Asambleja e Përgjithshme e Lëvizjes së Fokolarinëve Asambleja e Përgjithshme e Lëvizjes së Fokolarinëve 

Papa Fokolarëve: dëshmojeni Ungjillin me dialog e zemër të hapur

Me audiencën tek Papa në Sallën Nervi, përfundoi sot Asambleja e përgjithshme e Veprës së Marisë, apo Lëvizjes së Fokolarëve, që zgjodhi këto ditë presidenten e re, Margaret Karram. Françesku e ftoi lëvizjen ta vijojë udhën “me besnikëri dinamike” ndaj karizmës, trashëguar nga themeluesja, Chiara Lubich, me porosinë të rrijë larg çdo vetëvlerësimi.

R. SH. - Vatikan

Dialog, takim, zemër të hapur për të gjithë e qëndrim larg çdo sjelljeje vetëvlerësuese, për të vijuar udhën e hapur nga themeluesja, Chiara Lubich: këto ishin këshillat kryesore, që u dha Papa gjatë fjalimit, pjesëmarrësve në Asamblenë e Lëvizjes që, e nisur më 24 janar, përfundoi sot. E, për t’i inkurajuar në detyrën e tyre, bëri disa reflektime, përmbledhur në tri pika, karakteristike për stilin e Papës. Kujtoi: “udhën pas Themelueses, rëndësinë e krizës; të jetuarit e përshpirtërisë me koherencë e realizëm”.

Besnikëri krijuese ndaj zanafillës e dëgjim i së resë

Kanë kaluar 12 vjet nga vdekja e Chiara Lubich e, pohoi Françesku në bisedë me Fokolarët - e jeni të thirrur ta kapërceni përhumbjen e natyrshme si dhe rënien numerike, “për të vijuar të jeni shprehje e gjallë e karizmës së Fondacionit”. Por për ta bërë këtë, është e nevojshme - vijoi Papa - besnikëria dinamike, domethënë angazhimi për të qenë gjithnjë besnikë ndaj burimit të zanafillës, duke bërë përpjekje për ta rimenduar e për ta shprehur në dialog me situatat e reja shoqërore e kulturore:

“Përshpirtëria juaj, e karakterizuar nga dialogu dhe aftësia për të bashkëpunuar me mjedise të ndryshme kulturore, shoqërore e fetare, mund ta favorizojë këtë proces. Hapja ndaj të tjerëve, kushdo qofshin, duhet kultivuar gjithnjë me kujdes; Ungjilli, që u përket të gjithëve, jo si prozelitizëm, është tharm i humanizmit të ri në çdo vend e në çdo kohë. Kjo sjellje hapjeje e dialogu do t’ju ndihmojë të rrini larg çdo vetëvlerësimi, që nuk vjen kurrë nga shpirti i mirë. E pikërisht këtë urojmë për gjithë Kishën: ruajtjen nga çdo lloj përkuljeje para vetvetes,  që të shtyn ta mbrosh institucionin në dëm të njerëzve e që mund të të nxisë edhe të justifikosh e të mbulosh format e shpërdorimit, që i zbuluam e i jetuam me dhimbje të thellë në këto vitet e  fundit”.

Vetëvlerësimi - ishte këshilla kryesore që Papa u dha Fokolarëve - duhet t’ia lëshojë vendin parresisë, transparencës, për të përballuar me guxim e vërtetësi problemet e ndryshme, “duke ndjekur gjithnjë porositë e Kishës që është Nënë e vërtetë e duke iu përgjigjur kërkesave të drejtësisë e të dashurisë së krishterë”.

Çdo krizë është rast për të arritur një pjekuri të re - pohoi Papa,  që kujtoi, së dyti, se nuk mund të jetohet pa kriza e, së treti, kërkoi që përshpirtëria e Lëvizjes të jetohet “e përqendruar gjithnjë tek Jezusi”.

06 shkurt 2021, 14:40