Vizita e Papës Françesku në Ifad - 2019 Vizita e Papës Françesku në Ifad - 2019

Papa për Ifad: uria zhduket duke mbrojtur planetin

Mesazhi i Papës Françesku hapi punimet e Forumit të pestë dyvjeçar të popujve indigjenë, që këtë vit organizohet virtualisht nga Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Bujqësor, me temën: “Vlera e sistemeve ushqimore autoktone: qëndresa në kuadrin e pandemisë Covid-19”

R.SH. - Vatikan

Papa dhe e gjithë Kisha impenjohen në favor të popujve indigjenë, të organizatave dhe të qeverive, që i ndihmojnë ata, për të theksuar se “globalizimi nuk do të thotë uniformitet, që nuk merr parasysh ndryshimet, duke imponuar ndonjë lloj të ri kolonializmi”. Kështu hapet mesazhi, që i drejton sot Papa Françesku pjesëmarrësve në takimin e pestë global të Forumit të Popujve Indigjenë, organizuar sivjet virtualisht nga IFAD-Fondi Ndërkombëtar i OKB-së për Zhvillimin Bujqësor. Tema e këtij viti u kushtohet pasojave shkatërrimtare të Covid-19 për popullsitë autoktone dhe për sistemet e tyre ushqimore, burim i pazëvendësueshëm i qëndresës së këtyre popujve.

Ekologjia, e lidhur me drejtësinë shoqërore

         Në mendimin e shprehur nga Ati i Shenjtë, si gjithnjë, ekologjia e gjithanshme, sipas së cilës drejtësia shoqërore është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e ambientit. Prandaj, “sfida” për të cilën flet me pjesëmarrësit e Forumit nga më se 50 vende të botës, është “solidariteti”, që nuk përjashton askënd e nuk imponohet.

“Sfida - shkruan Papa – ka të bëjë më tepër me krijimin e alternativave, duke filluar nga solidariteti, në mënyrë që askush të mos ndihet i mënjanuar, por pa imponuar me forcë orientimin e vet, duke e konsideruar si të vetmin të drejtë. Përkundrazi, ne e dimë mirë që kur ndryshimet na pasurojnë reciprokisht, bashkimi ndërmjet popujve lulëzon dhe gjallërohet”.

Konsumi të mos konsiderohet zhvillim

         Në qendër të Forumit të këtyre ditëve, realiteti i pandemisë, që ka shtuar vështirësitë në sigurimin e ushqimit dhe të ujit të pijshëm për popullsitë autoktone, duke rritur pabarazinë e diskriminimin dhe duke përkeqësuar aftësitë e ekonomive për të ecur me këmbët e veta. Zgjidhja e vetme që sheh Papa, është një zhvillim i tipit të ri.

         “Është fjala për të promovuar një zhvillim, ku konsumi të mos jetë as mjet, as qëllim në vetvete, - nënvizon Ati i Shenjtë - ku të ketë kujdes të vërtetë për ambientin, ku dëgjohet, mësohet dhe fisnikërohet njeriu. Kjo është ekologjia e gjithanshme, në të cilën drejtësia shoqërore shkon përkrah me mbrojtjen e planetit. Vetëm me këtë përvujtëri shpirtërore do të jemi në gjendje ta zhdukim krejtësisht urinë dhe të kemi një shoqëri të bazuar në vlera të qëndrueshme, të cilat nuk janë rezultat i modës së përkohshme dhe të pjesshme, por fryt i drejtësisë dhe mirësisë”.

Ta duam botën: është thesar, jo grumbull me plehra

         Duke u uruar punë të mbarë pjesëmarrësve të Forumit, Papa Françesku u kërkon ta duan botën, pra, të mendojnë për të mirën e përbashkët, në mënyrë që të lënë pas “gjurmë altruizmi” e jo “vetëkënaqësie”, “individualizmi” dhe “mendësie të mbrapshtë”.

“Shpresoj që puna e këtyre ditëve të mbushet me fryte të begata, me dashuri për botën, të cilën duam ta ndërtojmë së bashku e dëshirojmë t’ua dorëzojmë atyre që vijnë pas nesh si thesar e jo si grumbull me plehra. Për këtë qëllim, t’i kushtojmë vëmendje së mirës së përbashkët, që do të na japë mundësinë të kalojmë në këtë botë, duke lënë gjurmë altruizmi e bujarie, pa u lënduar nga mendësia tokësore, pa qenë zemërthyer nga zbrazëtia shpirtërore, paralizuar nga vetëreferimi, ose trishtuar nga individualizmi”, e përfundon mesazhin Ati i Shenjtë.

02 shkurt 2021, 14:02