Ulje dënimi e programe integruese për të dënuarit në Vatikan

Me një motu proprio Papa Françesku përcakton disa risi në sektorin e drejtësisë penale, duke ia përshtatur legjislacionin vatikanas “ndjeshmërisë së kohës”, që ndryshon gjithnjë. Shfuqizohet gjyqi në mungesë. Zyra e promotorit të drejtësisë do të mbështesë akuzën në të tria nivelet e gjykimit

R.SH. - Vatikan

Ulje dënimi, mundësi për t’u marrë vesh që i dënuari të hyjë në një program pune me dobi shoqërore e në veprimtari vullnetare, pezullimi i seancës procesuale në rastin kur i akuzuari mungon për arsye të ligjshme: sistemi i drejtësisë penale i Shtetit të Vatikanit përditësohet dhe riformulon rregullat e tij për t’iu përgjigjur nevojave të kohës e për të siguruar respektimin e të drejtave. Këto ndryshime pasqyrohen në Motu proprio-n e sotëm të Papës Françesku, kushtuar legjislacionit penal në Vatikan.

Artikulli i parë përcakton një ulje dënimi nga 45 deri në 120 ditë për çdo vit, që i dënuari kalon në burg, nëse gjatë kësaj kohe “është sjellë në mënyrë të tillë sa të supozohet pendimi i tij dhe nëse ka marrë pjesë frytshëm në programin e trajtimit dhe të integrimit” në shoqëri. Kur dënimi bëhet i zbatueshëm, i dënuari, në marrëveshje me gjyqtarin, pranon “një program trajtimi dhe ri-integrimi”, me premtimin për t’i zbutur pasojat e krimit. I dënuari mund të propozojë “kryerjen e punëve të dobishme për shoqërinë e veprimtari vullnetare me rëndësi shoqërore”. Legjislacioni i mëparshëm nuk parashikonte asnjë prej tyre.

Neni i dytë ndryshon Kodin e Procedurës Penale, duke e bërë atë më garantist dhe, shfuqizon të ashtuquajturin “gjykim në mungesë”, i cili ishte akoma i pranishëm në legjislacionin e Vatikanit. Nëse i akuzuari refuzon të marrë pjesë në seancën procesuale, pa pasur ndonjë pengesë të ligjshme, gjykimi vazhdon normalisht, duke e konsideruar atë të përfaqësuar nga avokati i tij. Nëse, nga ana tjetër, i akuzuari nuk paraqitet në seancë, pasi nuk është e mundur, për shkak të një “pengese të ligjshme dhe serioze”, gjykata ose gjyqtari i vetëm duhet ta pezullojë gjykimin.

Neni i tretë bën ndryshime dhe shtesa në ligjin CCCLI (351) për gjyqësorin. Ai përcakton që magjistratët apo gjykatësit, kur e përfundojnë detyrën, ruajnë “të gjitha të drejtat, asistencën, sigurimet shoqërore dhe garancitë e parashikuara” për qytetarët e Vatikanit. Një paragraf thekson se “zyra e promotorit të drejtësisë ushtron në mënyrë autonome dhe të pavarur, në të tria nivelet e gjykimit, funksionet e prokurorit publik dhe funksionet e tjera të përcaktuara me ligj”.

Një ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me shkallën e dytë dhe të tretë të gjykimit. Deri tani parashikohej që në rast apelimi e më pas në kasacion, akuza publike përfaqësohej nga një gjykatës i ndryshëm nga ai i gjykimit të parë, duke ngarkuar dikë tjetër për shkallën e dytë dhe të tretë të gjykimit. Tani, me dy nene të ndryshme, vendoset që në të gjitha shkallët e gjykimit, funksioni i prokurorit publik të kryhet nga një gjyqtar i Zyrës së Promotorit të Drejtësisë. Natyrisht, mbetet i ndryshëm Kolegji i thirrur për gjykim.

16 shkurt 2021, 13:41