Kërko

Papa Françesku: në Kalvaret e tokës, asnjë lot nuk do të shkojë kot

Ia kushtoi kremtimeve të Triditshit të Pashkëve Papa, katekizmin e audiencës së përgjithshme të së Mërkurës së Madhe. Nga Kryqi i Krishtit të kryqëzuar, mendimi i Françeskut shkoi tek “të kryqëzuarit e panumërt të ditëve tona”, tek viktimat e pandemisë, tek “popujt e dërmuar nga luftërat, fëmijët që vdesin nga uria”. E, sidomos, tek “heshtja e madhe e tokës”, ku lind “mrekullia e ngjalljes”.

R. SH. - Vatikan

Jemi në pritje të Triditshit të Pashkëve, me mendje e me zemër pas Krishtit, që  përgatitet për fundin e Tij sa të mundimshëm, aq të lumnueshëm. E që nesër, deri të diel, do të jetojmë ditët kulmore të Vitit liturgjik, duke kremtuar Mundimet, Vdekjen e Ngjalljen e Zotit. Me këto fjalë e nisi sot Papa audiencën e përgjithshme, duke ia kushtuar pikërisht  këtyre ditëve të mëdha, që nisin nesër, me të Enjten e Madhe.

E Enjta e Madhe

Mbrëmjen e së Enjtes së Madhe - shpjegoi Françesku,  duke hyrë në Triditshin e Pashkëve - në Meshën in Coena Domini do të rijetojmë gjithçka ndodhi gjatë Darkës së Mbrame. Me këto fjalë Papa i mori besimtarët për dore, për t’i çuar atje ku shtrohej kjo darkë e fundit, në të cilën Krishti u linte dishepujve të vet testamentin e dashurisë së tij në Eukaristi. Nuk ua linte si kujtim. As si memorial. Po si prani  të përhershme:

“Në këtë sakrament, Jezusi zëvendësoi viktimën që flijohej, me vetveten: Korpi i Tij e Gjaku i Tij na dhurojnë shpëtimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes” - kujtoi Papa, për të na shoqëruar, më pas, në atë natë të jashtëzakonshme, kur Zoti do të flijohej për njeriun:

“Është mbrëmja në të cilën Ai na kërkon të duhemi fort, duke u bërë shërbëtorë të njëri-tjetrit, siç bëri Ai vetë, duke u larë këmbët dishepujve. Një gjest, që i paraprin  mblatimit të përgjakshëm në kryq, mbi të cilin Zoti do të mbërthehej një ditë më pas, për t’i pastruar jo këmbët, por zemrat, e me to, gjithë jetën e dishepujve të vet”.

E Premtja e Madhe

Më pas Papa shpjegoi domethënien e së Premtes e Madhe a të Shenjtë, ditë pendese, agjërimi e lutjeje. Përmes teksteve të Shkrimit Shenjt dhe lutjeve liturgjike  - kujtoi - do të mblidhemi të gjithë bashkë mbi Kalvar, për të përkujtuar Mundimet dhe Vdekjen shëlbuese të Jezu Krishtit: “E, gjatë ritit tronditës liturgjik, do të paraqitet kryqi, për ta adhuruar: duke e adhuruar kryqin, rijetojmë udhën e Qengjit të pafaj, të flijuar për shëlbimin tonë”

Këtë kujtoi Papa, për të vijuar t’u prijë simbolikisht besimtarëve  në Udhën e Kryqit të Krishtit e të ditëve tona…

“… duke mbartur në mendje e në zemër vuajtjet e të sëmurëve, të varfërve, të përjashtuarve nga të mirat e kësaj bote; do të  kujtojmë ‘qengjat e flijuar’, viktima të pafajshme të luftërave, të diktaturave, të dhunës së përditshme, të aborteve…Para figurës së Zotit të kryqëzuar do të çojmë, përmes lutjes, kryqat e shumtë, të tepërt, të së sotmes,  që vetëm nga Ai mund të gjejnë ngushllimin e pritur e edhe domethënien e vetë vuajtjes së tyre”.

Kryqi, dritë mbi shkretëtrirat tona

Që kur i mori mbi vete të gjitha dhimbjet e botës, Jezusi i shndriti. E shndriti terrin tonë -  nënvizoi Papa - për të vijuar, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar:  

“Sepse bota është në errësirë. Kujtojmë të gjitha luftërat, që bëhen këto çaste në botë, gjithë fëmijët e pashkollë, që vdesin nga uria:  popujt e tërë të dërmuar nga luftërat, nga terrorizmi. Të gjithë ata njerëz që, për ta ndjerë veten pakëz më mirë, kanë nevojë për drogë, për industrinë e drogës, që vret… Është gjëmë e madhe! Shkretëtirë! Por edhe ishujt e vegjël të popullit të Zotit, si të krishterë, ashtu edhe të çdo feje tjetër,  që e  kanë në zemër dëshirën për të qenë më të mirë. Por ta themi  atë, që është: në këtë kalvar vdekjeje, është vetë Jezusi ai, që vuan në dishepujt e vet”.

