duhet t’u përgjigjemi me armë! Përgjigjja që duhet të japim është vëllazërimi! Kjo është sfida për Irakun, e jo vetëm për të:  është sfidë për të gjitha rajonet në konflikt e, në fund të fundit, për mbarë botën!

Për këtë u takuam e u lutëm së bashku, të krishterë, myslimanë e  përfaqësues të besimeve të tjera në Ur, ku Abrahami, rreth katërmijë vjet më parë, si dëgjoi zërin e Zotit që i premtonte pasardhës sa yjet e qiellit e sa rëra e detit, la ç’kishte e u nis atje ku e thërriste:

“Zoti i mban besnikërisht premtimet e Tij e akoma sot u prin hapave tonë paqësorë,  hapave të atyre, që  ecin mbi Tokë, me sytë drejtuar kah qielli”.

E në Ur – vijoi të kujtonte Françesku - duke u mbledhur së bashku nën qiellin e ndritshëm, i njëjti qiell nën të cilin Abrahami pa pasardhësit e tij, na u duk sikur dëgjuam ndër zemra kumbimin e kësaj fraze: “Ju jeni të gjithë vëllezër!”.

Mesazh vëllazërimi në Meshën e Bagdadit

Mesazhi i vëllazërimit u ndje fort gjatë takimit kishtar në Katedralen  siro-katolike të Bagdadit ku, në vitin 2010, u vranë  48 vetë, ndërmjet të cilëve, dy meshtarë, gjatë kremtimit të Meshës:

“Kisha në Irak është Kishë martire e, në këtë tempull, që e ruan të shkruar në gur kujtimin e këtyre martirëve, u ndje fuqimisht gëzimi i takimit: mrekullohesha unë, që isha mes tyre e gëzoheshin ata, që më kishin pranë”

Nga Bagdadi, Papa kaloi me kujtime në Mosul e në Karakosh, mbi lumin Tigri, pranë rrënojave të lashta të Ninives. Pushtimi i Isis - kujtoi - shkaktoi ikjen e mijëra e mijëra banorëve, ndërmjet të cilëve, edhe të krishterë të konfesioneve të ndryshme e pakica të tjera të persekutuara, posaçërisht yazidë. Identiteti i lashtë i këtij qyteti u rrënua e tani po bëhen përpjekje për ta rikthyer në jetë:

“Myslimanët i ftojnë të krishterët të kthehen, për t’i rindërtuar së bashku kisha e xhami”.

Këtë theksoi Papa, duke u drejtuar më pas të gjithëve ftesën të luten që këta vëllezër të munduar të gjejnë forcën për të rifilluar, e duke menduar për shumë irakianë të ikur larg të cilëve u drejtoi thirrjen:

“Latë gjithçka, si Abrahami; e si ai, ruajtët fenë e shpresën! Jini, prandaj, endës miqësie e vëllazërimi, aty ku jetoni!”.

Të lutemi për Irakun e për Lindjen e Mesme

Mesazhi i shpresës jehoi edhe gjatë dy kremtimeve eukaristike: në Bagdad, në ritin kaldeas, e në Erbil. Shpresa e Abrahamit dhe e trashëgimtarëve të tij - kujtoi Papa - u realizua në misterin e kremtuar në Jezusin, Birin, që Hyji Atë nuk e kurseu, por e dhuroi për shëlbimin e të gjithëve: Ai, me vdekjen dhe ngjalljen e Tij, na hapi shtegun e tokës së premtuar, të jetës së re, ku lotët teren, plagët shërohen, vëllezërit pajtohen!

Në përfundim, Françesku i ftoi të gjithë besimtarët të luten për Irakun:

“Të dashur vëllezër e motra, ta lavdërojmë Zotin për këtë vizitë historike e të vijojmë të lutemi për këtë Tokë e për Lindjen e Mesme. Në Irak, pavarësisht nga vringëllimi i armëve e shkatërrimi, palmat, simbol i vendit e i shpresave të tij, vijojnë të rriten e të sjellin fryte. Kështu edhe vëllazërimi; nuk bën zhurmë, por është i frytshëm, na bën të rritemi. Zoti, që është paqe, na dhuroftë një ardhmëri vëllazërimi në Irak, në Lindjen e Mesme e në mbarë botën!”.

10 mars 2021, 11:43

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >