Papa: Kreshmët nuk janë përmbledhje frazash të zgjedhura, po kthim tek Zoti

Në Meshën e së Mërkurës së Përhime, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, Françesku na nxiti për t’u bërë të vegjël, për të nisur një shtegtimn përvujtërie, që na çon drejt Pashkëve: “Në vrimat më të dhimbshme të jetës, Zoti na pret me mëshirën e Tij të pambaruar”

R. SH. - Vatikan

Kreshmët janë ftesë, që lind nga zemra e Zotit! Me krahët e hapur e sytë plot mall, Ai na lut: “Kthehuni tek unë me gjithë zemër!”.  

Kthehuni tek unë

Kthehuni tek unë! Me gjithë zemër. Kreshmët janë shtegtim, që ndikon mbi gjithë jetën tonë, mbi gjithë vetveten. Kohë për të verifikuar rrugët në të cilat ecim, për të gjetur rrugën që na çon kah shtëpia, për të rizbuluar lidhjen themelore me Zotin, nga i cili varet gjithçka. Kreshmët na tregojnë   ku po drejtohet zemra jonë. Drejt Zotit, apo drejt vetvetes? Jetojmë  për t’i pëlqyer Zotit, apo për t’u dukur, për t’u lavdëruar, për t’u pëlqyer? Kënaqemi me hipokrizinë tonë, apo luftojmë për ta çliruar zemrën nga  qëndrimet e dyfishta e falsitetet, që e mbajnë në pranga? Mos ec pas pluhurit të sendeve, që sot janë e nesër zhduken, por drejtoje jetën drejt Tij. Për këtë na nxiti Papa në këtë kohë të fortë Kreshmësh që - kujtoi - “nuk është përmbledhje frazash të zgjedhura! Është kohë për të parë ku drejtohet zemra”.  

Dalje nga skllavëria në liri

Kreshmët janë dalje nga skllavëria në liri. Janë dyzet ditë, që të kujtojnë 40 vjetët gjatë të cilave populli i Zotit u end nëpër shkretëtirë,  për t’u  kthyer në tokën e zanafillës. Por, sa vështirsi hasi në largim prej Egjiptit.  Gjatë shtegtimit vijoi të tundohej, të ankohej për qepët, të dëshironte kthimin mbrapa, të lidhej me kujtimet e së kaluarës, me ndonjë idhull. E edhe ne na ndodh e njëjta gjë: “rikthimi tek Zoti pengohet nga leqet e veseve, siguritë e rreme, që na premtojnë paratë e dukja, nga ankimet e kota, që burojnë prej vetëdashjes paralizuese”. Për të ecur, duhet t’ua çjerrim maskën këtyre iluzioneve.

Askush nuk mund të pajtohet me Zotin me forcat e veta

“Kreshmët, pra, janë dalje nga skllavëria, në liri. Por askush nuk mund të pajtohet me Zotin me forcat e veta. Është Zoti ai, që na prin, duke na takuar! Fillesa e kthimit është ta ndjesh se ke nevojë për mëshirë”.

Jehuan kështu, fuqishëm, sot fjalët e Papës, në Meshën me Ritin e bekimit  të hirit e të përhimjes, ndonëse edhe aty u ndje fort pandemia, që synon ta kthejë në hi vetë botën. E këtë të kujtonte edhe vendi i kremtimit eukaristik, i cili sot nuk u mbajt në Bazilikën e Shën Sabinës, në Aventin, por në Altarin e Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, me një pjesëmarrje shumë të kufizuar besimtarësh, për shkak të masave kufizuese shëndetësore. Kongregata për Kultin Hyjnor këto ditë botoi një notë për të saktësuar udhën që duhej ndjekur gjatë kremtimit, në hapje të Kreshmëve: vënia e maskës dhe formula, e shqiptuar një herë të vetme. Prandaj si u krye riti i Bekimit të hirit, Papa e shqiptoi, një herë  të vetme për të gjithë, formulën: “Kujtohu, o njeri, se hi ke qenë e hi ke për t’u bërë”,  e më pas përhiu kardinajtë, pasi ai vetë ishte përhirë nga kardinali Comastri. Ndërsa besimtarët u përhinë nga meshtarët e tjerë, që mernin pjesë në kremtim.

