Papa: nuk mund ta injorojmë britmën e grave viktima të dhunës

Në shkurt, Papa Françesku u kërkon besimtarëve të luten dhe të impenjohen në favor të grave, që pësojnë abuzime çdo ditë, në gjithë botën. Si zakonisht, ndjeti i tij i besohet videomesazhit të publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes, që përpiqet ta bëjë të dukshëm dramaticitetin e këtij argumenti edhe përmes pamjeve të përdorura

R.SH. - Vatikan

Format e ndryshme të keqtrajtimit, që pësojnë shumë gra, janë shprehje e “burracakërisë dhe e degradimit” të meshkujve e “të gjithë njerëzimit”. Papa Françesku nuk përdor doreza për të folur mbi tragjedinë e grave, viktima të dhunës, duke e lartuar edhe një herë zërin dhe lutjen e tij në mbrojtje të femrave, që vazhdojnë të vuajnë çdo ditë nga dhuna psikologjike, verbale, fizike dhe seksuale. “Është mbresëlënës numri i grave të goditura, të fyera, të dhunuara”, vëren me hidhërim Papa, i cili, shumë e shumë herë gjatë papnisë së tij, i ka tërhequr vëmendjen botës ndaj kësaj plage. Sot, e bën këtë edhe një herë, përmes ndjetit të lutjes për muajin shkurt, publikuar, si zakonisht, me një videomesazh të Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës.

 “Të lutemi për gratë që janë viktima të dhunës, që ato të mbrohen nga shoqëria dhe që vuajtjet e tyre të merren parasysh dhe të dëgjohen nga të gjithë”: kështu i fton Papa të luten të gjithë të krishterët e të gjithë njerëzit vullnetmirë.

Papa, pra, i përfshin “të gjithë”, fjalë, që përsëritet shpesh në video. “Dëshmitë e viktimave, që kanë guximin ta thyejnë heshtjen janë thirrje për ndihmë, të cilën nuk mund ta injorojmë”, thekson Ati i Shenjtë. “Nuk mund ta kthejmë kokën nga ana tjetër”.

Tuneli i dhunës

 Një video, ky i shkurtit, ku fjalët e Papës shoqërohen edhe me pamje, që tregojnë historinë e një gruaje viktimë të dhunës, e cila gjen guximin të dalë nga “tuneli” i abuzimit “falë forcës së saj dhe ndihmës së bashkësisë”, pohohet në komunikatën, që shoqëron videon e Rrjetit Botëror të Lutjeve. Historia paraqitet në formën e filmit vizatimor, falë bashkëpunimit me Hermes Mangialardo, krijues e pedagog e këtij lloj ilustrimi, italian, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare.

Statistikat e keqtrajtimeve

Numri i grave viktima të dhunës është tronditës e ky fakt theksohet edhe në komunikatën e Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, ku paraqiten statistikat e Kombeve të Bashkuara – UN Women, deri në nëntor 2020. Ato u kujtojnë të gjithëve se, çdo ditë, 137 gra vriten nga anëtarët e familjes, se femrat përbëjnë gati gjysmën e viktimave të trafikimit dhe se, në shkallë globale, çdo tri gra, njëra ka përjetuar së paku një herë dhunë fizike, ose seksuale. 15 milion adoleshente në moshën ndërmjet 15 dhe 19 vjeç, në gjithë botën, detyrohen të kenë marrëdhënie seksuale me përdhunë. Gjendja është përkeqësuar, për shkak të pandemisë, sepse “kufizimi i lëvizjes, izolimi shoqëror dhe pasiguria ekonomike e kanë rritur mundësinë për të ushtruar dhunë kundër grave në sferën private”. Megjithëse 155 vende, vëren raporti i OKB-së, i kanë miratuar ligjet kundër dhunës shtëpiake dhe 140 kanë ligje kundër abuzimeve seksuale në vendin e punës, kjo nuk do të thotë se ato përkojnë gjithnjë me normat dhe rekomandimet ndërkombëtare, ose zbatohen e respektohen kurdoherë.

Çështje, që Papa e ka për zemër

Fjalët e Papës në këtë video dhe në shumë raste të tjera tregojnë ndjeshmërinë e tij të madhe për këtë dramë, përgjegjësinë e së cilës duhet ta marrin përsipër të gjithë. Gjatë papnisë së tij, Françesku e ka përmendur çështjen e dhunës kundër grave në Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”, por edhe në fjalime e takime të ndryshme. Emblematike, fjalët e tij në homelinë e parë të vitit 2020: “Çdo dhunë kundër grave është përdhosje e Zotit, që është lindur nga një grua. Nga trupi i një gruaje erdhi shpëtimi për gjithë njerëzimin: nga mënyra se si e trajtojmë trupin e gruas, kuptojmë nivelin e humanitetit tonë”.

01 shkurt 2021, 17:32