Jezusi i mëshirshëm Jezusi i mëshirshëm 

Papa: mesazhi i Mëshirës Hyjnore, t’ia hapim zemrën Krishtit

Papa kujtoi sot 90 vjetorin e dukjes së figures së Jezusit të mëshirshëm. “Ky mesazh, pohoi, që arriti në mbarë botën, nuk është tjetër, veçse Ungjilli i Jezu Krishtit, që vdiq e u ngjall e na dhuron mëshirën e Atit.

R. SH. - Vatikan

Françesku u drejtoi një përshëndetje të posaçme shtegtarëve polakë të pranishëm në Shesh. Sot - kujtoi - mendimi im shkon në shenjtëroren e Plock, në Poloni:

 “Nëntëdhjetë vjet më parë Zoti Jezus iu duk Shën Faustina Kowalskas, duke i besuar një mesazh të posaçëm të mëshirës hyjnore. Përmes Shën Gjon Palit II mesazhi u përhap në mbarë botën. E nuk ishte tjetër, veçse Ungjilli i Jezu Krishtit, që vdiq, u ngjall e na dhuron mëshirën e Atit. Ta hapim zemrën, duke thënë me fe: ‘Jezus besoj në Ty!’”.

Ishte 22 shkurti i vitit 1931. Zoti Jezus iu duk Faustina Kowalskas, që lutej në një nga qelitë e kuvendit të Plock, të kongregatës së Motrave të Zojës së Mëshirës, në Stary Rynek.  

“Në mbrëmje, duke ndenjur në qelinë time - shkruan motra Faustina në Ditarin e saj - pashë Zotin Jezus, të veshur me petka të bardha: me një dorë ngritur lart për të bekuar, ndërsa me tjetrën prekte petkun mbi kraharor, prej nga dilnin dy rreze të ndritshme, njëra e kuqe, tjetra e zbehtë. I mbaja sytë ngulur mbi Zotin e shpirti im pushtohej nga frika, por edhe nga  gëzimi i papërshkrueshëm. Pas një të imte, Jezusi  më tha: ‘Pikturoje një figure sipas modelit, që po shikon, e poshtë saj shkruaj: ‘Jezus, besoj në Ty!’. Dëshiroj që kjo figure të nderohet më parë në Kapelën tuaj. Më pas, në mbarë botën’. Figurja e parë e Krishtit të Mëshirshëm u pikturua në Vilnius, nën drejtimin e vetë motrës Faustina. Ndërsa më e njohura ruhet në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore, në Cracovia-Lagiewniki. U krijua sipas përshkrimit të Apostulles së Mëshirës Hyjnore.

Nesër, në orën 17.00, në Shenjtëroren polake të Mëshirës Hyjnore, në Plok, do të kremtohet Mesha, që mund të ndiqet në kanalin Youtube të Shenjtërores.

21 shkurt 2021, 13:45