Libri "Ta kesh Zotin në zemër" Libri "Ta kesh Zotin në zemër"

Ushtrimet shpirtërore për Kreshmë. Papa: të bashkuar në lutje për njëri-tjetrin

Këtë vit ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake për Kreshmë nuk mund të mbahen në praninë e të gjithëve, për shkak të pandemisë. Të gjithë pjesëmarrësve, individualisht, Papa u dhuroi librin “Ta kesh Zotin në zemër”, botim i një dorëshkrimi të lashtë

R.SH. - Vatikan

Shtëpia e Mësuesit Hyjnor në Ariccia nuk do të mund të presë sivjet as Papën Françesku dhe as bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake, që zakonisht shkonin pranë Romës për ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, të cilat kësaj radhe janë planifikuar nga 21 deri më 26 shkurt. Edhe një herë, pandemia e koronavirusit ndryshon planet e traditën e konsoliduar. Megjithatë, Papa deshi t’u shprehë afërsinë e vet pjesëmarrësve dhe t’u bëjë thirrje të gjithëve të marrin pjesë në lutje individualisht, në distancë, duke u dhuruar vëllimin “Ta kesh Zotin në zemër”, botuar nga San Paolo dhe redaktuar nga meshtari jezuit, Daniele Libanori.

Libri shoqërohet me një letër, që Ati i Shenjtë ia drejton imzot Edgar Peña Parra-s, Zëvendës për Punët e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit. Përballë pamundësisë për t’u lutur së bashku, Papa Françesku i nxit të gjithë t’i “bëjnë ushtrimet shpirtërore aty ku ta shohin më të përshtatshme”. Më pas, bën thirrje për bashkim në lutje. “Jam i sigurt - shkruan Ati i Shenjtë - se libri ‘Ta kesh Zotin në zemër’ do të na ndihmojë të gjithë në jetën shpirtërore. Të bashkuar në lutje për njëri-tjetrin”, përfundon Papa.

Dorëshkrim i ‘600-ës

Autori i vëllimit “Ta kesh Zotin në zemër”, marrë nga një dorëshkrim i lashtë i ‘600-ës, duhet të jetë Mësuesi i Shën Bartolit, ose një murg nga kuvendi ferrarez (Ferrara, Itali) kushtuar shenjtit. Është një lloj koleksioni shënimesh në fletë të lira, të shkruara me dorë në latinishten kishtare, që daton, ndoshta, në shekullin XVII. U gjet në Ferrara në një nga të ashtuquajturit “treg pleshtash”, pra treg me lloj-lloj mallrash e rrobash të vjetra, që shpesh mund të fshehin surpriza të papritura.

Në parathënie, atë Libanori pohon bindjen se këto shënime janë për përdorimin personal të Mësuesit të Shën Bartolit, i cili u predikonte dishepujve të ndryshëm. Shkrimi është i pasur me meditime dhe nota, që i referohen Biblës. “Nga këto shënime - shkruan atë Libanori në parathënie – del një urti e bazuar në arsyen e shëndoshë, por jo pa interes. Sigurisht, kemi të bëjmë me gjëra të një kohe tjetër, së bashku me gjuhën e përdorur, por ato dokumentojnë ndjeshmërinë dhe përvojën e Kishës në udhëheqjen e shpirtrave”. Në vëllim ka edhe një traktat të vogël mbi veset kryesore. Gjithçka kontribuon, edhe pas shumë vitesh, në leximin e dobishëm për ta lartuar vetveten dhe për të shkuar më shpejt drejt Zotit”, përfundon atë Libanori.

Në lutje, drejt Zotit

Interesante, temat e trajtuara në mënyrë të kuptueshme në këtë përmbledhje, që synon të bëhet një lloj udhëzuesi për ushtrimet shpirtërore. Përmes kapitujve të veprës përvijohet një udhë për të medituar, për t’u lutur e për të mësuar si ta kemi “Zotin në zemër”. Ja këshillat: “Kthehu me mendje kur Zoti erdhi të të takojë e ti e njohe”, “Jeta është mësuesja e vërtetë e urtisë”, “Feja është më e çmuar se virtyti”, “Kthimi kah Zoti është vepër e hirit”.

18 shkurt 2021, 15:21