Papa Françesku takohet me pëfaqësues të Institutit për Studimet Evropiane të Stokholmit Papa Françesku takohet me pëfaqësues të Institutit për Studimet Evropiane të Stokholmit 

Papa: të gjinden rrugë të reja krijuese për kulturën e takimit

Papa iu drejtua një delegacioni të Institutit Evropian të Studimeve Ndërkombëtare, të impenjuar për t’iu përgjigjur sfidës dhe promovimit të dialogut e të unitetit, duke e ftuar për t’i drejtuar mendje e zemër në shërbim të së mirës së gjithanshme të çdo njeriu, pa përjashtime e pa diskriminime të padrejta.

R. SH. - Vatikan

Të promovohet kultura e takimit. Papa e ripohoi disa herë në përshëndetjen dorëzuar sot paradite delegacionit të akademikëve dhe diplomatëve të vendeve të ndryshme, që punojnë për Institutin Evropian të Studimeve Ndërkombëtare të Stokholmit, të cilët i takoi në Vatikan, së bashku me kardinalin Anders Arborelius, ipeshkëv i kryeqytetit suedez. Instituti, që e ka origjinën nga Salamanka e Spanjës, është hapësirë dialogu ndërmjet institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare si dhe qendër kërkimi e edukimi në marrëdhëniet ndërkombëtare, në fushën e diplomacisë, të governance globale, të zhvillimit të qëndrueshëm e atij ekonomik  në shërbim të sektorit publik e privat.

Françesku e mori shtytjen nga vëllimi i titulluar “Kultura e takimit: marrëdhëniet ndërkombëtare, dialogu ndërfetar dhe paqja”, fryt i një seminari të kohëve të fundit, organizuar nga Dioqeza e Stokholmit dhe nga Instituti, që përfaqëson njëkohësisht përpjekjen për krijimin e një rrjeti  ndërfetar ndërkombëtar, me synimin që të punojë për “kulturën e takimit”.  Ideja është të krijohet një platformë ndërkombëtare në ngjasim të asaj që ofron Unesco për edukimin, shkencën e kulturën, por në këtë rast, për takimin dhe dialogun ndërmjet qytetërimeve e feve.

Vëllimi dhe idetë e tij ishin në qendër të takimit të sotëm të Papës me delegacionin e studiuesve, të cilët Françesku i këshilloi të punojnë për përgatitjen e breznive të reja lidhur me temat themelore të dialogut e të zhvillimit të gjithanshëm, për të ndërtuar një botë më të bashkuar e më të pajtuar:

“Vijimi i krizës shëndetësore globale - kujtoi në vijim Papa në përshndetjen drejtuar  delegacionit të Institutit Evropian - vuri dhimbshëm në dukje nevojën urgjente të promovimit të kulturës së takimit për mbarë njerëzimin, që të thellojë në shpirtin e burrave e grave të kohëve tona  dëshirën për t’i takuar të tjerët, për të kërkuar pika kontakti, për të ndërtuar ura (krh “Fratelli tutti, 216)”.

Në këto rrethana pres me kënaqësi të veçantë përgjigje për mundësitë dhe sfidat që vë para feve të botës kjo perspektivë - theksoi Papa - duke vlerësuar, në vijim, ndihmesën e akademikëve dhe të diplomatëve të vendeve të ndryshme, që - kujtoi - luajnë një rol shumë të rëndësishëm  në promovimin e  kësaj kulture.

Analizë organike e rezultate praktike

Papa i ftoi të pranishmit t’i shërbejnë gjithnjë së mirës universale:

“Për vetë natyrën e tij, kontributi juaj duhet  të themelohet si mbi analizën organike, ashtu edhe mbi orientimin e zbatimeve dhe të rezultateve praktike e relacionale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë  së mirës së përbashkët universale e -  sipas traditës më të mirë  të Shkollës së Salamankës - të kërkojë zhvillimin e gjithanshëm të çdo njeriu, pa përjashtime të padrejta e diskriminime”.

Roli i liderëve fetarë

Aktualisht - vijoi akoma Papa - përpjekja e gjithanshme për mbrojtjen dhe promovimin e të drejatve të të gjithëve u takon liderëve politikë e fetarë,  sepse është pikërisht kultura e takimit ajo, që mund të krijojë bazën për një botë më të bashkuar e më të pajtuar:

“Vetëm kjo kulturë mund  të sjellë drejtësi të qëndrueshme e paqe për të gjithë,  ashtu si dhe kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët”.

Të gjinden rrugë të reja

Në përfundim, ftesa për të gjetur rrugë të reja:

“Ndërsa njerëzimi vijon të përballojë pasigurinë dhe sfidat e së tashmes – kujtoi në përfundim Françesku - ju inkurajoj  të vijoni  kërkimin e udhëve të reja e krijuese, që çojnë në zhvillimin e kulturës së takimit, në dobi edhe të harmonisë e të mirëqenies së breznive të ardhshme”.

12 shkurt 2021, 14:44