E Diela e Larit në Panama E Diela e Larit në Panama

Afërsia e Papës me popullin e Panamasë për viktimat e koronavirusit

Kryeipeshkvi i Panamasë, imzot José Domingo Ulloa, gjatë një ceremonie përkujtimore, lexoi mesazhin e Papës Françesku, me të cilin Ati i Shenjtë shpreh “afërsinë shpirtërore me popullin dhe i lutet Zotit të mbështesë përpjekjen e përbashkët të të gjitha institucioneve, që punojnë për të ngushëlluar të prekurit nga sëmundja e Covid-19", në vendin që ka arritur në rreth 6 mijë viktima.

R.SH. - Vatikan

Gjatë një ceremonie për kujtimin e heronjve të shëndetësisë, veçanërisht të atyre që humbën jetën, për shkak të Covid-19, kryeipeshkvi i Panamasë, imzot José Domingo Ulloa, lexoi mesazhin e Papës Françesku, me të cilin Ati i Shenjtë shpreh “afërsinë shpirtërore me popullin dhe i lutet Zotit të mbështesë përpjekjen e  përbashkët të të gjitha institucioneve, që punojnë për të ngushëlluar të prekurit nga sëmundja. Të gjithëve u jep bekimin e tij apostolik”.

Mesazhi nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Në të, Ati i Shenjtë ua beson të gjitha viktimat “mëshirës së pafundme të Zotit dhe ndërmjetësimit amnor të Zojës së Bekuar”.

111 punonjës shëndetësorë kanë humbur jetën

Nga ana e tij, duke iu referuar personelit shëndetësor, imzot Ulloa vuri në dukje “humanitetin e tyre të madh dhe ndjenjën e patriotizmit”, që u vu në dukje gjatë kryerjes së misionit të tyre të rëndësishëm për të “shpëtuar jetë”. Që nga rasti i parë me koronavirus në vend, kanë humbur jetën 111 punonjës shëndetësorë.

Me mirënjohje, imzot Ulloa nënvizoi nevojën për ta theksuar përkushtimin e dashurinë ndaj atdheut dhe popullit të kaq shumë heronjve anonimë në këtë kohë pandemie, duke shtuar se Kisha, pak nga pak, po i nxjerr në pah, por duhet bërë ende shumë që të njihen publikisht.

T’i lutemi Zotit me shpresë

Përballë këtij armiku të padukshëm si Covid-19, që ka shkaktuar më se 6 mijë të vdekur vetëm në Panama, kryeipeshkvi Ulloa nënvizoi nevojën për t’iu drejtuar Zotit plot shpresë, pasi para realitetit të vdekjes, çdo njeri e kupton se nuk është i gjithëpushtetshëm e se ka nevojë për ndihmën e Hyjit.

Imzot Ulloa e lexoi mesazhin e Papës Françesku gjatë një përkujtimi organizuar nga Ministria e Shëndetësisë e Panamasë për gjithë personelin shëndetësor të rënë në betejën kundër koronavirusit. Në këtë ceremoni, u zbulua një pllakë përkujtimore për të ndjerët dhe iu dorëzuan 15 drejtorëve rajonalë të shëndetësisë fidanë të pemës Guayacán, të cilët do të mbillen kudo në vend në nder të më se 6 mijë viktimave të Covid-19.

29 mars 2021, 10:57