Sot ulim kokën për t’u përhirë

Sot ulim përvujtërisht kokën për t’u përhirë - kujtoi Papa në vijim të homelisë - Si të mbarojnë Kreshmët, do të përulemi edhe më shumë, për të larë këmbët e vëllezërve. Sepse:

“Kreshmët janë zbritje e përvuajtur brenda vetes, drejt të tjerëve. E, për të kuptuar se shëlbimi nuk është shkallë për t’u ngjitur drejt lavdisë, por për t’u ulur për dashuri. E për t’u bërë të vegjël. Në këtë udhë, për të mos e humbur drejtimin, të gjunjëzohemi para Kryqit të Krishtit: është katedra e heshtur e Zotit. T’ia ngulim çdo ditë sytë plagëve të Tij. Në këto vrima shikojmë boshllekun tonë, mungesat tona, plagët e mëkatet, goditjet, që na dhembin. E, pra, aty  shikojmë se Zoti nuk e drejton gishtin kundër nesh, por na i hap krahët”.

Papa nxit për t’i puthur plagët e Krishtit

Plagët e tij u hapën për ne - vijoi  të shpjegonte Françesku në homelinë e së Mëkurës së Përhime - e nga këto plagë edhe u shëruam! T’i puthim e do të kuptojmë se pikërisht aty, në vrimat që dhëmbin më shumë në jetë, Zoti na pret me mëshirën e tij të pafundme. Sepse aty ku jemi më të ligshtë, ku turpërohemi më shumë, aty erdhi të na takojë. E tani na fton të rikthehemi tek ai, për të  gjetur gëzimin që buron nga dashuria e Zotit për ne.

Reflektimi i Françeskut u nis nga fjalët e profetit Joel: “Kthehuni tek unë me gjithë zemër”

Shtegtimet e kthimit

Për të ecur përsëri drejt Hyjit, na ndihmojnë shtegtimet e kthimit, që na i tregon Fjala e Zotit.

Po të shikojmë djalin plangprishës, e kuptojmë se edhe ne na erdhi koha për t’u khtyer tek Ati. Si ky djalë, edhe ne e harruam erën e mirë të shtëpisë,  shkapërderdhëm pasurinë e çmuar, e shkëmbyem me gjëra pa pikë vlere, mbetëm me duar bosh e me zemër të thyer. Ramë: jemi bij, që rrëzohemi vazhdimisht, fëmijë të vegjël, që provojnë të ecin, por rrëzohen sakaq përdhe e kërkojnë me lot në sy, dorën e babait, që të mund të ngrihen përsëri. E fjala e Atit i ngre përsëri në këmbë: përdëllimi i Atit, Rrëfimi, është hapi i parë  i shtegtimit tonë të kthimit:

“Të gjithë kemi sëmundje shpirtërore, të vetëm nuk mund të shërohemi: të gjithë kemi vese të rrënjsoura, të vetëm nuk mund t’i shkulim; të gjithë kemi frikë, që na paralizon, të vetëm nuk mund ta mposhtim. Duhet t’i ngjasim atij të gërbulurit, që u kthye nga Jezusi e iu hodh tek këmbët. Na duhet shërimi, që vjen nga Krishti!”

Duhet t’i vëmë para Tij plagët tona, mëkatet tona. Hiri mbi kokë na kujton se jemi hi e hi do të bëhemi - theksoi edhe një herë Papa - duke kujtuar se pikërisht mbi këtë hi Zoti fryu Shpirtin e tij të jetës. Prej këndej, ftesa për të ndjekur pikërisht Shpirtin e Jetës e për t’u pajtuar me Zotin, duke i kthyer nga Ai zemrat tona:

“Kthimi i zemrës, me gjestet e praktikat, që e shprehin, mund të bëhet  vetëm nëse i prin Zoti. Nuk na kthejnë aftësitë tona tek Ai, por hiri i Tij. Na e thotë vetë Jezusi në Ungjill: të drejtë nuk na bën drejtësia që praktikojmë para njerëzve, por lidhja e sinqertë me Atin”.

Udha e kthesës është “udha e përvujtërisë” - pohoi në përfundim Papa. Çka na shpëton, është hiri: “shëlbimi është hir i pastër”.

17 shkurt 2021, 13:36