Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Papa Françesku: Maria, pranë njeriut që, në kohë pandemie, vdes i vetmuar

Duke vijuar ciklin e katekizimit kushtuar lutjes, në audiencën e sotme të përgjithshme Papa u ndalua tek lutja në bashkim me Nënën e Krishtit, “dishepulle e parë e të Birit”, me një katekizëm prekës për çdo të krishterë.

R. SH. - Vatikan

Afërsia e ëmbël e Marisë që “si nënë e më shumë se çdo nënë”, na mbron nga rreziqet, shqetësohet për ne, edhe kur, duke u marrë me punët tona, vëmë në rrezik jo vetëm shëndetin e korpit, por, sidomos, atë të shpirtit, ishte në qendër të vëmendjes në katekizmin e sotëm, që Papa ia kushtoi lutjes në bashkim me Marinë, pikërisht natën e Lajmërimit të Zotit. E dimë - kujtoi - se udha kryesore e lutjes së krishterë është natyra njerëzore e Krishtit. Mirëbesimi, tipik për uratën e krishterë do të ishte pa pikë kuptimi nëse Fjala nuk do të ishte mishëruar, duke na dhuruar, në Shpirtin Shenjt, marrëdhëniet që kanë bijtë me me Atin.

Krishti është ndërmjetës

Ishte një lirikë delikate, prekëse, katekizmi i sotëm i Papës, kushtuar Marisë, pikturuar me  dashurinë e pakufishme të birit për Nënën e Krishtit e Nënën e ne të gjithëve.

Krishti është Ndërmjetës  - kujtoi Papa, duke shfletuar Katekizmin e Kishës Katolike (fq. 2674) -  është ura, mbi të cilën kalojmë,  për t’iu drejtuar Atit . Çdo lutje që i lartojmë Zotit është për Krishtin, me Krishtin e në Krishtin dhe realizohet falë ndërmjetësimit të Tij. Shpirti Shenjt e shtrin ndërmjetësimin e Krishtit në çdo kohë e në çdo vend - shpjegoi Papa -  e shtoi: “Nuk ka emër tjetër, në të cilin mund të shpëtojmë!”.

Çdo vlerë e krishterë fiton kuptim në Krishtin

Nga ndërmjetësimi i pashoq i Krishtit fitojnë kuptim e vlerë të gjitha  fjalët, që përdor i krishteri në lutjen e tij e në devocionin e tij, së pari e mbi të gjitha, në lutjen drejtuar Virgjërës Mari.

Vendi që zë Maria në jetën tonë

Virgjëra Mari zë në jetën e të krishterit, e prej këndej, edhe në lutjen e tij, një vend të veçantë, të zgjedhur, sepse është Nëna e Jezusit - kujtoi në vijim Papa. -  Kishat e Lindjes  e paraqesin shpesh si Odigitria, ajo “që të tregon udhën”, domethënë, të Birin, Jezu Krishtin. Ajo është e gjithëpranishme në ikonografinë e krishterë - vijoi të shpjegonte Papa në audiencën sotme të përgjithshme - madje  në plan të parë, por gjithnjë e kudo në lidhje të ngushtë me të Birin e në funksion të Tij:

“Duart e Saj, sytë e Saj, sjellja e Saj, janë ‘katekizëm i gjallë’ e shënojnë gjithnjë themelin, qendrën: Jezusin. Maria drejtohet e tëra kah Ai!”.

Roli i Marisë

Ky është roli, që luajti Maria gjatë gjithë jetës së saj tokësore, e që vijon ta luajë edhe sot e në amshim -  vijoi të shpjegojë Papa - roli i gruas së përvuajtur, i shërbëtores së Zotit. Në një farë pike, në Ungjijtë, ajo bëhet gati-gati e padukshme, por kthehet përsëri në çaste vendimtare. Kthehet në Kanë, kur i Biri, falë lutjes së saj, bën mrekullinë e parë. Duket, sidomos, në Golgotë, tek këmbët e kryqit.

Jezusi e shtriu amësinë e Marisë në të gjithë Kishën, kur ia besoi dishepullit të dashur, pak para se të jepte shpirt i mbërthyer mbi kryq. Që nga ky çast, ne mblidhemi të gjithë nën mantelin e saj, siç e shikojmë në disa afreske  a piktura mesjetare.

Lutjet tona drejtuar Marisë

E kështu - kujtoi Papa - nisëm t’i lutemi me disa shprehje  të pranishme në Ungjijtë, që i drejtohen drejtpërdrejt Asaj. E thërrasim “hirplote” dhe “e bekuar mbi të gjitha gratë”. Në Falemrinë, menjëherë pas Koncilit të Efezit, do të dukej edhe titulli “Theotokos”, “Nëna e Tënzot”. E njëlloj siç ndodh me Atynën, pas lavdeve, shtojmë edhe lutjen; i  kërkojmë Marisë të lutet për ne, mëkatarët, të ndërmjetësojë me ëmbëlsinë e saj “sot e përgjithmonë e jetës”, që do të thotë deri në çastin kur vdekja të na i mbyllë sytë në situatat konkrete të jetës, në çastin e  fundmë,  gjatë kalimit në jetën e amshuar.

Maria, gjithnjë e pranishme, në gjithë rrugën e jetës

Maria është gjithnjë e pranishme te koka e krevatit të bijve të saj, që nisen nga kjo botë - kujtoi Papa - Nëse ndokush është i vetëm e i harruar, Ajo është aty, pranë, siç ishte pranë të Birit, kur të gjithë e patën braktisur:

“Maria ka qenë gjithnjë e pranishme në ditët e pandemisë, pranë njerëzve që, për fat të keq, e  përfunduan shtegtimin mbi dhe të izoluar, pa ngushëllimin e afërsisë së të dashurve. U munguan të dashurit, po jo Maria! Marinë e patën gjithnjë pranë, aty, me dashurinë e saj amtare”.

Lutjet drejtuar Nënës së Krishti nuk shkojnë kurrë kot

Lutjet drejtua Marisë nuk janë kurrë të kota:

“Gruaja që tha ‘po’, që e pranoi me gatishmëri ftesën e Engjëllit, i përgjigjet me të njëjtën gatishmëri edhe lutjeve tona - kujtoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme - na i dëgjon zërat, edhe ata që mbeten mbyllur në zemra, që nuk kanë forcë të dalin, por që Zoti i njeh më mirë se ne vetë”.

Si, e më shumë se çdo Nënë e mirë, Maria na mbron nga rreziqet, shqetësohet për ne edhe kur merremi me punët tona, edhe kur e humbasim rrugën,  edhe kur e vëmë në rrezik jo vetëm shëndetin tonë, por deri shëlbimin:

“Maria është aty, duke u lutur për  kë nuk lutet. Sepse është Nëna jonë”.

24 mars 2021, 11:17

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >