Shën Gabrieli  i Zojës së Dhimbshme Shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme 

Papa: Shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, model për të rinjtë

Në një letër drejtuar imzot Leuzzi-t, ipeshkëv i Teramo-Atri, me rastin e hapjes së Jubileut të njëqind vjetorit të shenjtërimit të Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme, Papa Françesku fton të rizbulohet jeta e Pasionistit të ri që, duke jetuar larg botës, u përkrye shpirtërisht në Krishtin!

R. SH. - Vatikan

“Dëshmia e krishterë e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme ishte aq e jashtëzakonshme, sa të shërbejë si model për mbarë Kishën, posaçërisht për breznitë e reja”. Kështu shkruan Papa në Letrën drejtuar imzot Leuzzit, ipeshkëv i Teramo-Atri, i cili sot, në orën 11.00, në ishullin e Gran Sasso, në Abruzzo, hapi kremtimet për qindvjetorin e kanonizimit të Pasionistit të ri.

“Gabrieli ishte një nga të rinjtë e kohës së vet, plot gjallëri e entuziazëm - shpjegon Françesku në letër - plot me dëshirë për një jetë të vërtetë, të përkryer, gjë që e shtyu të rrijë larg jetës së botës e kënaqësive të saj kalimtare, për të gjetur strehë në Krishtin”. Edhe sot e kësaj dite i fton të rinjtë “t’ia kushtojnë jetën Zotit, takimit me Fjalën e Tij, që jep jetë, e shërbimit ndaj vëllezërve, posaçërisht më të ligshtëve”. Shën Gabrieli jetoi pak, por jetoi me fund. Ndaj la gjurmë të thella kudo shkeli, kudo foli, kudo u lut. La kudo gjurmë feje e shprese, mbi të cilat mund të ecin të gjithë ata, që duan  t’i afrohen Zotit e të afërmit. Deri në fund të fundit. Për të jetuar, më pas, një jetë që nuk mbaron!

Papa e paraqet Shenjtin Djalosh si shembull edhe në këtë kohë pandemie, që kërkon afërsi, dashuri e përkushtim e u uron të gjithë atyre, që do të marrin pjesë në nismat e këtij Viti jubilar kushtuar Shën Gabrielit, të ecin mbi gjurmët e Djaloshit, i cili la gjithçka, e gjeti lumturinë e vërtetë në Krishtin!

100 vjet pas kanonizimit

Gabrieli vdiq më 27 shkurt 1862, në moshën 24 vjeçare. U shpall shenjt  më 13 maj 1920, nga Benedikti XV. Nismat e menduara për 100-vjetorin e ngjarjes, që duhet të kremtoheshin vitin e kaluar, nisën sot e do të vijojnë deri më 27 shkurt 2022. Jubileu filloi me hapjen e Portës Shenjte pranë Shenjtërores kushtuar Shenjtit Pajtor i Rinisë e do të vijojnë me një mori nismash, programuar për këtë njëqindvjetor të Gabrielit, që e dëshmoi në mënyrë shembullore Ungjillin e tani ndërmjetëson për ne të gjithë, e posaçërisht për të rinjtë, pranë Zotit!

27 shkurt 2021, 14:22