Bashkësia e Kolegjit Papnor Filipinas   Bashkësia e Kolegjit Papnor Filipinas  

Papa: i krishteri e bën të mirën sot, nuk është njeri i së nesërmes së amshuar!

Në audiencën me Kolegjin Papnor Filipinas, “de Nuestra Señora de la Paz y Buen Viaje”, Papa reflektoi për fenë dhe vlerën e kohës, që duhet jetuar në të sotmen, me konkretësinë e shërbimit. Tërhoqi edhe vëmendjen për t’u ruajtur nga “mistika e ankimit”, shenjë që flet për një shpirt të sëmurë.

R. SH. - Vatikan

Ishte një çast festiv për bashkësinë katolike filipinase. 500 vjet më parë vendi aziatik mori dhuratën e kumtimit të parë të fesë. Më pas, më 31 mars , Mesha e parë, e kremtuar më 1561, dita e Pashkëve e, së fundi, ky përvjetor,  të cilin Kolegji filipinas “de de Nuestra Señora de la Paz y Buen Viaje”, themeluar 60 vjet më parë nga Shën Gjoni XXIII, e kremtoi në audiencë tek Papa. Një institucion - nënvizoi Françesku - që u krijoi shumë seminaristëve e priftërinjve mundësinë të rriten si meshtarë sipas Zemrës së Krishtit, për t’i shërbyer popullit të Zotit në Filipine.

E këto festa, për Papën janë raste reflektimi mbi kohën, që të mund të falënderohet  Zoti për praninë e për të shkuar përpara me shikim profetik:

“E sotmja është çast në të cilin Zoti na thërret, nuk është e djeshmja, as e nesërmja: sot! Jemi të thirrur për ta jetuar të sotmem me gjithë kontradiktat e saj, me vuajtet e mjerimet - e edhe me mëkatet tona - nga të cilat nuk mund të ikësh, as t’u shmangesh, por duhet t’i pranosh e t’i duash, duke i shikuar si raste që na i jep Zoti për t’u bashkuar edhe më fort me Të e me kryqin e Tij”.

Album i familjes

Të shikosh mbrapa, do të thotë  “të ecësh me kujtime, mbi gjurmët që na paraprinë - shpjegoi Papa - të kthehesh në zanafillë me ndjenja “mirënjohjeje” e “mrekullimi”:

“Çdo përvjetor të jep mundësinë ta shfletosh ‘albumin e familjes’ e të kujtosh nga vijmë, ç’fe jetuam e ç’dëshmi ungjillore na krijuan mundësinë të jemi këta që jemi sot. Kujtesë, apo jo? Kujtesë  deuteronomike: kujtesë  që ka gjithnjë në bazë jetën e përditshme. Kujtesë e udhës së bërë… Një krishterim pa kujtesë është enciklopedi, por jo jetë!”.

E kaluara është një famullitar, është gjyshja, janë prindërit, që të edukuan ta duash Jezusin e t’i duash meshtarët, është çasti kur iu përgjigje me një “po” thirrjes në ditën e shugurimit. Aty ke nevojë të rikthehsh “për të korrigjuar, për të inkurajuar, për të rifilluar e për rifalur” e, sidomos, nënvizoi Françesku, për të rizbuluar se Zoti na mori për dore,  edhe kur ne nuk u kujtuam fare:

“Kur ndjeheni të lodhur e të çkurajuar - u ndodh të gjithëve nganjëherë - kur ndjeheni  keq për shkak të ndonjë prove ose mossuksesi, kthehuni prapa e shikoni historinë tuaj, jo për t’u arratisur në të kaluarën, ‘ideale’, por për të rigjetur hovin  dhe emocionin ‘e dashurisë së parë’, atë të Jeremisë, apo jo? Kësaj i thonë të rikthehesh tek dashuria e parë!”.

Shkolla e shpresës

Nga solidariteti i fesë, tek shikimi drejt së ardhmes që - vuri në dukje Papa – është “shkollë shprese”. Por, kujdes - nënvizoi Ati i Shenjtë  - “Ashtu si e kaluara  nuk duhet të jetë kthim prapa, kështu duhet luftuar edhe tundimi i ikjes drejt së ardhmes, kur nuk arrijmë dot ta jetojmë në paqe të sotmen tonë”. Françesku e njeh mirë gjendjen shpirtërore të seminaristëve, i njeh vështirësitë e së sotmes e të së ardhmes, “një ardhmëri e ankoruar si në të sotmen, ashtu edhe në të nesërmen,  prandaj i nxit të rrinë larg nga “mistika e ankimeve”, të ruhen nga labirinti i pakënaqësive, që janë fillesa e një sëmundjeje të keqe: hidhërimit të shpirtit:

“Të dashur priftërinj - po kjo mund të vlejë edhe për rregulltarët e laikët - nuk jeni njerëz të së nesërmes së amshuar, që zhvendosen gjithnjë përpara, në kushte të hamendësuara ideale - utopi e keqe kjo - çasti i përshtatshëm është vendimtar për të bërë diçka të mirë; ju nuk jetoni në kushtet e përjetshme të një “apnea”- domethënë,  nuk mund të mbeteni asnjë çast pa frymë, duke u kufizuar në durimin e së sotmes e pritjes që të kalojë një orë e më parë. ‘Po, o Zot, nesër, nesër”.  Në pritje të një së nesërmje të sëmurë.  Ardhmëri do të thotë ta shikosh të ardhmen me sy profetik, të nisesh nga ajo që ke, për t’u bërë ‘mjet  në dorën  e Zotit”, duke  shkuar drejt pjekurisë së thirrjes sate”.

500 vjet krishterim në Filipine: feja është dhuratë

Jemi të thirrur të jetojmë tani në “udhën e kthesës e të shenjtërimit”, në “një kohë konkretësie”, që kalon, për kë është në seminar, me studim e formimin. Asnjë keqardhje - porositi Papa - për famullitë nga të cilat vjen, e  larg edhe nga ëndrrat  për një të ardhme me detyra të rëndësishme! Thirrje do të thotë ta duash bashkësinë, në gjirin e së cilës jeton, “t’u shërbesh vëllezërve - shtoi Papa -  që Zoti vetë t’i vuri pranë”, t’i shfrytëzosh mundësitë e përgatitjes baritore, që t’u krijuan. Ajo që ka rëndësi – nënvizoi akoma Françesku - është të jeni seriozë e të vëmendshën në studim:

“Ta njihni të kaluarën, me sytë e ngulur në të ardhmen, për ta jetuar më mirë të sotmen, kohë e përshtatshme për formim e për shenjtërim, duke mirërpritur mundësitë që Zoti ju jep për t’i ndjekur e duke u munduar ta bëni jetën tuaj sa më të ngjashme me të Tijën, edhe larg Filipineve tuaja të dashura”.

Papa Françesku, në përfundim, bëri të vetin mesazhin e Shën Gjonit XXIII drejtuar bashkësisë së Kolegjit të Filipineve, duke i ftuar të jenë, si të rikthehen në vendin aziatik, “kasnecë të zgjedhur të së vërtetës”, të edukuar nga feja, nga kultura e nga mjedisi vëllazëror.

22 mars 2021, 15:13