Irak, Papa: i Lum nuk është heroi i një dite, por dëshmitari i përhershëm i Krishtit

Jezusi e ndryshon historinë “me forcën e përvuajtur të dashurisë”. Papa Françesku, në homelinë e meshës së kremtuar në katedralen e Bagdadit, në përfundim të ditës së dytë të vizitës së tij në Irak, inkurajon besimtarët të dëshmojnë çdo ditë stilin e jetës së Krishtit. Lumnitë, pohon, i përmbysin kategoritë tona të mendimit: Zoti privilegjon të braktisurit e Ai e mban premtimin

R.SH. - Vatikan

Pas takimeve me autoritetet civile dhe fetare irakiane, pasi foli me ipeshkvijtë, meshtarët dhe rregulltarët e Irakut e, pas lutjes së përbashkët të shqiptuar me përfaqësuesit e feve të ndryshme në vendin ku ati i të gjithë besimtarëve, Abrahami, iu përgjigj thirrjes së Zotit, erdhi çasti i takimit ndërmjet Papës Françesku dhe bashkësisë katolike të Irakut. Kur Papa shkeli në katedralen kaldease të Shën Jozefit në Bagdad për të kremtuar meshën, në Evropë ishte ora 16 (18, me orën lokale).

Katedralja e Shën Jozefit

Ndërtesa u përurua nga Patriarku kaldeas Yusef VII Ghanima në vitin 1956 e mund të mbajë më se 400 besimtarë. Zbukuruar me xhama të pikturuar, pjesa e brendshme është organizuar për të respektuar tri pjesët konvencionale të kishave të Sirisë Lindore, por me një stil modern: pjesa për asamblenë, kori dhe altari me një ballore prej druri të gdhendur në qendër. Në anën e djathtë, ikona e Zojës Hodixhitria, në anën e majtë, ajo e Shën Jozefit me skuadrën e marangozit dhe zëmbakun, simbole të drejtësisë dhe të pastërtisë, së bashku me Jezusin adoleshent.

Pritja e Papës në katedralen e Shën Jozefit

Urtia e Zotit i përmbys kategoritë njerëzore

Mesha e kryesuar nga Papa Françesku ndoqi ritin kaldeas dhe gjuhët e përdorura janë italishtja, kaldeasja dhe arabishtja, ndërsa për lutjet e besimtarëve u përdor dialekti sura-aramaik, kurd, turkoman, por edhe anglishtja. Tri, fjalët kyçe në predikimin e Atit të Shenjtë: dija apo urtia, dëshmia, premtimet.

 Urtia në këto troje, vuri në dukje Papa, është kultivuar që nga kohërat e lashta. Por shpesh, dijen e kanë fituar vetëm ata, që kanë pasur më shumë mjete për këtë. Zoti na befason, duke e përmbysur perspektivën, duke privilegjuar të fundmit e jo më të dijshmit. Edhe vetë Jezusi, në fjalët e tij mbi lumnitë, e konfirmon këtë, vërejti Ati i Shenjtë:

“Përmbysja është e plotë: të varfërit, ata që derdhin lot, të përndjekurit janë të lum. Si është e mundur? Për botën, të lum janë të pasurit, të pushtetshmit, të famshmit! Vlen kush ka, kush mundet, kush është i rëndësishëm! Për Zotin jo: nuk është më i madh ai që ka, por ai që është i varfër në shpirt; jo ai, që mund të bëjë gjithçka kundër të tjerëve, por ai, që është i butë me të gjithë; jo ai, që vlerësohet nga turmat, por ai, që është i mëshirshëm me vëllain e vet”.

Hyrja e Papës në katendralen e Shën Jozefit, Bagdad, Irak
Hyrja e Papës në katendralen e Shën Jozefit, Bagdad, Irak

Jezu Krishti e mundi vdekjen

 Nëse jetojmë si Jezusi, pyeti Papa, ç’mund të përfitoj? Të tjerët mund të më shikojnë si dikush, që s’vlen aspak. A duhet ndjekur propozimi i Jezusit, apo është për humbësit? Nuk është për humbësit, përgjigjet Ati i Shenjtë, është i urtë, i dijshëm:

“Propozimi i Jezusit është i urtë, sepse dashuria, që është zemra e Lumnive, pavarësisht se duket e dobët për sytë e botës, në të vërtetë është fitimtare. Në kryq, u tregua më e fortë se mëkati, në varr, mundi vdekjen. Është e njëjta dashuri, që i bëri martirët fitimtarë në sprova e sa shumë të tillë ka pasur në shekullin e kaluar, më shumë se në shekujt e mëparshëm! Dashuria është forca jonë, forca e kaq shumë vëllezërve dhe motrave, të cilët, edhe këtu, kanë vuajtur nga paragjykimet dhe fyerjet, keqtrajtimet dhe përndjekjet, për shkak të Krishtit”.

