Armida Barelli Armida Barelli 

Do të jetë e lume Armida Barelli, themeluese e Rinisë femërore të Veprimit Katolik

Papa Françesku autorizoi shpalljen e Dekreteve, që do ta lartojnë në nderimet e altarit bashkëthemeluesen, me Atë Gemellin, të Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit e do të bëjnë të njohura virtytet heroike të shtatë Shërbëtorëve të Zotit

R. SH. -Vatikan

Themeluese e rretheve të para të Rinisë femërore të Veprimit katolik, Armida Barelli krijoi, në Asizi, Institutin Shekullar të Misionareve të Krishtit Mbret e, në vitin 1921, bashkëthemeloi, me atë Gemellin, Universitetin katolik të “Zemrës së Krishtit”. Papa Françesku njohu mrekullinë e bërë me ndërmjetësimin e saj, duke dekretuar edhe  lumnimin e  afërm, në audiencën e sotme me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, si dhe virtytet heroike të shtatë shërbëtorëve të Zotit.

Armida Barelli, model për femrat katolike

Armida ishte grua me vizion të gjërë kundrues e sensibilitet të madh  njerëzor. Me veprimtarinë e saj të palodhur, përkrah Atë Gemellit, luajti një rol të dorës së parë për themelimin e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, që vijon me sukses veprimtarinë. Punoi deri në shtratin e vdekjes për të  aktivizuar rininë katolike e sidomos, për të realizuar ëndrrën e Atë Gemellit për Universitetin. E, kur po jepte frymën e fundit, i tha bashkëpunëtorit të saj të famshëm, veshur me zhgunin e Shën Françeskut e me këmbë të zbathura, që nuk e penguan aspak të ishte një nga shkencëtarët më të famshëm të kohës së vet: “Të ndihmova sa munda mbi dhe, po sa do të ndihmoj tashti, që po shkoj atje Nalt!”.

Mbylli sytë në moshën 71 vjeçare, më 15 gusht 1953, në Marzio, provinca e Varezes. Pushon në paqe në Kriptën e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, në Milano.

U njihen virtytet heroike shtatë shërbëtorëve të rinj të Zotit

Në dekretet e nënshkruara nga Papa, i njihen virtytet heroike Shërbëtorit të Zotit Albino Alves da Cunha e Silva, meshtar dioqezan; Ignazio di San Paolo, meshtar i Kongregatës së Mundimeve të Krishtit; Maria Felicita Fortunata Baseggio, murgeshë e Urdhërit të Shën Agostinit; Floralba Rondi, Clarangela Ghilardi dhe Dinarosa Belleri, rregulltare të Kongregatës së Motrave të varfra të Institutit Palazzolo si dhe Elisa Giambelluca, besimtare laike, anëtare e Institutit Teresiana.

 

20 shkurt 2021, 14:30