Safer Internet Day: që interneti të jetë më i mirë e më i sigurt

Ditë Botërore, që kremtohet çdo vit në shkurt dhe na fton të reflektojmë për një realitet, që na prek nga afër, por për të cilin dimë pak. Objektivi i ditës së sotme, me ngjarje në internet në 170 vende të globit, është të inkurajojë të rinjtë në veçanti, ta përdorin si duhet rrjetin dixhital dhe të nxisë masa kundër rreziqeve të web-it.

R.SH. - Vatikan

Një nga tweet-et e sotme të Papës Françesku i kushtohet Ditës Botërore për Sigurinë në Internet (Safer Internet Day), që kremtohet sot. “Të gjithë jemi përgjegjës për komunikimin që bëjmë, për informacionin që japim, për kontrollin që mund të ushtrojmë mbi lajmet e rreme, duke i përgënjeshtruar. Të gjithë jemi të thirrur të jemi dëshmitarë të së vërtetës. #SaferInternetDay”. Kështu shkruan Ati i Shenjtë.

Në edicionin e saj të 18-të, kjo Ditë ka si temë “Së bashku për një internet më të mirë”. U bëhet thirrje të gjithëve të impenjohen personalisht për ta bërë internetin më të sigurt, duke e pastruar atë nga lajmet e rreme – siç kërkon Papa – por edhe nga pedopornografia e pedofilia, nga mesazhet me sfond seksual, nga cyberbullizmi, nga lojrat që krijojnë varësi e ndikojnë edhe mbi shëndetin e njerëzve, sidomos të të rinjve, të cilët shpesh e kalojnë ditën ulur, me telefon në dorë.  

Përpjekjet në nivel evropian

Me rastin e kësaj Dite, Bashkimi Evropian promovon Planin e Veprimit për Edukimin Dixhital, për t’u edukuar të rinjve që në shkollë, qëndrimin e duhur ndaj internetit e rrjeteve shoqërore. Ajo, që është e paligjshme jashtë internetit, duhet të mbetet e tillë edhe në rrjet. Brukseli i kërkon industrisë teknologjike të japë kontributin e saj për një internet më të sigurt, në pajtim me normat e Bashkimit Evropian.

09 shkurt 2021, 14:51