Papa Françesku: edhe unë gjunjëzohem në rrugët e Mianmarit
R. SH. - Vatikan
Dialogu duhet të fitojë mbi shtypjen, harmonia mbi përçarjen e bashkësia ndërkombëtare duhet të japë ndihmën e nevojshme, që aspiratat e popullit të Mianmarit të mos mbyten nga dhuna! Kështu, vetëm pak ditë më parë, më 3 marsin e kaluar, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtonte me shqetësim të thellë Mianmarin, nga vijonë të arrijnë lajme dramatike. E sot toni i zërit të Françeskut u bë edhe më i fuqishëm, duke kujtuar figurën tronditëse të motrës Ann Nu Thawng, rregulltares katolike saveriane, që u gjunjëzua para policëve, për të shpëtuar të rinjtë gjatë manifestimeve paqësore për demokracinë:
“Edhe një herë, e me shumë trishtim, mendoj se është urgjente të kujtoj situatën dramatike në Mianmar ku shumë njerëz, posaçërisht të rinj, po e humbasin jetën, për t’i dhuruar shpresë vendit të tyre. Edhe unë gjunjëzohem në rrugët e Mianmarit e them: të marrë fund dhuna! Edhe unë i shtrij krahët e them: të fitojë dialogu! Nuk zgjidhet gjë me gjak! Zgjidhet me dialog!”.
Kujtojmë se në vendin aziatik, që nga 1 shkurti i kaluar, dita e grushtit ushtarak të shtetit, që e shkarkoi nga detyra lideren Aun San Suu Kyi, një rrebesh dhune u sul kundër manifestuesve paqësorë, të cilët kërkojnë rikthimin e shtetit të së drejtës, me greva e protesta në sheshe. Të paktën 150, viktimat, sipas Ojq-ve. Me zërin e ngritur nga OKB-ja dhe thirrjen e bashkësisë ndërkombëtare, bashkohet edhe zëri i Kishës: të hënën e kaluar, gjatë Global Day of Prayer, kardinali Charles Bo, kryeipeshkëv i Yangonit, bëri thirrje për dialog e drejtësi!