Mbi kryq Jezusi “përmbush veprën, që ia besoi Ati”. Pasi shëroi, fali, dhuroi jetë me duar plot, tani “hyn në humnerën e vuajtjes, për ta shëlbuar e për ta shndërruar”. Falë kësaj braktisjeje të Jezusit mbi kryq “askush nuk do të jetë kurrë më i vetëm në errësirën e vdekjes”. Kurrë më! Ai është gjithnjë pranë. Duhet vetëm t’i hapim zemrat e “ta lëmë të hyjë e të jetë gjithnjë pranë nesh”.

Dita e Marisë, ditë heshtjeje

Do të rijetojmë, pastaj, të Shtunën e Madhe, ditë heshtjeje e vaji. Kush kishte shpresuar në Krishtin, si dishepujt e Tij, vihet para një prove tejet të vështirë. Eshtë edhe dita e Marisë, “së mbytur në lot” - kujtoi Papa - ndonëse zemra  e saj është plot me fe, plot me shpresë, plot me dashuri;

“Nëna e Jezusit e ndoqi të Birin në udhën e dhimbshme e mbeti tek këmbët  kryqit me zemrën e shporuar. Por kur gjithçka duket sikur mori fund, ajo është në pritje, plot me shpesën që buron nga premtimi i Zotit, i cili ngjall të vdekurit. Kështu, në orën më të zezë të botës, Maria bëhet Nënë e të gjithë besimtarëve, Nënë e Kishës e simbol i shpresës”.

Në Natën pa gjumë, takimi me Krishtin e ngjallur

E së fundi, Natën pa gjumë të Pashkëve, shpërthejnë drita e gëzimi. Takimi me Jezusin i vërteton të gjitha premtimet e shëlbimit, që bëri Zoti:

“Ai, që u kryqëzua e u ngjall! Të gjitha pyetjet, të gjitha paqartësitë, të gjitha ngurrimet, e gjithë frika, davariten nga kjo zbulesë. I Ngjalluri na siguron se e mira ngadhënjen gjithnjë mbi të keqen, se jeta fiton gjithnjë mbi vdekjen e se fundi ynë nuk është zbritje poshtë e më poshtë, nga trishtimi në trishtim, por ngjitje, lart e më lart!”.

Dy zotërinjtë e botës, që përjashtojnë njëri-tjetrin

Nëse dishepujt nuk besuan menjëherë - kujtoi në vijim Papa - Maria Magdalenë nuk dyshoi për asnjë çast, duke u bërë dishepulle e Ngjalljes e lajmëtare e jetës së pamort. E Papa e la edhe një herë mbanesh tekstin zyrtar dhe, i frymëzuar nga çasti i shumëpritur i ngjalljes së Krishtit,  reflektoi lirisht  për sjelljen e  atyre, që e patën kryqëzuar:

“Rojet, ushtarët, që ishin pranë varrit për të mos lejuar që të vinin dishepujt e ta merrnin trupin, e panë; e panë të gjallë, të ngjallur! Armiqtë e panë. E pastaj bënë sikur nuk e kishin parë. Pse? Sepse qenë paguar. Ky, misteri, misteri i vërtetë i asaj, që pati thënë një herë Jezusi: ‘Janë dy zotërinj në botë, dy, jo më, Zoti e paraja. Kush i shërben parasë, është kundër Zotit’. E këtu pikërisht paraja e ndryshoi realitetin. E patën parë mrekullinë e ngjalljes, por u paguan për të heshtur. Gjë që na bën të mendojmë sa shpesh burrat e gratë e krishtera paguhen, për të mos e pranuar ngjalljen e Krishtit e nuk bëjnë çka kërkon Krishti, si të krishterë.”.

Kremtimet e Pashkëve në rrethanat e pandemisë

Papa Françesku e përfundoi katekizmin duke vërejtur se edhe sivjet kremtimet e Pashkëve do të kushtëzohen nga pandemia, në rrethana të dhimbshme. Por pa harruar kurrë se Jezusi e shndrit çdo rrethanë e çdo jetë:

“Në shumë situata vuajtjeje, posaçërisht kur vuajnë njerëzit, familjet e popullsitë e vëna në provën e varfërisë, të zisë së bukës, konflikteve, Kryqi i Krishtit është si fanar, që u tregon portin anijeve ende larg bregut, rrahur nga  dallgët e detit në mes të stuhisë. Kryqi i Krishtit është  shenja  e shpresës, që nuk të gënjen. E Kryqi na thotë se asnjë pikë loti e asnjë gjëmë nuk shkojnë kurrë kot në planin e shëlbimit të Zotit”.

31 mars 2021, 12:12

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >