2021.01.20 Udienza Generale  2021.01.20 Udienza Generale  

Bisedë me Papën për shëndetin e tij

Intervista dhënë nga Françesku në vitin 2019 për një shkrim të Nelson Castro, botuar dje në La Nación. Përshkruan operacionin në mushkëri, ankthin në periudhën e diktaturës, kur fshihte të persekutuarit, treguar psikiatres që e ndihmonte me testet për novicët. E pastaj, flet edhe për vdekjen: nuk e kam frikë, e përfytyroj në Romë, në detyrë ose si Papë nderi

R. SH. - Vatikan

Nuk kam frikë nga vdekja. E përfytyroj në Romë: kështu shprehet Papa Françesku në një intervistë, botuar nga gazeta argjentinase La Nación. Është bisedë e bërë dy vjet më parë, më 16 shkurt 2019, me gazetarin dhe mjekun Nelson Castro, për librin e tij kushtuar shëndetit të Papëve.

Françesku pohon se ndjehet fare mirë e plot energji, faleminderës Zotit. Kujton “çastin e vështirë” kur iu desh të hiqte lobin e sipërm të mushkërisë së djathtë, për shkak të tre çisteve. “Kur u zgjova, pas anestezisë, pata ndjerë një dhembje gati të padurueshme. Po nuk u shqetësova. Kisha gjithnjë bindjen se do të shërohesha”.

Në vijim Papa kujton se shërimi qe i plotë: “Nuk e ndejva kurrë nevojën për ndonjë kufizim në veprimtaritë e mia”. Edhe gjatë shtegtimeve të ndryshme ndërkombëtare - shpjegon - nuk pata kurrë nevojë të kufizoj a të shlyej ndonjë nga veprimtaritë e programuara. Nuk kam ndjerë kurrë lodhje a vështirësi në frymëmarje (dispnea). Siç më kanë shpjeguar mjekët, mushkëria e djathtë është zgjeruar dhe e ka mbushur gjithë vendin e mbetur bosh.

Gazetari e pyet Papën nëse ka qenë psikanalizuar ndonjë herë. Kur isha provincial i Jezuitëve - gjegjet Papa - gjatë ditëve të tmerrshme të diktaturës, m’u desh të mbart klandestinë, që duhet të iknin nga vendi për të shpëtuar jetën. Jetova situata, që nuk e dija si do të përfundonin.  Atëhere shkova tek një zonjë - një grua e madhe - e cila më ndihmoi të lexoja ca teste psikologjike për novicët. Kështu, për gjashtë muaj, u këshillova me të një herë në javë. Ishte psikiatre: “Gjatë atyre gjashtë muajve, më ndihmoi të orientohem për t’i bërë ballë frikës së atyre kohëve. Përfytyrojeni ç’do të thotë të transportosh një njeri të fshehur në auto - të mbuluar vetëm me një mbulesë - e të kalosh me të tre post-blloqe ushtarakësh në zonën e Campo de Mayo. Në ato çaste tensioni im arrinte kulmin.

Në vijim Papa shton se biseda me psikiatren e ndihmoi edhe për të mposhtur ankthin, kur i duhej të merrte vendime të ngutshme. Flet për rëndësinë që ka për priftin studimi i psikologjisë: “Jam i bindur se çdo prift duhet ta njohë psikologjinë njerëzore”.

Kujton, më pas, neurozat: “Për neurozat duhet përgatitur mate. E jo vetëm kaq, duhet t’i ledhatosh. Janë shoqe udhe për njeriun, gjatë gjithë jetës. Françesku, siç e pati përmendur edhe një herë tjetër, kujton se pati lexuar një libër, tekst interesant, që e pati bërë të qeshë me gjithë shpirt. Titullohej “Rejoice in Being Neurotic”(Gëzohuni që jeni neurotik)  shkruar nga psikiatri amerikan Louis E. Bisch: “Ka shumë rëndësi ta dish ku kërcëllojnë kockat. Ku e si janë sëmundjet tona shpirtërore. Me kohë mësohesh t’i pranosh neurozat tuaja”.

Françesku kujton edhe ankthin, që lind nga dëshira për të bërë gjithçka e menjëherë. Citon fjalën e urtë, të cilën mendohet ta ketë thënë Napoleon Bonaparti: “Më vishni ngadalë, se kam shumë ngut”. Shprehja të kujton  nevojën për ta ngadalësuar ritmin. Një nga metodat, për Papën, është të dëgjojë muzikën e Bach: “Më qetëson e më ndihmon t’i analizoj më mirë problemet”- kujton. Në përfundim të intervistës, gazetari i drejton një pyetje të vështirë: “Çka mendon për vdekjen dhe a ka frikë prej saj?”. “Jo, aspak!”. E si e përfytyroni vdekjen tuaj? “Si Papë, në detyrë ose nderi! E në Romë. Nuk do të kthehem në Argjentinë!”.

28 shkurt 2021, 10:19