Papa Françesku në katendralen e Shën Jozefit, Bagdad, Irak
Papa Françesku në katendralen e Shën Jozefit, Bagdad, Irak

Bota ndryshohet me dëshminë e Krishtit

Pushteti e kotësia e botës kalojnë, vijoi më tej Papa, por dashuria mbetet. Ati i Shenjtë nënvizoi se për të vënë në jetë Lumnitë nuk duhen bërë gjëra të jashtëzakonshme, përtej aftësive tona. Kërkohet thjesht dëshmia e përditshme e krishterë:

“I lum është ai, që jeton me butësi, ai që tregon mëshirë aty ku është, ai që e ruan zemrën e pastër aty, ku jeton. Për të qenë i lum nuk duhet të sillesh si hero herë pas here, por si dëshmitar çdo ditë. Dëshmia është udha për të mishëruar urtinë e Krishtit. Kështu ndryshohet bota: jo me pushtet, ose me forcë, por me Lumnitë”.

Papa Françesku në katendralen e Shën Jozefit, Bagdad, Irak
Papa Françesku në katendralen e Shën Jozefit, Bagdad, Irak

Dashuria është krijuese e rifillon gjithnjë

Papa Françesku komentoi më pas leximin e dytë të liturgjisë së sotme, marrë nga shën Pali, ku apostulli përshkruan mrekullisht bukur si duhet dëshmuar Krishti, përmes dashurisë, e cila, thotë shën Pali, është “shpirtmadhe”. Ati i Shenjtë përqendrohet në këtë fjalë, që në Bibël, tregon për durimin e Zotit, pavarësisht se gjatë historisë, njerëzit e tradhtojnë vazhdimisht.

“Durimi për të filluar çdo herë nga e para është cilësia e parë e dashurisë, sepse dashuria nuk indinjohet, por rifillon përsëri. Nuk trishtohet, por e përforcon veprimin; nuk shkurajohet, por mbetet krijuese. Përballë së keqes nuk dorëzohet, nuk heq dorë. Kush shpreh dashurinë nuk mbyllet në vetvete kur gjërat shkojnë keq, por i përgjigjet së keqes me të mirë, duke kujtuar urtinë fitimtare të kryqit. Këtë bën dëshmitari i Zotit: nuk është pasiv, as fatalist, nuk jeton në mëshirën e fatit, të instinktit a të çastit, por është gjithnjë plot shpresë, sepse i bazuar në dashurinë që ‘shfajëson gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka’”.

Besimtare në meshën e Papës Françesku në katendralen e Shën Jozefit, Bagdad, Irak
Besimtare në meshën e Papës Françesku në katendralen e Shën Jozefit, Bagdad, Irak

Premtimet e Zotit

 Para vështirësive, vijoi Papa Françesku, njeriu mund të fshihet, ose të reagojë me forcë, me zemërim. Siç u ndodhi dishepujve ne Gjetseman, por Jezusi ua ndryshoi jetën me forcën e përvuajtur të dashurisë, me dëshminë e tij plot durim. Urtia e Zotit, që mishërohet në lumnitë, kërkon dëshminë e secilit prej nesh, për të cilën ofron edhe shpërblimin, që përmbahet në premtimet hyjnore. Kush i jeton lumnitë, do të trashëgojë Mbretërinë e Qiellit, do të ngushëllohet, do të shohë Zotin…

“Premtimet e Zotit sigurojnë një gëzim të pakrahasueshëm dhe nuk zhgënjejnë. Por si arrihen ato? Përmes dobësive tona. Zoti i bekon ata që ecin në rrugën e varfërisë së tyre të brendshme deri në fund. Kjo është mënyra, nuk ka tjetër”.

Jashtë katendrales së Shën Jozefit, Bagdad, Irak, ndërsa pritej mesha e Papës
Jashtë katendrales së Shën Jozefit, Bagdad, Irak, ndërsa pritej mesha e Papës

Dëshmitarët e çmuar të tokës irakiane

 Duke pasur parasysh historinë e dhimbshme të Irakut, Papa e përfundoi homelinë, duke u thënë besimtarëve se gjithçka nuk na jep bota, nuk është asgjë në krahasim me dashurinë plot durim, me të cilën Zoti realizon premtimet e tij:

“E dashur motër, i dashur vëlla, mbase kur i shikon duart të duken bosh e, në zemrën tënde ka mosbesim dhe nuk ndihesh i shpërblyer nga jeta. Nëse është kështu, mos ki frikë: lumnitë janë për ty, për ty, që je i pikëlluar, i uritur dhe i etur për drejtësi, i përndjekur. Zoti të premton se emri yt është i shkruar në zemrën e tij, në Qiell! E sot unë e falënderoj Atë me ju dhe për ju, sepse këtu, ku në kohët e lashta lindi urtia, kanë dalë shumë dëshmitarë në kohët tona, shpesh të papërmendur nga kronika, por të çmuar në sytë e Zotit; dëshmitarë që, duke jetuar Lumnitë, e ndihmojnë Zotin të përmbushë premtimet e tij për paqe”.

06 mars 2021, 17:50