Bukën tonë të përditshme na e jep sot! Bukën tonë të përditshme na e jep sot! 

Kreshmët: kohë për të përtërirë fenë, shpresën, dashurinë

Në Mesazhin e Françeskut për kohën që na përgatit për kremtimin e Pashkëve, ftesa për një udhë pendese, që të çon tek rizbulimi i bashkimit me tjetrin, posaçërisht me të varfërit. Dashuria e krishterë nuk është shterpe! Të nxit ta jetosh stilin ungjillor të ngushëllimit e të dashurisë, duke agjëruar edhe nga “ngopja me informacione, të vërteta e të rreme”.

Lutje, agjërim e lëmoshë të jenë në shërbim të vëllazërimit,  e të bëhen me zemër të hapur për tjetrin!

Kohë për të përtërirë fenë, shpresën e dashurinë

Në Mesazhin kushtuar Kreshmëve 2021, Papa shpjegon domethënien e udhës kreshmore, që nis për çdo të krishterë me të Mërkurën e Përhime: “Duke përshkuar udhën kreshmore, që na çon drejt kremtimit të Pashkëve,  kujtojmë Atë që ‘e përuli vetveten e u bë i bindur deri në vdekje; deri në vdekjen e  kryqit”(Fil 2,8)

Është kohë e përtëritjes së fesë sonë, kohë, kur shuajmë etjen me ujin e gjallë të shpresës e marrim, në zemrën e hapur, dashurinë e Zotit, që na bën vëllezër e motra në Krishtin.

Udha e Kreshmëve, udhë  drejt Ngjalljes

Papa, duke vijuar të shpjegojë udhën e Kreshmëve, e quan udhë e krishterë, që përfundon me Natën e Pashkëve, kur përsërisim premtimet e Pagëzimit, për të rilindur si burra të rinj e gra të reja, falë hirit të Shpirtit Shenjt. Pa harruar se rruga e Kreshmëve, ashtu si e gjithë rruga e krishterë, është e tëra nën dritën e Ngjalljes. E na frymëzon ndjenjat, sjelljet e rrugët  e njeriut, që dëshiron ta ndjekë Jezusin.

Feja na bën thirrje ta pranojmë të Vërtetën e të bëhemi dëshmitarë të saj 

 

Në këtë kohë Kreshmësh, ta pranosh e ta jetosh të Vërtetën e dëftuar në Krishtin, do të thotë  të pranosh Fjalën e Zotit, që transmetohet nga breznia në brezni. E kjo e vërtetë - nënvizon Papa në Mesazh - nuk është krijesë e intelektit, nuk u përket vetëm pak mendjeve të zgjedhura, të larta a të shquara.

“Është mesazh, të cilin e marrim e mund ta kuptojmë falë inteligjencës së zemrës,  që hapet për  madhështinë e Zotit. Atij Zoti, që na do para se të bëhemi të vetëdijshëm për këtë dashuri. Kjo e Vërtetë është vetë Krishti që, duke marrë deri në fund të fundit natyrën tonë njerëzore, u bë Udhë - kërkuese, por e hapur për të gjithë - që të çon në përsosurinë e jetës”.

Agjërimi, i jetuar si përvojë privimi

Agjërimi, i jetuar si përvojë privimi, e ndihmon njeriun e thjeshtë të rizbulojë dhuratën e Zotit e ta kuptojë realitetin tonë si krijesa në ngjasim të Krijuesit, që e gjejnë në Të përsosurinë. Kush agjëron, bëhet i varfër me të varfërit e fiton pasurinë e asaj dashurie, që merret, e edhe dhurohet. “Agjërimi - kujton Papa në mesazhin e Kreshmëve - i kuptuar dhe i praktikuar kështu, ndihmon për ta dashur Zotin e  të afërmin”.

Kreshmët, kohë për të besuar

Dashuria e krishterë, e jetuar në gjurmët e Krishtit, me vëmendje e mëshirë për gjithkënd, është shprehja më e lartë e fesë sonë dhe e shpresës  sonë. Dashuria galdon, kur e shikon tjetrin duke u rritur. E vuan, kur tjetri  zhytet në ankth: kur është i vetëm, i sëmurë, i pastrehë, i dëshpëruar, nevojtar. Dashuria është hovi i zemrës, që na bën të dalim nga vetvetja e i  hap udhën  ndarjes e bashkimit:

“Duke nisur nga dashuria shoqërore, është e mundur të përparojmë drejt qytetërimit të dashurisë, për të cilin thirremi të gjithë. Dashuria e krishterë, me dinamizmin e saj universal, mund të ndërtojë një botë të re, sepse nuk është ndjenjë shterpe, por mënyra më e mirë për të ecur në udhët e zhvillimit për të gjithë (Ft,183)”.

Dashuria është dhuratë që i jep kuptim jetës sonë e falë saj e shikojmë atë  që vuan si pjesëtar të vetë familjes, si mik, si vëlla. Ajo pak e gjë, që e ndajmë me dashuri, nuk mbaron kurrë, por shndërrohet në rezervë jete e lumturie. Ashtu si ngjau me miellin e vajin e vejushës së Sareptës, që i gatoi pogaçën Elisë profet. E edhe me bukët, që Jezusi i bekoi, i theu e ua dha dishepujve për t’ia shpërndarë turmës. Kështu ndodh edhe me lëmoshën tonë të vogël a të madhe, të dhuruar me gëzim e thjeshtësi.

Kreshmë për të mjekuar kë vuan nga Covid-19

T’i jetosh Kreshmët me dashuri të krishterë - kujton akoma Papa në Mesazhin e Kreshmëve 2021 - do të thotë të kujdesesh për njeriun, që jeton në kushte vuajtjeje, braktisjeje a ankthi edhe për shkak të pandemisë së Covid-19. Në rrethanat e paqartësisë së madhe për të nesërmen, duke kujtuar fjalët që Zoti ia drejton shërbëtorit të vet: “Mos ki frikë, sepse të fala”, "Mos ki frikë, sepse të çlirova”, me dashurinë tonë ofrojmë një fjalë besimi dhe e bëjmë tjetrin  ta ndjejë se Zoti e do si ta kishte bir.

“Të dashur vëllezër e motra - kujton Papa në përfundim të Mesazhit të Kreshmëve - çdo etapë e jetës është kohë për të besuar, për të shpresuar, për të dashur”.

Kjo thirrje për t’i jetuar Kreshmët si udhë kthese, feje, ndarjeje të përbashkët të të mirave tona - lutet Papa në prag të  Kreshmëve - na ndihmoftë ta rivizitojmë në kujtesën komunitare e personale, fenë që buron nga Krishti i gjallë e shpresën e frymëzuar nga fryma e Shpirtit të dashurisë, gurra e pashterrshme e të cilit  është zemra e mëshirshme e Atit.

Lutje, lëmoshë, agjërim: në këtë rrugë na  fton të ecim Mesazhi i Papës për Kreshmët 2021.

Mesazh, që përfundon me lutjen, drejtuar Zojës së Bekuar:

“Maria, Nëna e Shëlbuesit, besnike tek këmbët e kryqit e në zemrën e Kishës, na ndihmoftë me praninë e saj plot kujdes, e bekimi i Krishtit të Ngjallur na shoqëroftë në udhën drejt dritës së Pashkëve”.

12 shkurt 2021, 12:18