Papa merr Librin Shenjt të Karakosh Papa merr Librin Shenjt të Karakosh  

I paraqitet Papës - Sidra', Libri i Shenjtë i Karakoshit, në Irak

Një lajm vërtet i gëzueshëm për dashamirët e librave të lashtë kishtarë e, sidomos, për Kishën në Irak. U paraqit sot në audiencën e Papës Françesku Libri i Shenjtë 'Sidra', i Karakoshit, në gjuhën aramajke që i përket shekujve XIV-XV. Libri i Shenjtë shpëtoi mrekullisht nga tërbimi i Isisit, u restaurua në Itali.

R. SH. - Vatikan

Sidra', Libri i Shenjtë, që shpëtoi mrekullisht nga tërbimi i Isisit, i restauruar në Itali, u paraqit sot në audiencën e Papës Françesku. I shoqëruar nga një delegacion i vogël, i përbërë nga Ivana Borsotto, kryetare e Focsiv, nga imzot Luigi Bressan, përfaqësues i Konferencës Ipeshkvnore Italiane pranë Focsiv dhe nga Lucilla Nuccitelli, drejtoreshë e Laboratorit të restaurimit, pranë Institutit qëndror për patologjitë e arkivave dhe të librit (Icpal) - Sidra', Libri i Shenjtë, që i përket shekujve XIV-XV, në gjuhën aramajke, gjuhë që e foli Krishti e që përmban  lutjet liturgjike të kohës ndërmjet Pashkëve e Shëna Krygjës, shpëtoi nga rrënimi! E sot iu paraqit Papës gjatë audiencës, në Sallën e Bibliotekës të Pallatit Apostolik.

Libri i shenjtë, që i përket Kishës siriako- kristiane të qytetit shenjt irakian Karakoshit, në rrafshin e Ninives, u restaurua në Itali. Dorëshkrimi, falë mençurisë së priftërinjve të këtij qyteti, shpëtoi nga tërbimi ikonathyes  e antikristian i  ndjekësve të Isisit, të cilët i mbajtën nën thundër këto troje nga viti 2014 deri më 2017.

“Libri refugjat” - lexohet në një notë - si mijëra njerëz të ikur nga tmerret e luftës e nga milicitë xhihadiste, është dëshmitar i asgjësimit të një mori popullsish, i shkatërrimit të trojeve të tëra dhe “i genocidit kulturor”,  që zhduku pa mëshirë gjithçka kishte parfumin e kulturës së lashtë të këtyre viseve, posaçërisht asaj kishtare. I gjetur në Erbil, në janar të vitit 2017, nga gazetarët Laura Aprati e Marco Bova - Mosuli ishte akoma në duart e xhihadit - iu dorëzua vullnetarëve të Focsiv, nga kryeiepshkvi i vendit, imzot Yohanna Butros Mouché.

Falë angazhimit të drejtpërdrejtë të ministrit të asokohshëm të veprimtarive kulturore dhe turizmit, Dario Franceschini, dhe të Giulia Silvia Gjia, kryetare e Projekteve të Kulturës, dorëshkrimi i çmuar arriti  brenda 40 ditëve në Itali. Këtu, me një punë delikate realizuar falas nga Instituti qendror për patologjinë e arkivave dhe të librit (cpal),  të Mibact, u inkuadrua historikisht dhe u restaurua në disa drejtime, si lidhja e lashtë dhe boja shumë e veçantë e përdoruar për miniaturat.

Së shpejti Libri i Shenjtë do t’u dorëzohet pronarëve e do tingëllojë rishtas në liturgjitë e Kishës siriako-kristiane të Karakoshit.

10 shkurt 2021, 16:01