Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa Françesku: i krishteri, llambë e vogël e Ungjillit.

Të ruhemi nga përtacia shpirtërore e ta bëjmë dritën e Krishtit të shndrisë kudo. Papa Françesku e lexoi kështu shndërrimin e Zotit, duke ftuar për të çuar dashuri e shpresë në botë, gjë që është misioni i të krishterit. Në përfundim të lutjes mariane, ftesa për një agjërim të veçantë: për të hequr dorë nga përgojimet dashakëqija e nga thashethemet.

R. SH. - Vatikan

Papa e nisi me një  ftesë, që vjen nga e Diela e dytë e Kreshmëve, lutjen e  sotme e Engjëllit të Tënzot. Ftesë për të kundruar shndërrimin e Jezusit mbi mal, para tre prej dishepujve të Tij. Pak më parë - kujtoi Papa, duke nisur përshkrimin e kësaj ngjarjeje me vlera të jashtëzakonshme për fatin e  fundmë të mbarë njerëzimit - Jezusi  kishte kujtuar se në Jeruzalem do të vuante shumë, do të kundërshtohej, e do të dënohej me vdekje. Ishte i rrethuar nga miqtë e vet, kur fliste kështu. E mendoni - vijoi të shpjegonte Papa - çka ndodhi në zemrën e miqve të tij më të ngushtë, ku i dëgjuan këto fjalë, nësa prisnin krejt të tjera. Figura e Mesisë së fortë e ngadhënjyes u mjegullua, ëndrrat i mori era e shpirti i tyre u pushtua nga ankthi. Mësuesi, në të cilin kishin besuar, do të vritej si të ishte më i keqi ndër keqbërës. E pikërisht në këtë çast kaq tronditës, Jezusi i thërret Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i merr me vete mbi mal.

Atje ku takohen toka me qiellin

Ungjilli - vijoi të shpjegonte Papa - thotë “i çoi mbi mal”. E ne e përfytyrojmë sakaq malin, vend i lartë, ku qielli e toka takohen e ku Moisiu e profetët jetuan përvojën e jashtëzakonshme të takimit  me Zotin.

Jezusi ngjitet  drejt lartësive,  së bashku me tre dishepujt e ndalet në maje të malit. Këtu ai shndërrohet para tyre. Fytyra e Tij  rrezëlluese  e petkat e ndritshme, që përshpejtojnë fugurën  e Krishti të ngjallur, u ofrojnë këtyre njerëzve të pushtuar nga frika dritën, për të përshkuar terrinat. Marrin kumtin e madh:

 “Vdekja nuk do të jetë fundi i  të gjithave, sepse pas saj gjithçka do të hapet për lavdinë e Ringjalljes”.

Ç’mrekulli – siç brohoriti Shën Pjetri Apostull.  Të rrish me Zotin mbi mal, ta jetosh “këtë paradhënie” drite, në zemër të Kreshmëve. Është ftesë për të na kujtuar, posaçërisht kur kalojmë ndonjë provë të vështirë, se Zoti u ngjall e nuk lejon që errësira ta thotë fjalën e fundit.

Rrugëdalja nga misteri i vdekjes

Nganjëherë ndodh që kalojmë çaste errësire në jetën personale, familjare a shoqërore. Atëherë na e mbërthen shpirtin frika se para nesh nuk ka asnjë shteg, asnjë rrugëdalje - vijoi Papa - duke kujtuar jetën e secilit prej nesh, ngarkuar me shqetësime, sëmundje, dështime, vdekje. Tmerrohemi përballë enigmave të mëdha të sëmundjes - vijoi -  të dhimbjes së pafaj  a të misterit të vdekjes, nga e cila nuk shpëtojmë dot:

“Në të njëjtën rrugë feje, shpesh marrim mbë thua, duke u takuar me shkandullin e kryqit e kërkesat e Ungjillit, që na kërkon ta shkrijmë jetën  në shërbim e ta humbasim në dashuri, në vend që ta ruajmë e ta mbrojmë”

Kemi nevojë, atëhere - kujtoi Papa - për një shikim, për një dritë që ta ndriçojë në thellësi misterin e jetës e të na ndihmojë të shkojmë përtej skemave tona  e kritereve të kësaj bote:

“Edhe ne jemi të thirrur  të ngjitemi mbi mal, për të kundruar bukurinë  e të Ngjallurit, që ndez shkëndija drite në çdo shteg të jetës sonë e na ndihmon ta shpjegojmë historinë, duke u nisur nga fitorja e Pashkëve të Tij”.

Larg përtacisë shpirtërore

Po kjo - vijoi të shpjegojë Papa - nuk duhet të na dehë e të  na bëjë të mendojmë se “është bukur për ne të rrijmë këtu”, duke e shndërruar këtë bukuri në përtaci shpirtërore:

“Nuk mund të rrimë mbi mal e të sodisim të vetëm lumninë e këtij takimi. Vetë Jezusi na zbret përsëri në luginë, ndërmjet vëllezërve tanë, në jetën tonë të përditshme”.

Misioni i të krishterit

Duhet të ruhemi nga përtacia shpirtërore: jemi mirë, me lutjet e liturgjitë tona, e kjo na mjafton! Jo! Të ngjitesh mbi mal nuk do të thotë ta harrosh realitetin; të lutesh nuk do të thotë të arratisesh nga mundimet e jetës; drita e fesë nuk shërben për emocione të bukura shpirtërore - theksoi Papa - e shtoi:

“Jemi të thirrur për t’u takuar me Krishtin që, të shndritur nga drita e Tij,  të mund ta çojmë këtë dritë e ta bëjmë të shkëlqejë kudo. Mund të ndezim drita të vogla në zemrën e njerëzve; të jemi llamba të vogla të Ungjillit, që çojnë kudo flakëza dashurie e shprese: ky është misioni i të krishterit” .

E ky, edhe mendimi përfundimtar i lutjes së Engjëllit në këtë të diel Kreshmësh, që përfundoi me lutjen drejtuar Marisë:

“T’i lutemi të Shenjtnueshmes Mari të na ndihmojë ta pranojmë me mahnitje dritën e Krishtit, ta ruajmë e ta ndajmë edhe me të tjerët”.

28 shkurt 2021, 13:37