Prostitucioni nigerian Prostitucioni nigerian 

Françesku: ekonomia nuk duhet ta favorizojë trafikun

Dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi edhe Ditën Botërore të lutjes kundër trafikut, me temë “Ekonomia, pa trafikun e njerëzve”.

R. SH. - Vatikan

“Sot, kujtimi liturgjik i Gjyzepina Bakhitës, rregulltare sudaneze që provoi shijën e hidhur të skllavërisë, me gjithë peshën e përbuzjes e të vuajtjeve, kremtohet Dita e lutjes dhe e reflektimit kundër trafikut të njerëzve”. Me këto fjalë Papa kujtoi, në përfundim të lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, takimin e sotëm, Ditën VII botërore kushtuar lutjes dhe reflektimit kundër trafikut të njerëzve, që bie më 8 shkurt, ditën e kujtimit liturgjik të Shën Jozefina Bakhitës, skllave e shitur, e dhunuar që në moshën 9 vjeçe, në një fshat të vogël të Darfurit, në vitet ‘800, që u bë më pas rregulltare kanoziane, Shenjte e simbol i angazhimit të Kishës kundër skllavërisë. Edicioni i shtatë, për shkak të pandemisë, zhvillohet i tëri on line, në një maratonë të mirëfilltë organizuar nga Talitha Kum - rrjet i jetës rregulltare kundër trafikut të njerëzve i Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të përgjithshme (UISG) - duke nisur nga ora 10.00, deri në orën 17.00, drejtpërdrejt streaming, në kanalin You Tube të Ditës botërore (www.youtube.com/c/preghieracontrotratta) me përkthime në pesë gjuhë.

Edhe Papa merr pjesë, me një videomesazh

Edhe zëri i Papës do të dëgjohet në të katër anët e Planetit, për të ndezur reflektorët e për të sensibilizuar opinionin publik mbi njërin nga shkaqet kryesore të trafikut të njerëzve, modelin ekonomik sundues, kufizimet dhe kontradiktat e të cilit u thelluan edhe më shumë për shkak të pandemisë. E tregon vetë tema e këtij edicioni, që kërkon: “Ekonomi, pa trafikun e njerëzve”.

Papa Françesku e kujtoi dje, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke uruar  që, me ndihmën e Shën Jozefinës, burrat e gratë të mos shiten kurrë më si skllevër:

“Sivjet objektivi është të punohet për një ekonomi, që nuk duhet t’i favorizojë as indirekt këto trafikë të ulët, domethënë një ekonomi që nuk i shndërron kurrë burrin e gruan në mall, në sende, por gjithnjë në qëllim. Që është në shërbim të burrit e të gruas, pa i përdorur kurrë si mall! T’i lutemi Shën  Gjysepinës Bakhita të na ndihmojë në këtë përpjekje”.

Po kjo nuk është hera e parë - e nuk do të jetë as e fundit - që Papa flet plot dhimbje për viktimat e trafikut. Foli edhe kohët e fundit, në “Letër Joy-t” protagoniste e librit të Mariapia Bonanate, një grua e kryqëzuar nga dhimbja, një fantazmë, që endet udhëve tona:

“Kjo e Joy është histori, që të kujton shumë njerëz të cilët, si ajo, u rrëmbyen në një zinxhir skëterre e u bënë, pa dashur, personazhe të tragjedisë së trafikut. Histori sa e panjohur, aq edhe ogurzezë,  e pranishme në shoqëritë tona të globalizuara. E udha e saj e kryqit shpaloset si mozaik  jetësh të jetuara nga vëllezërit e motrat tona më të ligshta, ‘transparentë’ për sytë e të tjerëve”.  

08 shkurt 2021, 11:42